Së shpejti nisë rrënimi i plazheve në Batllavë

Lajme

Së shpejti nisë rrënimi i plazheve në Batllavë

Më: 19 prill 2014 Në ora: 07:29

Plazhet e ndërtuara nga Komuna e Podujevës dhe nga donacionet e Bashkimit Evropian në liqenin e Batllavës shumë shpejt do të rrënohen nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.
Në këtë ministri thonë se në lejen e planit hapësinor nuk kanë qenë të parapara të nderoheshin plazhe dhe restaurante, por vetëm shtigje për vrapim, për biçiklistë, fushë tenisi, por jo plazhe dhe restauronte.
Komuna e Podujevës dhe Bashkimi Evropian kanë investuar rreth 400 mijë euro për ndërtimin atyre plazheve, edhe pse ajo zonë është zonë ujore e mbrojtur me ligj dhe nuk mund të ketë aktivitete komerciale, pasi nga liqeni i Batllavës furnizohen qytetarët e Prishtinës dhe rrethinës me ujë të pijshëm.
Ministri i MMPH-së, Dardan Gashi ka thënë për KosovaPress se e gjithë ajo punë është bërë pa bashkëpunimin dhe konsultimin e ministrisë.
“Fatkeqësisht jo, në një moment është kërkuar një leje, do të thotë e planit hapësinor, miratim i planit hapësinor, planit rregullativë të asaj zone, e cila në parim është miratuar por nuk është potencuar se aty do të ketë plazh dhe restauronte, e tjera, mirëpo është potencuar se do të ketë zona rekreative. Zona rekreative mund të jetë një fushë e tenisit, mund të jenë shtigje për vrapim, për biçikleta e tjera. Ata në parim e kemi miratuar, mirëpo jo kërkesën për plazhe dhe restauronte atje për shkak se ka qenë edhe më herët, por veçanërisht pas vendimit te qeverisë është zonë e mbrojtur ujore dhe ato do të largohen nga aty”, tha Gashi.
Mirëpo, i gjithë ai investim në atë zonë, nuk do të kompensohet nga Ministria, pasi Gashi thotë se ajo nuk është punë e tyre, derisa për atë çështje duhet të merren vesh komuna me BE-në.
“Natyrisht, se nuk mund të kompensohet. Ato mund të kompensohen mes Komunës dhe BE-së, le ta kërkojnë ata fajtorin, detyrë e jona është që të mbrojmë atë, e cila është zona kyçe e furnizimit me ujë të Prishtinës. Nuk është në interesin tonë të zhvillojmë turizëm aty, dhe nuk mund të zhvillohet turizmi aty por të sigurohet uji i pijshëm për qytetarët”, tha ai.
Në këto plazh janë investuar afër 370 mijë euro, nga të cilat 326 mijë të investuar nga BE-ja, gjegjësisht Komisioni Evropian, ndërsa rreth 50 mijë euro janë investuar nga Kuvendi Komunal i Podujevës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat