Xhafer Ahmeti nis misionin në Podgoricë

Lajme

Xhafer Ahmeti nis misionin në Podgoricë

Më: 18 prill 2014 Në ora: 17:59

Përfaqësuesi i parë diplomatik i Republikës së Kosovës në Republikën e Malit të Zi, Xhafer Ahmeti, është pritur në takim nga zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Integrimeve Evropiane të këtij shteti, Igor Lukšić.
Ahmeti e ka vlerësuar lartë momentin e ri në marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve si dhe mundësinë e bashkëpunimit të cilën e hap emërimi i përfaqësuesit të përhershëm të Republikës së Kosovës në Mal të Zi.
Me këtë rast, Ahmeti ka theksuar se “marrëdhëniet e Malit të Zi me Kosovën mund të shërbejnë si shembull i marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe që me bashkëpunimin e ndërsjellët, por edhe me bashkëpunimin me vendet e tjera të regjionit mund të tregojë se Ballkani Perëndimor po ndryshon”.
Për rëndësinë e krijimit të marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve ka folur edhe ministri Lukšić, duke thënë se emërimi i përfaqësuesit diplomatik të Kosovës do t’i kontribuojë forcimit të bashkëpunimit dhe marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.
Ai ka shtuar se përveç marrëdhënieve shumë të mira në fusha të ndryshme, ekziston hapësirë për forcimin e tyre, posaçërisht në fushën e ekonomisë.
Ministri Lukšić, po ashtu ka thënë se “fokusi i bashkëpunimit në periudhën e ardhshme duhet të jetë i orientuar në projekte të përbashkëta dhe iniciativa të të dy shteteve”.
Në takim është diskutuar edhe në lidhje me bashkëpunimin e krijuar ndërmjet institucioneve kosovare dhe malazeze, me ç’rast është theksuar nevoja për angazhimin e dy shteteve për avancimin e mëtejmë dhe forcimin e marrëdhënieve të ndërsjella.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat