Emërimi i gjyqtarit Enver Shabanaj-KGJK e Presidentja në mbrojtje të krimit

Lajme

Emërimi i gjyqtarit Enver Shabanaj-KGJK e Presidentja në mbrojtje të krimit

Më: 17 prill 2014 Në ora: 18:26

Më 18 maj vitit 2011, në mes të ditës dhe në mes të Prishtinës, e ndjera Diana Kastrati u vra nga bashkëshorti.

Jemi afër tri vite pas kësaj vrasje dhe në vend që familjarët të informohen në drejtim të kapjes së vrasësit, ata tronditen nga Institucionet e Kosovës, me theks të veçantë nga Këshilli Gjyqësor dhe Presidenca.

Para disa ditëve, Këshilli Gjyqësor i Kosovës, unanimisht, i ka propozuar Presidentes dekretimin për gjyqtarin i cili nuk ofroi mbrojtje për Dianën.

Edhe përkundër faktit që në vendimin e Gjykatës Kushtetuese të datës 26 shkurt thuhet se “ka pasur shkelje të së drejtës për jetë dhe shkelje të së drejtës për mjete juridike”, dhe edhe përkundër faktit që para se Këshilli Gjyqësor ta bëjë një propozim të tillë gjyqtari Hamdi Ibrahimi, në vlerësimin e tij dhënë komisionit për verifikim dhe vlerësim të performancës ka deklaruar se gjyqtari Enver Shabanaj ka një performancë të dobët. Kjo më së miri e tregon qasjen e Këshillit Gjyqësor ndaj sistemit dhe përbërësve te tij, pra gjyqtarëve të papërgjegjshëm.

Me emërimin e gjyqtarit Enver Shabanaj, Këshilli Gjyqësor u përbetua edhe njëherë jo për ta luftuar krimin dhe për të shqiptuar dënimin meritor kryesve, por u përbetua për papërgjegjshmëri dhe në mbrojtje të të papërgjegjshmëve.

Për fat të keq, Presidentja e vendit nuk e mori mundin për refuzimin e propozimit të KGJK, përkundrazi, pa kurrfarë mëdyshje e dekretoi gjyqtarin i cili ia mohoi Dianës të drejtën në jetë dhe në mbrojtje.

Për këtë më duhet t'i citojë dispozitat sa për t'iu kujtuar që nuk patën ndjesi as morale e as etike, që me këtë propozim e dekret ata shpërfillen edhe Kushtetutën edhe ligjet e vendit.
Nëse Kushtetuta e Republikës se Kosovës, Neni 104 par. 4 e thotë se:
4. Gjyqtarët mund të shkarkohen nga funksioni për shkak të dënimit për një vepër të rëndë penale ose për mosrespektimin e rëndë të detyrave.
Atëherë kujtojmë Këshillin Gjyqësor se në paragrafin 4 të nenit 17 te Ligjit për Këshilli Gjyqësor thuhet se:
“Me rastin e emërimit të një kandidati për emërim apo riemërim, Këshilli, në mes tjerash do të marrë parasysh kriteret në vijim:
4.3. aftësinë profesionale bazuar në rezultatet e karrierës së mëparshme, përfshirë pjesëmarrjen në forma të organizuara të trajnimit ku është vlerësuar performanca;;
Ndërsa Presidentes ia kujtojmë se, nëse sipas Kushtetutës se Republikës se Kosovës, ne Nenin 84 par. 2 thuhet se Presidenti:
(2) garanton funksionimin kushtetues të institucioneve të përcaktuara me këtë Kushtetutë;
Pse nuk u kujdes qe te refuzojë emërimin e një gjyqtari te cilit shkeljen ia vërtetoi autoriteti me i larte kushtetues?
Andaj në emër të familjarëve të Diana Kastratit, kërkojë nga Presidentja e vendit që ta rishqyrtojë dekretin dhe të marrë vendim në përputhje me Nenin 104, paragrafi 1 të Kushtetutës, mbi bazën e drejtësisë, duke shkarkuar gjyqtarin e dekretuar më parë sipas propozimit të Këshillit Gjyqësor.
Kështu të paktën duke u munduar që këtij turpi t'ia zvogëlojë efektin e shkaktuar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat