VV: Agim Bahtiri me premtime të dështuara

Lajme

VV: Agim Bahtiri me premtime të dështuara

Më: 17 prill 2014 Në ora: 13:48

Lëvizja Vetëvendosje në Mitrovicë, pas analizës 100 ditëshe të qeverisjes së re komunale në këtë qytet, ka vlerësuar se pushteti komunal në Mitrovicë është duke punuar pa plan qeverisës.

“Kryetari erdhi në pushtet me premtime pa plan të zhvillimit dhe implementimit të këtyre premtimeve, e as dinamikën kohore të përmbushjes së tyre. Kjo e bën këtë qeverisje edhe më jo-stabile, në kuptim të qasjes që kanë ndaj interesit të qytetarëve po ashtu edhe zyrtarëve politik të ngarkuar me këto përgjegjësi. Qysh para balotazhit u lidh një koalicion jo fort i natyrshëm për rrethanat tona dhe i cili edhe tani nuk po mund të konsolidohet dhe të veproj si një trung i vetëm. Si pasojë e kësaj kemi vendimet e DKA-së te zgjedhja e militantëve partiak në pozita udhëheqëse në shkolla, gjë që tregon se mentaliteti qeverisës mbetet i njëjtë. Në DKRS vendimet mbi subvencionimin e OJQ-ve janë ndër më jo-transparentet, dhe mbi këtë bartësit e këtyre projekteve janë të së njëjtës vijë politike me atë të udhëheqësve të departamentit. Në këtë drejtori nuk ka mekanizëm të vlerësimit të projekteve, as afat kohor kur duhet të aplikohet dhe kush i vlerëson projektet e propozuara nga OJQ dhe grupet e tjera jo-formale”, thuhet mes tjerash në komunikatë.

Sipas përfaqësuesve të Vetëvendosjes në Mitrovicë, kryetari i Komunës në ditën e parë të ardhjes së tij në pushtet, ka dhënë premtimin e tij për largimin e barrikadës nga Ura e Lumit Ibër, gjë e cila është shumë larg ndodhjes, dhe bën që ky premtim euforik të dështojë qysh në fillim të mandatit.

Duke i shtuar kësaj edhe mosvazhdimin e ndërtimit të shtëpive të familjeve shqiptare në veri, ky pushtet del të jetë ndër më jo-kompetentët për mbajtjen e premtimeve të tyre. Pushteti aktual në Mitrovicë ka mungesë të njohjes së ligjeve ekzistuese dhe legjislacionit sekondarë, ku shpesh kompetencat në mes të nivelit qendror si dhe atij lokal janë të përziera, thote VV.

“Në aspektin ekonomik, premtimet kanë qenë të shumta ndërsa planifikim nuk ka askund. Duke filluar nga premtimi i punësimit të 15 mijë e më shumë personave në fabrikat e përpunimit të kërpudhave, në këtë 100 ditësh zbritet numri në 3 mijë e 500, që do të punësoheshin gjatë mandatit, e kur e shpalosi raportin e tij, kryetari përfundon në vetëm 350 të punësuar, ku ende nuk ka filluar të ndërtohet as tulla e parë e fabrikave të premtuara. Përfundimisht mund të themi se në këtë 100 ditësh mungon programi gjithëpërfshirës për zhvillim ekonomik, dhe si pasojë e kësaj ka mungesë të investimeve kapitale aq shumë të nevojshme për qytetin e Mitrovicës”, thuhet në fund të kësaj komunikate.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat