Bora dhe temperaturat e ulëta tmerrojnë fermerët

Lajme

Bora dhe temperaturat e ulëta tmerrojnë fermerët

Më: 17 prill 2014 Në ora: 01:06

Reshjet e ditëve të fundit të borës ende nuk i kanë dëmtuar të mbjellat pranverore. Fermerët thonë se këto reshje kanë qenë të mirëseardhura por shqetësohen se nëse temperaturat bien në minus 2 gradë, atëherë rreziku është i madh sidomos për pemët të cilat janë në fazën e lulëzimit. Ministria thotë se nuk ka fond për dëme të tilla, po ka shpresa se një gjë e tillë do bëhet vitin tjetër.

" Njëherë për njëherë nuk ka dame, vec më mirë, por me ra temperatura në minus, janë dëmet e mëdha se smbetet asgjë. Rrezikohemi që i gjithë mundi të na shkojë kot", thotë një fermer për RTK.

Edhe fermerët të cilët kanë perime të mbjella në serra i frikësohen rënies së temperaturave, sepse thonë se do t`ju shkojë dëm i gjithë mundi. Ata thonë se përveç motit të cilit i frikësohen, as tregun asnjëherë nuk e kanë të garantuar.

" Nese bien temperatura në minus është rrezik se këtu në sera prej temperaturave të ulëta ju prishet lulja, pastaj per ne është problem se ka shpenzime shumë", thotë një tjetër fermer, posedues i një serre.

Zëdhënësi i Ministrisë së Bujqësisë, Adil Behramaj, thotë se nuk kanë një fond të caktuar për t`u dalë në ndihmë fermerëve, në rast se do të ketë dëme, për shkak të buxhetit të pamjaftueshëm, por shton se janë duke i shikuar mundësitë që të paktën për vitin tjetër të sigurojnë një fond të tillë.

Behramaj ka bërë të ditur se më të rrezikuar nga rënia e temperaturave janë mollët, patatet dhe disa perime të mbjella në serra, për të cilat thotë se do të dalin ekipet e caktuara për të parë gjendjen në terren se sa janë dëmtuar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat