Shkon në Kuvend, ndryshimi i ligjit për duhanin

Lajme

Shkon në Kuvend, ndryshimi i ligjit për duhanin

Më: 16 prill 2014 Në ora: 21:47

Në Komisionin Parlamentar për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale të Kuvendit të Republikës së Kosovës është diskutuar për një nismë të industrisë së duhanit, të përkrahur edhe financiarisht nga Oda Ekonomike e Kosovës për të ndryshuar Nenin 9, pika 2 dhe 3 të Ligjit për Kontrollin e Duhanit, që ka të bëjë me ndalimin e ekspozimit të duhanit në pikat e shitjes.
“Është për t'u habitur se si, pa bërë asnjë hulumtim mbi efektin e ndalimit të ekspozimit, pas vetëm 2 muajve që kur ligji ka hyrë në fuqi (22 maj 2013), industria e duhanit (korrik 2013), gjen partner serioz brenda Kuvendit të Kosovës për ta propozuar ndryshimin e nenit që është respektuar më së miri nga ky ligj”, shkruan Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti në Facebook.
“Për më tepër, sot , gjatë debatit në këtë komision, u pa qartë se kush është "aleati natyror" me industrinë e duhanit, rrjedhimisht edhe me pasojat që shkakton duhanpirja përfshirë këtu kancerin dhe leukeminë”, shkroi Hoti.
Ai më tej tregoi se propozimin e industrisë së duhanit, e kanë mbështetur deputetët: Fikrim Damka (6+), Hamza Balje (Srpska Liberalna Stranka), Time Kadriaj (AAK), Flora Borovina (PDK); dhe Salie Mustafa (PDK).
Ndërsa kundër propozimit të Industrisë së Duhanit duke mbrojtur qartazi interesin e shëndetit të popullatës janë shprehur: Bahri Thaçi (LDK), Nazane Breca (LDK), Faton Topalli (Vetëvendosje) dhe Gëzim Kelmendi (PD). Megjithatë, në fund, fjalën e thotë Kuvendi.
Hoti shpreson “që kjo legjislaturë, mos ta mbyll mandatin e saj me turp, duke i dhënë një goditje ligjit që e ka miratuar vet dhe që i ka sjellë ndryshimin më të mirë në fushën e shëndetit publik në vitet e fundit në Kosovë”.
Hotui më tej tha se po e mbështesin një nisëm, që edhe vet e dini se është e dëmshme.
"Në bisedë jo zyrtare, pas përfundimit të takimit me deputetët që mbështetën nismën e industrisë së duhanit dhe në pyetjen pse po e mbështesni një nismë që edhe vet e dini se është e dëmshme, për ironi disa prej tyre u përgjigjen: ‘Kuvendi do të shpërbëhet shpejt dhe ligji nuk ndryshohet’”, përfundoi shkrimi i tij.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat