Agjencia Anti Korrupcion rekomandime për Klinën

Lajme

Agjencia Anti Korrupcion rekomandime për Klinën

Më: 16 prill 2014 Në ora: 14:53

Agjencia kundër Korrupsionit i adresoi sot komunës së Klinës një opinion përmes se cilit i rekomandon këtij institucioni që t`i ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme për evitimin e shkeljeve të evidentuara në lidhje me tenderin me titull “Furnizim-montim i xhamave në objektet shkollore dhe institucioneve tjera“.
Divizioni për Parandalimin e Korrupsionit në Prokurimin Publik, pranë Agjencisë kundër Korrupsionit sipas detyrës zyrtare ka identifikuar këtë aktivitet të prokurimit si lëndë për trajtim. Gjatë trajtimit dhe ekzaminimit të dokumentacionit për këtë procedurë të prokurimit në Njoftimin për Kontratë dhe Dosjen e Tenderit, Agjencia kundër Korrupsionit ka hasur në disa të dhëna që nuk janë në pajtueshmëri me dispozitat e Ligjit në fuqi për Prokurimin Publik në Republikën e Kosovës.

Gjetjet e Agjencisë janë se komuna e Klinës si Autoriteti Kontraktues këtë aktivitet të prokurimit nuk e ka paraparë në planifikimin e prokurimit për vitin 2014. Legjislacioni ne fuqi, mundëson që aktivitet e prokurimit që nuk janë paraparë për vitin përkatës fiskal, mund të prokurohen nëse për të njëjtin prokurim Zyrtari Kryesor Administrativ (ZKA) do të dërgojë tek Agjencia Qendrore e Prokurimit (AQP) një kopje të Deklaratës përkatëse të Nevojave dhe Vendosshmërisë për Disponueshmërinë e Fondeve së paku 5 ditë para se Zyrtari Autorizues të autorizojë Zyrtarin e Prokurimit për inicimin e aktivitetit përkatës të prokurimit. Përkundër kësaj procedure e cila është obligative për aktivitetet e prokurimit të cilat nuk kanë qenë të planifikuara për vitin fiskal përkatës, Autoriteti kontraktues nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për ta dërguar një kopje të kësaj Deklarate në Agjencinë Qendrore të Prokurimit.
Agjencia kundër Korrupsionit sipas detyrës zyrtare ka kërkuar tërë dokumentacionin lidhur me këtë Procedurë të Prokurimit pasi Autoriteti kontraktues ka përfunduar procesin e vlerësimit të tenderëve. Gjatë shqyrtimit dhe ekzaminimit të dokumentacionit lidhur me këtë aktivitet, duke u bazuar në Procesverbalin e procesit të këtij tenderi është vërejtur se numri i Operatorëve Ekonomik që e kanë tërhequr Dosjen e Tenderit është 9 ndërsa vetëm 2 prej Operatorëve Ekonomik i kanë dorëzuar ofertat e tyre , shumica e OE që nuk i kanë dorëzuar ofertat e tyre për këtë kontratë janë më larg se 25 km dhe vijnë nga Komunat tjera, me çka konstatohet shumë qartë se pikërisht kufizimi i cili është caktuar nga Autoriteti kontraktues ka bërë që shumë Operatorëve Ekonomik të mos u jepet mundësia të tenderojnë.

Duke u bazuar në Raportin e vlerësimit të Tenderëve të datës 28.03.2014 i cili është përgatitur nga Zyra e Prokurimit për këtë aktivitet të prokurimit janë dorëzuar dy oferta, sipas Komisionit për ekzaminimin, krahasimin dhe vlerësimin e Tenderëve i cili pasi ka përfunduar vlerësimin e tenderëve ka konstatuar dhe ardhur në përfundim se të dy OE që kanë tenderuar, janë të përgjegjshëm dhe ka propozuar që kontrata ti jepet Operatorit Ekonomik i cili është renditur në vendin e parë si oferta me çmimin më të ulët.

Agjencia kundër Korrupsionit, pasi ka ekzaminuar me kujdes ofertat origjinale të Operatorëve Ekonomik që kanë tenderuar për këtë kontratë, konstaton se asnjëri nga Operatorët ekonomik që i kanë dorëzuar ofertat e tyre nuk janë të përgjegjshëm, pasi që nuk i kanë plotësuar disa kërkesa të cilat janë caktuar në Njoftimin për Kontratë dhe Dosjen e Tenderit. Si rrjedhojë Agjencia ka rekomanduar anulimin e kësaj procedure të prokurimit dhe kërkon nga Autoriteti Kontraktues që t’i shmang praktikat e tilla në të ardhmen.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat