Falsifikatores boshnjake, 3.2 vjet burgim

Lajme

Falsifikatores boshnjake, 3.2 vjet burgim

Më: 16 prill 2014 Në ora: 08:46

Gjykata në Prizren ka dënuar dje me tre vjet e dy muaj burgim shtetasen e Bosnjë dhe Hercegovinës E. Salkoviq, rreth 30 vjeçe, për shkak se është gjetur fajtore për veprën penale të falsifikimit të parasë, në vlerë prej hiç më pak se 234 mijë euro.

Njësitet patrulluese kishin siguruar informacionin se një femër e moshës 30 vjeçare nga Bosnja, posedon një shumë të konsiderueshme të të hollave, pa mbulesë. Siç u tha atëbotë personi është ndaluar nga policia, por pasi është parë se ajo ishte nën ndikimin e drogës, me urdhër të prokurorit, është dërguar në spitalin rajonal të Prizrenit.

Policia pati thënë se për aksionin e kapjes së kësaj shume të parave false, është bërë koordinimi i operacionit në mes të njësiteve të policisë rajonale të Prizrenit dhe njësiteve të hetimeve rajonale dhe është arritur që të identifikohet lokacioni ku është strehuar personi që posedonte këto kartëmonedha në një hotel në Prizren, e cila ishte prangosur.

Pas hetimeve të suksesshme ndaj të dyshuarës është hapur procesi gjyqësor dhe Departamenti për Krime të Rënda që vepron në kuadër të Gjykatës Themelore në Prizren, në përfundim të këtij procesit gjyqësor, shpalli fajtore Salkoviqin për veprën penale nga Neni 302, paragrafi 2, lidhur me paragrafin 5 të Kodit Penal të Kosovës.

Zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prizren, Afërdita Kicaj, duke iu referuar vendimit të shqiptuar nga trupi gjykues në çështjen penale, bëri me dije se e akuzuara Salkoviq me datën 11 gusht të vitit të kaluar, duke e ditur se paratë janë të falsifikuara është zënë në posedim të një sasie të konsiderueshme të kartëmonedhave të falsifikuara, saktësisht 468 apoena në vlerë 500 euro, që në përgjithësi arrinin vlerën prej 234 mijë euro të cilat ajo i kishte sjellë me qëllim që të vë në qarkullim si të vërteta.

“Paratë janë bartur nga një person i panjohur nga Prishtina duke i sjellë me një çantë në hotelin ku ishte vendosur në Prizren dhe, pas akomodimit, e pandehura i ka fshehur në një orman të dhomës së rezervuar”, tha ajo.

Në shqiptimin e dënimit, Gjykata Themelore në Prizren vendosi që të pandehurës t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim, nga dita e arrestit të saj me 11 gusht 2013.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat