Thellohet bashkëpunimi me komunat shqiptare

Lajme

Thellohet bashkëpunimi me komunat shqiptare

Më: 15 prill 2014 Në ora: 16:06

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, priti sot në takim delegacionin e Komisionit për Politike të Jashtme të Parlamentit të Republikës së Shqipërisë, të udhëhequr nga Kryetarja e Komisionit, Arta Dade, deputete e Partisë Socialiste.

Kryetari Ahmeti tha se në këtë takim u diskutua për punët që kemi filluar në Komunën e Prishtinës. “Deputetët nga Republika e Shqipërisë treguan interesim për sfidat tona dhe në të njëjtën kohë shprehën përkushtimin dhe dëshirën për të bashkëpunuar dhe për të na ndihmuar në punët e pushtetit lokal. Ne i prezantuam sfidat tona kryesore, dhe diskutuam edhe për disa çështje të përgjithshme të politikës mbarëkombëtare”, theksoi ai.

Kryetarja e Komisionit për Politike të Jashtme të Parlamentit të Republikës së Shqipërisë, Arta Dade, tha se qëllimi i vizitës ishte për ta uruar Kryetarin për sukseset në detyrën e re dhe shumë të rëndësishme që ka marrë me mandatin e qytetarëve të Prishtinës. “Ne shkëmbyem mendime se si pushteti vendor realisht duhet ta luaj rolin si një pushtet i pavarur, si një pushtet që është më pranë qytetarëve. Kemi hapur rrugën për bashkëpunim të gjithanshëm mes pushteteve vendore të kryetarëve të komunave në Prishtinë dhe Shqipëri, dhe domosdo në trevat tjerat ku jetojnë shqiptarët”, u shpreh Dade, njofton Komuna e Prishtinës përmes një kumtese.

Binjakëzimi mes Prishtinës dhe Tiranës tashmë ekziston, dhe fushat ku mund të fillojë menjëherë bashkëpunimi janë arsimi, turizmi, zbatimi i ligjshmërisë lidhur me ndërtimet.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat