Buja: Punuam që të zgjerohet kurrikula

Lajme

Buja: Punuam që të zgjerohet kurrikula

Më: 15 prill 2014 Në ora: 12:43

Kurrikula e re e Arsimit Parauniversitar në Kosovë është sfidë që duhet përballuar, thotë ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja, duke u zotuar se do të jenë të harmonizuar me atë të Shqipërisë.
Ministri Buja tha se duke synuar integrimet evropiane, duhet komunikuar për të qenë të rezultatshëm, që të shkohet sigurt drejt Bashkimit Evropian
“Ekipet tona të përbashkëta kanë bërë punë të mrekullueshme që kjo kurrikulë të mos jetë në 10 mijë e sa kilometër katror por të zgjerohet në më shumë metër katrorë dhe me qëllimin e vetëm të arrihet nivel më i lartë i arsimit nacional”, deklaroi ministri Buja, raporton KP.
E ministrja e Arsimit dhe Sporteve të Shqipërisë, Lindita Nikolla, thotë se me këto kurrikula nxënësit do të përparojnë sipas aftësive dhe në mënyrën më të mirë të mundshme.
Përmes kurrikulave, ministrja Nikolla, shprehet se profili i nxënësit pas përfundimit të arsimit të mesëm të lartë pritet që të jetë më efektiv në komunikim, të mendojnë në mënyrë krijuese, të dinë si të mësojë vet, të kontribuojnë në mënyrë produktive, të bëjnë jetë të shëndetshme, të përkushtohen për të mirë të përbashkët si dhe të përdorin teknologjinë për të ngritur inovacionin.
“Referenca të strukturës së sistemit kemi njësuar nivelet arsimore të sistemit tonë me sistemin e kosovar, dhe kemi kaluar nga viti shkollorë si njësia bazë e kohës mësimore tek shkolla e kurrikulës, që zgjeron në më shumë se një vit kohën e nevojshme të nxënësve që të arrijnë rezultatet e të nxënit përcaktuar për secilën shkallë”, tha ministrja Nikolla.
Këto vlerësime u dhanë në hapje të konferencës ndërkombëtare të ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë me temë ''Qasja e re kurrikulare-sfidë e së ardhmes''.
Qëllimi i kësaj konference është shkëmbimi i përvojave me vendet e rajonit dhe me disa nga vendet e Bashkimit Evropian.
Konferenca është dy ditore dhe po marrin pjesë ekspertë vendor dhe ndërkombëtar, të fushave të ndryshme të arsimit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat