Spahiu: LDK dhe Vetëvendosje nuk janë të gatshme për zgjedhje

Lajme

Spahiu: LDK dhe Vetëvendosje nuk janë të gatshme për zgjedhje

Nga: Mimozë Lakna Më: 14 prill 2014 Në ora: 10:48

Ndonëse Lidhja Demokratike e Kosovës është duke kërkuar me çdo kusht mbajtjen e zgjedhjeve nacionale në muajin qershor, analisti politik Nexhmedin Spahiu, mendon se ky subjekt politik së bashku me Vetëvendosjen, kërkesat për zgjedhje i kanë vetëm fjalë.

“Mendoj që është dashur që kjo punë të bëhet në momentin kur qeverisë i kanë munguar numrat por problem është që opozita është më shumë vetëm me fjalë e gatshme për të shkuar në zgjedhje sesa që është me vepër për të shkuar në zgjedhje të reja sepse në këtë moment mendoj që vetëm Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës është e gatshme për të shkuar në zgjedhje. Të gjitha subjektet e tjera mendoj se dëshirojnë të fitojnë në kohë. PDK-ja për shkak se e ka pushtetin dhe donë që ta mbaj atë, minoritetet duan që sa më shumë a zgjasin pushtetin,AKR-ja po ashtu ndërsa LDK-ja dhe Vetëvendosja mendoj që po kërkojnë vetëm me fjalë zgjedhje të reja, por në veprime nuk janë të interesuara që ta bëjnë një gjë të tillë. Në të kundërtën do ta kishin përkrahur aksionin e AAK-së”, vlerëson Spahiu.

Sipas tij, është mirë që para të shpërbëhet kuvendi të përfundoj çështja e Tribunalit dhe ajo për vendet e rezervuara për minoritetet.

“Mendoj se këto çështje duhet të votohen tani në mënyrë që pushteti I ri të ketë mundësi të ecë përpara që të mos ndalet në këto çështje që mund t`i marrin kohë dhe mund ta ngadalësojnë zhvillimin e Kosovës”, përfundon ai. Vlen të theksohet se kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi dhe kreu i LDK-së Isa Mustafa janë marrë vesh për shpërndarjen e Kuvendit në mënyrë që deri në muajin qershor të shkohet në zgjedhje.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat