24 persona akuzohen për korrupsion

Lajme

24 persona akuzohen për korrupsion

Më: 14 prill 2014 Në ora: 09:49

Edhe në pjesën e parë të këtij viti, në Prokurorinë Themelore në Prizren, kanë vazhduar deponimet për raste, që ndërlidhen me abuzim të parasë publike, në institucione të ndryshe. Rreth 58 kallëzimeve penale ndaj 145 personave, lëndë këto të trashëguara nga vitet e mëparshme, sivjet i janë shtuar edhe raste të reja, duke zgjeruar kështu sasinë e dosjeve të kësaj natyre.
Gjykata Themelore në Prizren, sapo ia ka vazhduar edhe për dy muaj paraburgimin F. Krasniqit nga fshati Llashka Drenovc, ish-rreshter i Policisë së Kosovës në Malishevë. Ai dyshohet për marrjen e një ryshfeti në vlerë prej 2.500 euro.

Zëdhënësja e Gjykatës, Afërdita Kicaj konfirmoi se Gjykata ka vendosur për vazhdimin e masës së paraburgimit, në çështjen penale ndaj Krasniqit, i cili do të qëndrojë në paraburgim deri më 13 qershor.

“I pandehuri dyshohet se ka vepruar në kundërshtim me detyrën e tij zyrtare me qëllim të lehtësimit, të një rasti që kishte ndodhur më herët, ku kërkon nga i dëmtuari A.G. 2.500 euro me qëllim që t’i kryejë shërbime në këtë rast”, tha ajo.

Në anën tjetër, Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore, Sylë Hoxha, tha për “Zërin” se gjatë periudhës tre mujore të këtij viti janë pranuar 18 kallëzime me 35 persona, që kanë të bëjnë me raste për korrupsion, ndërsa kallëzimet penale atakojnë zyrtarë komunalë, përfshirë edhe inspektorë si dhe përfaqësuesë të ndërmarrjeve publike.

“Duke përfshirë edhe rastet e viteve të kaluara, pas zhvillimit të hetimeve, në këtë periudhë ndaj 24 personave janë ngritur aktakuza, ndërsa në një rast ndaj një personi kemi shkuar me aktakuzë drejtpërdrejtë”, ka thënë ai.

Sipas Hoxhës, në mungesë të provave ndaj 18 personave janë hedhur kallëzimet penale, ndërsa ndaj 15 personave kanë pushuar hetimet, pasi që nuk është vërtetuar pafajësia e tyre. Për këtë periudhë kanë ngelur në punë gjithsejtë edhe 52 kallëzime penale.

Ndër prioritetet e veçanta, të PTH-së në bashkëpunim edhe me Prokurorinë e Shtetit, sipas zyrtarëve do të jenë lëndët antikorrupsion, të cilat duhet të përfundojnë deri në pjesën e parë të vitit.

Sfidë numri i vogël i prokurorëve

Për lëndët e ndërlidhura me korrupsion, kohë më parë nga Këshilli Prokurorial i Kosovës është nxjerrë një strategji e veprimit, që rekomandon kryerjen sa më parë të tyre. “Si Prokurori në çdo kolegjium të Prokurorëve, i cili mbahet çdo të hënë, pikë të veçantë të rendit të ditës e kemi kryerjen sa më parë të lëndëve të korrupsionit”, tha Hoxha.

Në këtë kontekst, ai tha se mbahen kontakte të shpeshta së paku një herë në muaj me Njësitin e Krimeve Ekonomike dhe Antikorrupsion të Policisë së Kosovës. Për të qenë sa më efikas dhe sa më përgatitur profesionalisht, Hoxha njoftoi se gjatë muajit të kaluar është organizuar një punëtori me ekspert të lëmisë së antikorrupsionit nga Departamenti i Drejtësisë i Ambasadës së SHBA-ve në Prishtinë.

“Sipas strategjisë me të cilën e kemi paraparë jemi zotuar se lëndët të cilat i kemi pasur në punë nga vitet e mëhershme, me të cilat kemi hyrë në vitin 2014-të, përjashtuar rastet kur ka ndonjë pengesë procedurale do të kryhen gjer në muajin qershor të këtij viti”, tha kryeprokurori prizrenas, duke shtuar se kjo tregon që lëndët kundër korrupsionit, në këtë Prokurori, kanë prioritet absolut.

Njëra ndër sfidat më të mëdha, që ka ky institucioni i akuzës në Prizren, sipas zyrtarëve të saj ka qenë numri i vogël i prokurorëve, pasi gjatë vitit të kaluar kanë qenë të angazhuar gjithsejtë 13 prokurorë, e kjo sipas tyre përbën një numër shumë të vogël përballë kërkesave të shumta, që paraqiten në këtë institucion.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat