I hapet rruga miratimit përfundimtar të Ligjit për Zhurmat

Lajme

I hapet rruga miratimit përfundimtar të Ligjit për Zhurmat

Më: 11 prill 2014 Në ora: 17:39

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Dardan Gashi ka njoftuar se më në fund i është hapur rruga për miratimin përfundimtar për Projektligjin për Zhurmën.
“Edhe Komisioni Parlamentar për Bujqësi, Pylltari, Mjedis dhe Planifikim Hapësinor miratoi Projektligjin përfundimtar dhe hapi rrugën që ky Projektligj t’i drejtohet Kuvendit për votim final. Këtij miratimi, i parapriu një marrëveshje që bëmë me udhëheqësinë e Bashkësisë Islame dhe Bashkësive të tjera Fetare. Në fakt, formulimi i tashëm i Projektligjit në pjesën ku përfshihet rregullimi për Bashkësitë Fetare, është ofruar si amandament i përbashkët i Qeverisë dhe këtyre Bashkësive”, ka thënë ministri Gashi.
Sipas tij, rregullimi parasheh që niveli i zërit që buron nga mjetet akustike të Bashkësive Fetare, do të rregullohet me një udhëzim të veçantë administrativ të përpiluar nga Ministria në konsultim me përfaqësuesit e Bashkësive Fetare.
“Pra bashkarisht shteti i Kosovës me Bashkësite Fetare do të rregullojnë një herë e përgjithmonë këtë temë, e cila jo rrallë herë ka shkaktuar keqkuptime në shoqërinë tone”.
“Kjo është edhe një dëshmi se bashkëpunimi në mes të Ministrisë që unë udhëheqë dhe Bashkësive Fetare ka qenë në nivel qysh nga fillimi, dhe e gjithë zhurma dhe qasja agresive ndaj këtij projektligji është shkaktuar nga rrymat ekstremiste e jo nga përfaqësuesit e denjë të Bashkësive Fetare në Kosovë.
Falenderoj dhe përgëzoj edhe njëherë Bashkësitë Fetare e posaqërisht Bashkësinë Islame të Kosovës, për konstruktivitetin dhe patriotizmin e tyre. Shteti i Kosovës i respekton të gjitha Bashkësitë dhe interesat e tyre dhe në të gjitha takimet që kam pasur muajve/javëve të fundit, jam siguruar nga Bashkësitë Fetare që ato respektojnë Shtetin dhe Ligjet e Kosovës dhe distancohen nga gjithë ata që mundohen të keqpërdorin fenë për qëllime të interesave politike”, ka thënë në fund ministri Gashi

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat