Banorët e lagjes “Lugina e doktorëve”, kërkojnë përfundimin e shtëpive

Lajme

Banorët e lagjes “Lugina e doktorëve”, kërkojnë përfundimin e shtëpive

Më: 10 prill 2014 Në ora: 16:42

Banorët e lagjes “Lugina e doktorëve”, në Mitrovicë, i janë drejtuar me një letër kryetarit të Komunës, Agim Bahtiri, ku kanë kërkuar “kryerjen e rindërtimit të shtëpive në këtë lagje, si dhe korrigjimin e drejtimit të rrugës për ‘Krue të Vitakut’”.

Përkundër kërkesës permanente të banorëve të lagjes “Lugina e Doktorëve”, për kryerjen e rindërtimit të tyre, rindërtimi nuk është kryer. Kështu kanë mbetur pa u përfunduar praktikisht të gjitha shtëpitë e lagjes - përveç tri prej tyre”, thuhet në kërkesë.

Shtohet se “edhe ato shtëpi që duken si të përfunduara, në të vërtetë nuk janë, sepse ka edhe shumë punë për t’u bërë brenda dhe jashtë tyre”.

Banorët kanë vlerësuar se “mundësitë materiale dhe financiare të banorëve të lagjes, që vetë ta kryejnë rindërtimin, janë shumë të vogla, sepse shumica prej tyre tashmë janë të pensionuar, disa me të ardhura të vogla, ndërsa ka edhe fare të papunësuar”.

Ata kanë vlerësuar se “gatishmëria e banorëve që të kthehen të banojnë dhe ta vazhdojnë jetën në këtë lagje, asnjëherë nuk është vënë në pyetje, jo sikurse në disa lagje ku shtëpitë janë ndërtuar për qëllime pikniku dhe biznesi dhe ku nuk banon askush, përveç kohës së pushimeve verore”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat