Bukë e rrugë, arsimtarëve u paguhen nga viti 2015

Lajme

Bukë e rrugë, arsimtarëve u paguhen nga viti 2015

Më: 10 prill 2014 Në ora: 08:21

Kontrata Kolektive për punëtorët e arsimit, pritet të nënshkruhet sot (e enjte), ndërmjet Ministrisë së Arsimit dhe Sindikatës së Bashkuar të Arsimit të Kosovës (SBASHK). Kjo kontratë precizon 26 çështje kyçe, që ndërlidhen me arsimin.
Edhe pse kohë më parë është nënshkruar kontrata e përgjithshme kolektive, SBASHK-u ka kërkuar të nënshkruajnë kontratën kolektive vetëm për punëtorët e arsimit. Kjo kërkesë u është miratuar nga Ministria e Arsimit.
Mirëpo për arsye të implikimeve buxhetore, disa pika të kontratës kolektive siç janë pagesa e shujtës dhe e udhëtimit për punëtorët e arsimit, do të aplikohen nga 1 janari i vitit 2015.
Ndërsa pikat e tjera të cilat nuk kanë implikime buxhetore do të zbatohen që nga dita e nënshkrimit.
Kryetari i BASHK-ut, Rrahman Jasharaj, ka thënë se kjo kontratë specifikon të gjitha çështjet e natyrës së arsimit parauniversitar, pasi, sipas tij, kontrata e përgjithshme kolektive nuk saktëson specifikat në fushën e arsimit.
“Do të definohet qartë statusi i mësimdhënësit në arsimin parauniversitar duke filluar nga mënyra e të punësuarit, çështja e orëve mbi normë të cilat do të paguhen, ruajtja e vendit të punës, kush mund të jetë tepricë teknologjike, duke vazhduar me pushimin e lehonisë, pushimin shëndetësor, shujta, çështjen e udhëtimit, me çështjen e natyrës së punës së mësimdhënësit, por edhe obligimin që kanë ata ndaj punëdhënësit”, ka thënë Jasharaj për Tribunën.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat