Rugova: S’ka koalicion me PDK-në edhe pse ata dëshirojnë

Lajme

Rugova: S’ka koalicion me PDK-në edhe pse ata dëshirojnë

Më: 7 prill 2014 Në ora: 12:14

Partia Demokratike e Kosovës ka dëshirë të bëjë koalicion me Lidhjen Demokratike të Kosovës, por një koalicion i tillë është i dëmshëm dhe nuk do të ndodhë. LDK do të hyjë në zgjedhje si parti e vetme dhe jemi të bindur që do t'i fitojmë, sepse degradimi i vazhdueshëm i shtetit të Kosovës është pothuajse i padurueshëm.
Kështu ka thënë për KosovaPress, nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, njëherësh kryetari i Komunës së Istogut, Haki Rugova.

Rugova thotë se është i bindur në fitoren liderit të Lidhjes Demokratike, Isa Mustafa, në zgjedhjet e përgjithshme.

"E di që kanë qef ata me bo koalicion me ne, gjithmonë, se ju kemi gjendur në momente të caktume".........Vendim nuk ka po ne jemi të bindur që nuk do të kemi koalicion me PDK-në, do të shohim me këto partitë më të vogla të cilat mund të hyjnë në garë, sigurisht që ka biseda në mes partive, ato normal që zhvillohen gjithmonë, mirëpo në zgjedhjet e ardhshme do të hyjmë si parti e vetme", thotë ai.

Rugova mendon se qeverisjes aktuale i ka ardhur koha që të përfundojë, e në këtë mënyrë LDK-ja të drejtojë shtetin e Kosovës drejt ndryshimeve të mëdha pozitive, duke eliminuar aferat korruptive.

“LDK-ja nuk ka ndonjë marrëveshje paraprake përkundër spekulimeve eventuale që dalin nëpër media, nuk ka asnjë lloj marrëveshje për asnjë lloj partie për marrëveshje paraprake. Unë jam i bindur që do të shkojmë në zgjedhje si parti e vetme, sigurisht që nuk mund të krijohet një qeveri pa koalicion bazuar në konfiguracionin politik që e ka Kosova dhe ligjet përkatëse. Unë mendoj që atëherë koalicionet mund të diskutohen me partitë të cilat ne konsiderojmë dhe ata konsiderojnë që kemi programe të afërta apo të ngjashme", ka thënë ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat