Arkitektët akuzojnë MAP-në për krim të organizuar

Lajme

Arkitektët akuzojnë MAP-në për krim të organizuar

Më: 7 prill 2014 Në ora: 09:29

Asociacioni i Arkitektëve të Kosovës akuzon zyrtarët e Ministrisë së Administratës Publike (MAP), respektivisht Departamentit për Regjistrim dhe Ndërlidhje të OJQ-ve (DRNOJQ), se po shkelin ligjin dhe po mbizotëron krimi i organizuar te kjo Ministri.

Me poshtë reagimi i Asociacionit të Arkitektëve të Kosovës:

"Se shkeljet ligjore, moszbatimi i ligjit dhe krimi i organizuar janë prezentë në Ministrinë e Administratës Publike respektivisht Departamentit për Regjistrim dhe Ndërlidhje të OJQ-ve (DRNOJQ), dëshmojnë veprimet e tyre në një periudhë 10 mujore. Sekretari Permanent i kësaj Ministrie ka njohurinë e plotë për veprime të kundërligjshme dhe penale kërkojmë që menjëherë të veproj në zbatim të ligjit dhe të ndërmerr veprimet ligjore ndaj shkelësve në në parandalimin e veprimeve kriminale dhe luftimin e krimit të organizuar. Sekretari permanent mund të ketë presione të ndryshme, siç edhe ka deklaruar, por ne ja rikujtojmë sekretarit Fitim Sadiku, se ai është zyrtar i lartë dhe me ligj dhe kodin penal, duhet të refuzoj çfarëdo kërkese apo presion të kundërligjshëm pavarësisht se nga kush vjen.

Asociacioni i Arkitektëve të Kosovës nuk ka rënë nën ndikimin e grupeve kriminale por i kemi denoncuar të gjitha veprimet e kundërligjshme dhe kjo po pengon shkelësit e ligjit të cilët po gjejnë metodat tjera të kundërligjshme dhe në bashkëpunim me zyrtarë të Ministrisë të Administratës publike kanë kërcënuar dhe shantazhuar anëtarësinë tonë që në mënyrë të kundërligjshme të plaçkitin organizatën tonë si dhe të pajisen kundërligjshëm me licenca.

Për veprimet e kundërligjshme, të kësaj Ministrie, të dënueshme me kodin penal ju kemi bashkangjitur edhe provat materiale ku dëshmohet një mori veprash penale por jo edhe kaq si:

Neni 222 - Cenimi i të drejtave të punësimit dhe papunësisë

Neni 223 - Cenimi i të drejtës në menaxhim

Neni 284 - Cenimi i barazisë në ushtrimin e veprimtarisë ekonomike

Neni 397 - Manipulimi me prova

Neni 398 - Falsifikimi i dokumenteve

Neni 399 - Rastet e posaçme të falsifikimit të dokumenteve

Neni 422 - Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar

Neni 431 - Ushtrimi i ndikimit

Ministria, me këto veprime të pamatura dhe të kundërligjshme ndaj nesh po stimulon korrupsionin, nepotizmin, veprimet e kundërligjshme dhe krimin e organizuar, licencimin e individëve pa meritë dhe duke prishur imazhin e Kosovës dhe shkatërrimin e shoqërisë civile.

Këto veprime të zyrtarëve dhe vet Ministrisë po tregojnë se bashkëveprojnë me krimin dhe antivlerat duke dhënë mesazhin se vendimet që merren në këtë Ministri janë procese tërësisht të kundërligjshme, politike dhe të korruptuara. Kjo ndikon në ndjelljen e frikës për jetën e qytetarit deri në asimilimin e organizatave profesionale, intelektualëve të pavarur dhe qytetarëve të ndershëm.

Pas gjithë këtyre proceseve të kundërligjshme, ne si organizatë profesionale kërkoj më nga organet e hetuesisë qe të përshpejtojnë hetimet në parandalimin e veprimeve të kundërligjshme dhe luftimin e krimit të organizuar në këtë Ministri. Ne besojmë se organet e hetuesisë do të kryejnë obligimet e veta.

Në këto kushte të jashtëzakonshme që aktualisht jemi, përgjegjësitë ndriçuese dhe statutore të Asociacionit dhe të gazetarëve, të cilat e nënvizojnë interesin publik dhe etikën profesionale, kanë rëndësi kritike në luftimin e krimit. Shpresojmë në një bashkëpunim me ju medie si dhe me gjithë palët e interesit në ndriçimin e gjithë këtij procesi dhe të marrim mësim që të mos përsëritet në të ardhmen.

Të ju rikujtojmë se z. Bajram Kosumi, Drejtor, në një rast ka kërcënuar zyrtarët tanë dhe përpos tjerash duke i shpalosur preferencat e tij politike ka kërcënuar se nuk mërzitet për ligj do të na largojë nga OJQ dhe se këtë OJQ do të ja tjetërsoj tek grupi i z. L ulzim Nixha, ish drejtorit të Urbanizmit në Komunën e Prishtinës, pasi njëherit që të dy kanë lidhje partiake, e që besojmë që partia politike e tyre nuk ka pasur ndikim por është thjeshtë veprim i kundërligjshëm i këtyre të dyve dhe grupit që përfaqëson z. Nixha.

Asociacioni i Arkitektëve të Kosovës ja ka tërhequr vërejtjen z. Kosumit, se nuk mund të bëjë këtë dhe kemi ushtruar ankesë tek Sekretari z. Fitim Sadiku për sjellje të joprofesionale dhe e kemi denoncuar edhe tek organet përkatëse, dhe presim që z. Sadiku të zbatoj ligjin dhe të ndërmarr veprimet ligjore ndaj shkelësve.

Asociacioni i Arkitektëve të Kosovës është organizatë joqeveritare dhe profesionale prandaj nuk është organizatë politike e as nuk është kundër e as mbështetëse e asnjë subjekti politik.

Asociacioni është subjekt i pavarur dhe nuk lejon asnjë ndërhyrje politike e as veprime të kundërligjshme", thuhet në reagimin e tyre.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat