Të harrohet Masakra e Llovcës është turp institucional

Lajme

Të harrohet Masakra e Llovcës është turp institucional

Më: 5 prill 2014 Në ora: 12:32

Vrasja e shtatë shqiptarëve në fshatin Llovcë mbanë datën 5 prill 1999. Në këtë masakër pati edhe dëshmitarë okular dhe njerëz që rrëfyen e dëshmuan edhe në polici e prokurori, por kurrë ato nuk u morën parasysh. Pavarësisht peshës që ka kjo masakër institucionet komunale nuk kanë paraparë asnjë aktivitet për këtë datë.

Nuhi Xhelili vëllai i dëshmorit Sami Xhelili tha për rajonipress se nuk e ka të qartë se pse nuk u hetua asnjëherë rasti i Llovcës. “Nëse serbët e kanë quajtur “vrasje masive” pse atëherë ka heshtur Prokuroria e Gjilanit. Pse askush nuk është marrë në pyetje nga këta emra të njohur e të përfolur. Për ne kjo është vrasje për së dyti” shprehet Xhelili.
Xhelili tha se është turp për institucionet e Komunës së Gjilanit që nuk e përkujtojnë këtë datë të dhimbshme jo vetëm për ne familjarët, por për tërë Anamoravën.”I kemi dhënë 7000 euro tërë fshati për të riparuar varrezat e dëshmorëve kurse Komuna asnjë cent nuk e ka dhënë, bile as që ka dalur dikush për ta parë këtë kontribut tonin” tha i revoltuar Xhelili
Dëshmitari i kësaj masakre Behxhet Mehmeti nga Llovca ka mbijetuar, por është maltretuar e torturuar nga një grup i serbëve të Pasjanit ditën kritike.

Në masakrën e fshatit Llovcë më 5 prill 1999 janë vrarë Rabit Tahir Dalipi (1951), Kokaj, Xhevrije Ramë Zeqiri (1944) , Xhemail Kadri Halimi (1969), Llovcë, Sami Abdyl Xhelili (1971), Llovcë, Avdi Selver Rexhepi (1975) , Kokaj, Rahim Bajram Ymeri ( 1954) , Llovcë, Nexhmije Riza Azemi (1949), Llovcë. Në 14 vjetorin e vrasjes askush nuk u përkujdes që të shënohet përvjetori i tyre. Nuhi Xhelili dhe Shabi Azemi thanë për rajonipress se kjo është paturpësi e institucioneve komunale.
Në këtë vrasje masive të plagosur kanë mbetur, Nazmi Hajdini dhe Marigona Azemi. Siç rrëfen Behxhet Mehmeti pasi paramilitarët i vrasin shtatë qytetarët e pafajshëm atë dhe disa të tjerë i dërgojnë dhunshëm në drejtim të fshatit Pograxhë ku gjatë rrugës paramilitarët e vrasinë edhe Nazim Hafiz Rashitin (1939).
Behxheti thotë se gjatë rrugëtimit për në Gjilan vazhdimisht e kanë kërcënuar për likuidim fizik. “Kur kemi shkuar në stacionin policor në Gjilan paramilitarët vendosën që të na dërgojnë në Pasjan ku ndodhej shtabi i forcave paramilitare serbe. Na kanë maltretuar e torturuar me orë të tëra që të tregojmë se ku ndodhet shtabi i UÇK-së” saktëson dëshmitari.

Dëshmitari tjetër Mehmedali Azemi nga fshati Llovcë ka rrëfyer për ditën kritike kur ndodhi masakra e Llovcës.”Rreth 30 serb të armatosur kanë hyrë nëpër shtëpitë tona dhe kanë shtënë në drejtime të ndryshme. Kur kemi dëgjuar krismat kemi filluar të ikim në drejtim të Pograxhës e Sllubicës. Duke rrugëtuar kam vërejtur se ishte vrarë Nexhmije Azemi dhe një fëmijë ishte plagosur. Gjithashtu duke vazhduar rrugën kemi parë trupat e vrarë të Rrahim Imerit, Sami Xhelilit dhe Xhemail Halimit. Në mesin e këtyre të vrarëve ishin edhe dy qytetarë të fshatit Inatovc, Rabit Tahiri dhe Avdi Rexhepi. Të vrarë tjerë në këtë ditë kam parë edhe trupat e Xhevrije Zeqirit dhe Driton Xhelilit nga fshati Ranatovc Komuna e Preshevës”.
Ndërkaq të plagosur sipas këtij dëshmitari kanë qenë Nazmi Hajdini dhe Albulena Azemi. Ky dëshmitar ka identifikuar grupin e paramilitarëve si Sava (shumari) nga Pasjani,dhe njëfarë Dragani po nga ky fshat si dhe Dragan Timotijeviq oficer nga Gjilani.
Sipas Azemit dy viktima kanë qenë të djegura, të tjerat të masakruara dhe të ekzekutuara. Dëshmitarë të këtij ekzekutimi dhe masakrimi sipas tij kanë qenë edhe policët Negovani nga Ranillugu dhe Dragani nga Zhegra.

Dëshmitari tjetër Shabi Azemi (1958) thotë se ditën kritike ka parë tek kanë hyrë nga drejtimi i Ranatovcit dhe Inatovcit një grup prej 50 paramilitarëve serb. “Kur kemi marrë vesh se ata kanë hyrë në Llovcë ne kemi ikur në male. Para syve të mi është vrarë gruaja e mixhës Nexhmije Azemi kurse mbesa Marigona është plagosur në dorë. Pasi janë larguar paramilitarët kemi kontrolluar se kush është vrarë. Me atë rast kemi parë se është vrarë Rabit Dalipi dhe Avdi Rexhepi nga fshati Kokaj dhe Xhemail Halimi dhe Sami Xhelili nga fshati Llovcë”.
Në vendin e quajtur “Elbishte” ka qenë i plagosur edhe Nazmi Hajdini kurse ishte kidnapuar Behxhet Mehmeti dhe Menderes Ramushi. Shabiu ka rrëfyer se më vonë me bashkëfshatarët tjerë kanë parë tek vendi i quajtur “Kisha e epërme” kufomat e djegura të Rahim Imerit nga Llovca, Xhevrije Zeqirit nga Ranatovci. “Këto vrasje me përgjegjësi të plotë deklaroj se janë kryer nga Dragani i Zhegrës dhe Negovani i Ranilugut të cilët kanë qenë polic në Gjilan”ka dëshmuar Shabiu.

Në të njëjtën ditë në fshatin Pograxhë është vrarë nga paramilitarët serb edhe Nazim Rashiti i cili është ekzekutuar në të hyrë të fshatit Pograxhë në vendin e quajtur “Skrep”. Në këtë fshat janë djegur shtëpi kurse minat janë vendosur nga rezervistët e fshatit Pasjan si Tomiq Negovan nga Ranillugu, Mlladeni dhe Dejan Arsiq nga fshati Bilinicë.
Fatmirësisht në Prokurorinë e Gjilanit menjëherë pas luftës janë gjetur materiale, dokumentacione dhe procesverbale me të dhënat për gjetjen e shumë kufomave të shqiptarëve, viktima të rëna nga veprimet e forcave ushtarake – policore serbe.
Në këtë dokumentacion është gjetur edhe procesverbali për vrasjet në Llovcë si dhe dokumentacioni dhe konstatimi për vrasjet. Gjyqtari hetues Zhivojin Jankoviq , ka nënshkruar raportin ku thuhet se në fshatin Llovcë janë hasur shtatë kufoma ku njëra prej tyre e Raim Bajram Imerit ka qenë tërësisht e karbonizuar, citon rajonipress.

Në këtë dokumentacion është nënshkruar edhe Bojzhin Ristiq inspektor në SPB e Gjilanit, tekniku i kriminalistikës Srgjan Stojanoviq dhe patologu dr. Millorad Pavlloviq. Në konstatim është thënë se zhvarrosja e kufomave është bërë për qëllim të eks-humacionit.
Identifikimi i kufomave është bërë me ndihmën e Shabi Rexhepit nga Llovca. Dy kufoma kanë qenë të karbonizuara. Të gjitha kufomat janë varrosur në vendin e quajtur “Dardha e Nezirit”. Kjo vrasje mund të kualifikohet si vrasje masive është shkruar në raport.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat