Serbët në veri kërkojnë ushtrinë e tyre

Lajme

Serbët në veri kërkojnë ushtrinë e tyre

Më: 5 prill 2014 Në ora: 07:23

Shumica e qytetarëve serbë në veri të Kosovës ndihen pjesërisht të sigurt, por nuk konsiderojnë se meritor për këtë siguri është policia e Kosovës.

Ata vlerësojnë se Policia e Kosovës në atë pjesë të vendit, si njëra nga tre faktorët e sigurisë, është duke përmbushur pjesërisht detyrat e veta në mënyrë profesionale, por kërkojnë edhe formimin e një force të sigurisë të dedikuar vetëm për veri, të ngjashme me FAK-un, shkruan kp.

Sinisha Bishevac, qytetar i nacionalitetit serb nga veriu i Mitrovicës, thotë se ndihet relativisht i sigurt me punën e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, por siç u shpreh ai, serbët do të ishin më të sigurt në rast të formimit të ushtrisë së tyre në veri.

Ai ka përkrahur idenë e Qeverisë së Serbisë dhe kryetarit të saj, që në hapësirat e veriut të Kosovës të formohet forca e sigurisë, ngjashëm me atë të paralajmëruar nga Prishtina.

“Nuk kam shumë vërejtje në pjesëtarët e Policisë së Kosovës dhe punën e tyre, sepse edhe ata janë serbë dhe janë duke u përpjekur që punën ta kryejnë në mënyrë profesionale. Mirëpo, është më se e nevojshme për serbët e këtushëm formimi i një force të re të sigurisë në veri, përbërja e së cilës do të reflektonte strukturën e popullatës në këtë pjesë, ndërkaq ekzistimi i saj do të ishte garanci e gjendjes së përgjithshme të sigurisë. Në krye të saj do të ishte një përfaqësues i popullatës serbe, i cili do të zgjidhej nga Bashkësia e Komunave Serbe”, ka thënë Bishevac.

Sipas tij, situata relativisht e qetë në veri, nuk është kontribut vetëm i punës së Policisë së Kosovës, por edhe i KFOR-it dhe EULEX-it.

Ngjashëm janë shprehur edhe disa qytetarë tjerë serbë nga veriu, të cilët nuk kanë dashur t’i bëjnë emrat publikë. Ata kanë lavdëruar deri diku punën e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, duke thënë se sikur të mos ishte KFOR-i dhe EULEX-i, PK-ja nuk do të arrinte të mbante kurrë situatën e qetë dhe nën kontroll.
“Çka të them, ndihem pjesërisht i sigurt. Ne, por edhe shqiptarët, duhet të falënderojmë KFOR-in, ngase po të mos ishin ata, gjendja do të ishte krejt ndryshe”, theksoi njëri prej këtyre qytetarëve.

Ndryshe nga serbët, banorët shqiptarë të veriut thonë se ndihen plotësisht të sigurt duke marrë parasysh rrethanat në veri, sepse Policia e Kosovës është duke kryer punën e saj në mënyrë shumë profesionale.
Emir Azemi, banor i veriut të Mitrovicës, ka përmendur punën e mirë të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës të stacionit veri, gjatë incidenteve që ndodhin nëpër lagjet veriore të banuara edhe me shqiptarë. Mbase, sipas tij, në shumtën e rasteve të tilla, pjesëtarët e policisë caktohen shqiptarët.

“Incidentet në të kaluarën janë trajtuar korrekt nga ana e policisë. Ka pasur policë serbë, por gjithmonë shumica e tyre kanë qenë shqiptarë, të cilët kanë kryer punën e tyre ashtu siç duhet. Andaj, ekziston një besim i plotë tek këta pjesëtarë nga ana e popullatës, për t’u ndjerë qytetarët të sigurt. Mirëpo, bashkëpunimi në mes të KFOR-it, EULEX-it dhe Policisë së Kosovës, është i nevojshëm edhe për një kohë të caktuar sa i përket gjendjes së përgjithshme të sigurisë”, ka thënë Azemi.

Ai shtoi se kjo nuk do të thotë që Policia e Kosovës nuk është në gjendje të marr përgjegjësitë për mbajtjen e situatës së qetë në këtë pjesë të vendit.

Në anën tjetër, zëvendës drejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Besim Hoti, ka thënë për Kosovapress se sa i përket çështjes së sigurisë në veri, vlerësimet janë se policia është ende në përmbushje të obligimeve, në mënyrë që të arrijë nivelin më të lartë dhe të duhur të sigurisë.
Sipas tij, incidentet ndëretnike tani në atë pjesë të vendit janë po thuajse inekzistente, ndërsa se sa kush ndihet i sigurt, është çështje individuale e secilit.

“Incidentet madhore ndodhin sikur çdokund, por kanë karakter politik ose kriminal, dhe jo karakter etnik”, ka thënë Hoti.

Ai shtoi se pjesëtarët e Policisë së Kosovës në veri po bëjnë përpjekje maksimale dhe të vazhdueshme për të qenë në kontakt sa më të afërt me qytetarët, në mënyrë që siguria e përgjithshme për ta të jetë në nivelin e duhur.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat