Sekretarja e MPJ-së ndalon hyrje-daljet pas orës 17:00. Kujdeset të mos rrjedhin informatat!

Lajme

Sekretarja e MPJ-së ndalon hyrje-daljet pas orës 17:00. Kujdeset të mos rrjedhin informatat!

Më: 4 prill 2014 Në ora: 21:23

Dalja në opinion e informatës se ushtruesja e detyrës së sekretares në Ministrinë e Punëve të Jashtme (MPJ), Mirjeta Behluli, Ditën e të Dashuruarve (14 shkurt) e ka kaluar në Paris së bashku me bashkëshortin e saj Vehbi Behluli, në llogari të MPJ-së, ka bërë që ajo të marrë iniciativë për të siguruar që asnjë informatë për keqpërdorime në Ministrinë e Punëve të Jashtme mos të dalë jashtë mureve të kësaj Ministrie.

Gazeta Blic ka siguruar një vendim që e ka marrë ajo para tre ditëve, me të cilin ua ndalon të gjithë të punësuarve në MPJ hyrjen në vendin e punës pas orës 17:00, kur përfundon zyrtarisht orari i punës në institucionet shtetërore. Ndërkaq, nga ky “dënim” i ka kursyer personat e afërt me ministrin e Jashtëm, Enver Hoxhaj, gjegjësisht bashkëpunëtorët e tij, stafin politik, ndërsa është treguar e “mëshirshme” edhe për dy zyrtarë të lartë të MPJ-së, pa e harruar edhe vetën.

Kjo shkresë zyrtare iu ka dërguar zyrtarit policor, Fitim Selimi, i cili është drejtor i Departamentit përkatës për sigurimin e objekteve qeveritare e shtetërore, në kuadër të Policisë së Kosovës, si dhe zyrtarit për Siguri në MPJ, Ilir Gashi.

Zyrtarët në MPJ konsiderojnë se vendimi i Behlulit është i rregullt dhe në përputhje me ligjet në fuqi, ndonëse vendimi si i tillë askund s’i referohet ndonjë ligji të caktuar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat