Jevtic: Vendet e rezervuara, segment i rëndësishëm i mirëbesimit

Lajme

Jevtic: Vendet e rezervuara, segment i rëndësishëm i mirëbesimit

Më: 4 prill 2014 Në ora: 17:42

Ministria për Komunitete dhe Kthim (MKK) dhe Zyra për Çështje të Komuniteteve në Zyrën e Kryeministrit (ZÇK), sot organizuan një konferencë donatorësh në ndërtesën e UNDP-së në Prishtinë, ku u paraqit dokumenti zyrtar i cili përcakton bashkëpunimin e ardhshëm në mes të dy institucioneve.
Me praninë e Ambasadorit të Britanisë së Madhe dhe Ambasadorit të Norvegjisë, të cilët kanë mbështetur këtë dokument, në konferencë morën pjesë shumë përfaqësues të Ambasadave dhe të organizatave ndërkombëtare në Kosovë që punojnë drejtpërdrejt ose indirekt me Ministrinë për Komunitete dhe Kthim dhe Zyrën për Çështje të Komuniteteve.

Ministri Dalibor Jevtic në fjalën e tij theksoi rëndësinë e mbështetjes së këtij dokumenti të bashkëpunimit dhe tha se ky është fillimi i përmirësimit të bashkëpunimit midis dy institucioneve, edhe pse në të kaluarën, këto dy institucione kanë pasur bashkëpunim shumë të mirë dhe pasi që kanë zbatuar bashkarisht projekte të shumta të infrastrukturës. Ministri tha se në dokument përmenden edhe vendet e rezervuara si një segment shumë i rëndësishëm i vazhdimit të ndërtimit të besimit në mes të pjesëtarëve të komunitetit shumicë dhe të komunitetit pakicë në kuptimin e vazhdimit të integrimit të komuniteteve në shoqërinë kosovare.

Gjithashtu edhe çështja e njohjes së diplomave është e një rëndësije të lartë për arsye të shmangjes së diskriminimit në punësim. Ministri preku çështjen e të drejtave pronësore-ligjore çështje e cila është me rëndësi jetike për ndërtimin e besimit në mes të institucioneve dhe të gjithë qytetarëve të Kosovës. Ministri Jevtic theksoi se dokumenti përmban propozime të cilat janë prioritetet e komuniteteve në të gjitha rajonet, me theks të veçantë në implementimin e disa projekteve tashmë të filluara. Ndërsa për implementimin e projekteve të tjera të përshkruara në dokumentin e përbashkët, Ministrisë për Komunitete dhe Kthim dhe Zyrës për Çështje të Komuniteteve i nevojiten fonde shtesë si mbështetje financiare e donatorëve.

Ministri në fund kërkoi nga të pranishmit që t’i mbështesin projektet e parashikuara në këtë dokument të përbashkët, sepse kjo është në interes të të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë. Drejtori i Zyrës për Çështje të Komuniteteve, Srdjan Popovic, theksoi rëndësinë e këtij dokumenti i cili përcakton në mënyrë të qartë projektet me implementimin e të cilëve do të mbështetet drejtpërdrejt stabilizimi i komuniteteve si dhe procesi i kthimit në Kosovë. Ai theksoi se ky dokument shmang dyfishimin e projekteve.

Ambasadori britanez z. Ian Cliff ka mbështetur këtë dokument dhe nismën duke theksuar se Ambasada e Britanisë së Madhe do të vazhdojë të mbështesë iniciativat e Ministrisë për Komunitete dhe Kthim dhe Zyrës për Çështje të Komuniteteve në përpjekjet e tyre për të zbatuar projekte me rëndësi për të gjitha komunitetet.

Ambasadori i Norvegjisë, z. Jan Braathu, tha se ky është një shembull i mirë i bashkëpunimit në mes të institucioneve të Kosovës për interes të përbashkët të të gjithëve, dhe gjithashtu dha mbështetjen e tij për dokumentin e përbashkët.
Ndërkaq, shefi i UNDP-së në Kosovë, z. Andrew Russell tha se UNDP-ja do të mbështesë zbatimin e projekteve dhe sugjeroi organizimin e një konferencë të ngjashme pas disa muajsh ku së bashku do të shohim përparim e zbatimit të projekteve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat