Për lidhjen e gjeneruesve nga era në Sistemin Elektroenergjetik të Kosovës – masa paraprake

Lajme

Për lidhjen e gjeneruesve nga era në Sistemin Elektroenergjetik të Kosovës – masa paraprake

Më: 4 prill 2014 Në ora: 16:47

Është prezantuar sot Studimi mbi mundësitë teknike dhe ekonomike të integrimit të burimeve të energjisë nga era në sistemin transmetues të Republikës së Kosovës.

Tryezën me këtë temë e organizoi Operatori i sistemit, transmisionit dhe tregut të energjisë elektrike të Kosovës-KOSTT.

Objektivë e Studimit ishte analizimi i gjendjes ekzistuese, kërkesat teknike si dhe kostoja e integrimit të burimeve të energjisë nga era (BE) në Sistemin Transmetues të Kosovës.

Në fjalën e tij të rastit, kryeshefi ekzekutiv i KOSTT, z.Naim Bejtullahu, theksoi Studimi paraqet një dokument të rëndësisë së madhe që njëherit do të shërbejë si një udhërrëfyes për hapat që duhet t’i ndërmarrim për të krijuar kushtet për integrimin e burimeve të energjisë nga era në Sistemin Elektroenergjetik të Kosovës.

Sipas skenarit optimistik të Studimit, deri në vitin 2020 është vlerësuar që kapaciteti i burimeve të energjisë nga era do të jetë 246 MW dhe të gjitha projektet e mëdha të planifikuara të BEE do të lidhen në nivelin 110 kV të rrjetit transmetues.

Në bazë të analizave të strukturës aktuale të Sistemit Transmetues që janë zhvilluar nga ekspertët nën koordinimin e kompanisë ECA nga Britania e Madhe, është konkluduar se është e nevojshme që të ndërmerren disa masa paraprake për të mundësuar lidhjen e gjeneruesve nga era në Sistemin Elektroenergjetik të Kosovës.

Për të integruar projektet e planifikuara të burimeve të energjisë nga era është esenciale që të ndërtohet infrastrukturë e re dhe të përforcohet sistemi i transmisionit në drejtim të vendeve potenciale të ndërtimit të burimeve gjeneruese nga era.

Sipas studimit, në bazë të kushteve ekzistuese të Sistemit Elektroenergjetik aktualisht integrimi i gjeneruesve nga era do të shkaktonte devijime të theksuara të ngarkesës në sistem, e cila edhe aktualisht është evidente dhe gjithashtu do të ndikonte në ngritjen e nivelit të jobalancimit të sistemit. Kjo do të shkaktojë kërkesë shtesë për rezerva balancuese në sistem. Aktualisht në Kosovë ka deficiti të gjenerimit të brendshëm që do të ofronte rezervën sekondare dhe terciare. Këto devijime,

Duke i konsideruar këto konkludime, Studimi në fjalë sugjeron që të bëhet zgjidhje imediate në këtë drejtim para integrimit të gjeneruesve nga era në Sistemin Elektroenergjetik të Kosovës.

Duke folur për rëndësinë e Studimit, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Fadil Ismajli theksoi se Kosova ka marrë obligime nga pakoja e tretë për energji e Bashkimit Evropian dhe në mbështetje të kësaj, ky studim është një hapje e dyerve që t’i përmbushim obligimet që janë marrë si për energji të ripërtërishme ashtu edhe për efiqenecë.

Studimi është financuar nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) dhe është realizuar nga Instituti kroat për Energji ‘Hrvoje Pozar’ dhe kompania konsulente ECA nga Britania e Madhe.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat