(E plotësuar) -- Misioni i OSBE-së në Kosovë ka hapur dhjetë qendra për grumbullimin e votave, për zgjedhjet parlamentare të Serbisë. Këto qendra, me 15 degë, janë hapur në vendbanimet e banuar me serbe, në jug të lumit Ibër, si dhe në komunat veriore.
“Deri në orën 18:00, në Kosovë kanë votuar 28, 416 votues të regjistruar, prej të cilëve 11, 552 janë votues në veri të vendit. Të gjitha qendrat dhe degët e tyre kanë nisur punën në orën 7:00”, ka deklaruar për Radion Evropa e Lirë zëdhënësi i misionit të OSBE-së, Nikola Gaon.
Mediat në paraditen e sotme kanë raportuar se para qendrës në veri të Mitrovicës, përkatësisht para shkollës teknike “Mihajllo Petroviq – Allas”, është ngritur flamuri i Serbisë, por Gaon ka thënë se “në hyrje të qendrës nuk ka flamur”.
OSBE-ja, me përcjellje të policisë, ka sjell materialin zgjedhor nga Serbia në Kosovë dhe me përfundimin e votimeve, do ta kthejë atë në Vranjë dhe Rashkë për numërim.
Në këtë proces janë të angazhuar rreth 400 pjesëtarë të misionit të OSBE-së.
Qytetarët, të cilët kanë dalë për të votuar, shprehen se nuk presin ndryshime të mëdha për ta:
“Motivi i votimit është shpresa që shteti serb nuk i harron serbët e Kosovës, për këtë arsye dhashë votën dhe ky është obligim qytetar. Listat janë katastrofë, nuk e kisha emrin në listë për votim, kemi thirrur në Beograd për të pyetur për emrat. Është pakënaqësi e madhe, sepse njerëzit nuk kanë gjetur emrat në lista. I porosit të gjithë të shikojnë më shumë Kosovën, njerëzit këtu. 15 vjet kemi pasur presion, por kemi mbetur dhe duhet të na japin mbështetjen morale, të na dëgjojnë se çka mendojmë dhe çka na duhet dhe të na japin mbështetjen financiare”.
Një qytetar tjetër që kishte dalë për të votuar, thotë se shpreson që veriu i Kosovës të mbetet pjesë që administrohet nga Serbia:
“Gjithë kam votuar për zgjedhjet e Serbisë, pra për këtë kam dalë edhe sot. Shpresojmë që do të mbesim në Serbi. Shpresojmë të ndryshojnë gjërat për të mirë, por dyshoj”.
Ngjashëm shprehet edhe një banore tjetër e veriut të Mitrovicës. Ajo tha se në atë vend ku jeton, ka mungesë sigurie:
“Kam votuar, sepse janë zgjedhje të Serbisë. Më herët s’kam dalë, sepse jam kundër marrëveshjes së Brukselit. Nuk pres asgjë. Na mungon siguria dhe të jem në Serbi, por s’ka nga ajo asgjë”.
Kurse, zëvendëskomandanti rajonal i policisë për veriun e Kosovës, Besim Hoti, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se gjendja e sigurisë është e qetë dhe nuk ka incidente.
“Sa i takon aspektit të sigurisë, mund të themi se situata është tërësisht e qetë. Është një ditë e rëndomtë pune. Ne kemi vizituar të gjitha qendrat e grumbullimit të votimit, përveç shenjave ose simboleve të OSBE-së, aty nuk gjendet asnjë simbol tjetër”, ka deklaruar Hoti.
Qeveria e Kosovës, më herët, kishte sjell vendim që të gjithë qytetarët me dy nënshtetësi mund të votojnë në zgjedhjet parlamentare të Serbisë dhe që këtë proces ta mbështesë OSBE-ja përmes “qendrave për grumbullimin e votave”.
Të shtunën, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se Serbia nuk ka mundur të organizojë zgjedhje në Kosovë, porse serbët e Kosovës kanë të drejtë të votojnë.
“Me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, qytetarët e Kosovës kanë të drejtë në dynënshtetësi dhe kjo e drejtë duhet të respektohet, pa kurrfarë dallimesh”, deklaroi Thaçi.
Ai, po ashtu, u bëri thirrje qytetarëve të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit që të marrin pjesë në procesin zgjedhor dhe të zgjedhin njerëzit që duan t’i përfaqësojnë.
Nga ana tjetër, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, i ka cilësuar si mashtrime deklarimet e zyrtarëve qeveritarë se Serbia nuk mund të organizojë zgjedhjet e saj në Kosovë, porse qytetarëve serbë u mundësohet votimi nëpërmjet pikave grumbulluese që i organizon OSBE-ja.
Përmes një postimi në Facebook, Krasniqi ka thënë se qytetarëve duhet t'iu thuhet e vërteta.
“Po thuhet: Serbia s'po organizon zgjedhje, po grumbullon vota. A mund të grumbullohen votat pa zgjedhje? Çka t'i themi këtij mashtrimi të radhës? Veçse, mos ia fyni inteligjencën këtij populli se nuk është duke ngrënë barishte të hidhura. Vendime të hidhura po se po!!! Popullit t'i thuhet e vërteta dhe vetëm e vërteta! Gënjeshtrat nuk pinë më ujë”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.
Ndërsa, opozita në Prishtinë konsideron se mbajtja e këtyre zgjedhjeve në Kosovë, paraqet shkelje të sovranitetit të shtetit.