Dosja e grupit të dyshuar kriminal nga Prishtina, përshkruan planin e vrasjes së mikut për 10 mijë euro

Lajme

Dosja e grupit të dyshuar kriminal nga Prishtina, përshkruan planin e vrasjes së mikut për 10 mijë euro

Më: 25 janar 2023 Në ora: 14:20
Kriminelet

Katër persona janë arrestuar mbi dyshimet për përfshirjen në një grup kriminal që në këmbim të parave kryente vepra të ndryshme penale.

Një e tillë sipas Prokurorisë së Prishtinës ishte planifikuar të ndodhte që nga shtatori i vitit 2022.

Dosja të cilën e ka siguruar KALLXO përshkruan se i dyshuari Driton Sylejmani së bashku me të dyshuarin Xhevdet Mehanja kishin marrë 10 mijë euro nga i dyshuari Hysni Hoxha që ta privonin nga jeta  V.D i cili ishte miku (vëllai i gruas së djalit) i këtij të fundit.

Përpos këtij rasti Driton Sylemani dyshohet të ketë marrë para edhe në kryerjen e veprave të tjera penale. Sipas dosjes së prokurorisë, Sylemani kishte marrë para nga disa persona të panjohur për t’i vënë zjarr biznesit Sirius Wine Sh.P.K.  Në këmbim të këtij shërbimi ai dyshohet t’i ketë marrë 4 mijë euro.

Një tjetër rast për të cilën dyshohet është edhe plagosja e F.V, në tetor të vitit 2022 në Sllatinë të Fushë Kosovës.

Me urdhër të prokurorit janë bastisur shtëpitë e të dyshuarve ku edhe janë gjetur armë të ndryshme duke përfshirë revole, pushkë ajrore, dylbi, thika, fishekë, dhe pjesë të armës Karabinë.

Ndaj katër të arrestuarve Driton Sylejmani, Xhevdet Mehanja, Hysni Hoxha dhe Tefik Shalaku është kërkuar masa e paraburgimit pasi mbi ta rëndojnë dyshimet se kanë kryer vepra të ndryshme penale si vrasje në tentativë, detyrim, lëndim i rëndë trupor, zjarrvënie dhe armëmbajtje.

Ata u arrestuan në një operacion të gjerë policor në të cilin mori pjesë edhe njësiti më special i Policisë së Kosovës “NJSI” pasi katër të arrestuarit vlerësoheshin me rrezikshmëri të lartë.

Në njoftimi policor përshkruhet se gjatë kontrollit dhe bastisjeve të kryera në prona dhe shtëpi banimi, në cilësi të provave materiale janë sekuestruar disa armë e një shumë e konsiderueshme e parave.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat