Mazuti i “Termokosit” mjafton vetëm për 20 ditë ngrohje

Lajme

Mazuti i “Termokosit” mjafton vetëm për 20 ditë ngrohje

Më: 14 tetor 2012 Në ora: 21:32

Gjendja me ngrohje qendrore gjatë dimrit do të varet kryekëput nga vullneti i Qeverisë dhe i Komunës së Prishtinës, nëse do ta mbështesin apo jo financiarisht Ngrohtoren e qytetit.

“Termokosi” nuk ka mundur të sigurojë sasi të mjaftueshme mazuti dhe tash shpresat i ka te subvencionet.

Nisur nga kjo, mund të thuhet se do të jetë fat i mirë nëse temperaturat do të vazhdojnë të jenë në favor të qytetarëve, bile edhe për disa ditë.

Kompania që kujdeset për të siguruar ngrohje për qytetarët po hyn në sezon me hamendje se si do t’i mbulojë kërkesat.

Tash për tash, në “Termokos” ka mazut për të ngrohur Prishtinën vetëm për 20 ditë, kurse për pjesën tjetër të dimrit ngrohja do të varet nga subvencionet e qeverisë.

Në anën tjetër, qytetarët ankohen se çmimet e drunjve dhe qymyrit, si mjete për ngrohje gjatë dimrit, janë të papërballueshme.

Për një metër dru sivjet qytetarët do të paguajnë nga 45 deri në 50 euro, ndërkaq për një kamion qymyr me 15 kubikë duhet paguar 300 euro.

Kështu sillen çmimet në treg, edhe pse shitësit nuk kanë pranuar në asnjë mënyrë të flasin.

Ndërkaq burimi kryesor me të cilën shërbehen qytetarët për t’u ngrohur mbetet druri, ku sipas Entit të Statistikave del se 85.2 % e qytetarëve gjatë dimrit shërbehen me dru për ngrohje.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat