Shtatë tenderë të Komunës së Kaçanikut nën hetime

Lajme

Shtatë tenderë të Komunës së Kaçanikut nën hetime

Më: 9 tetor 2012 Në ora: 21:23

Agjencia Kundër Korrupsionit i ka kërkuar për hetim lëndët e dy tenderëve të Komunës të Kaçanikut për shkak të dyshimit se gjatë procedurave tenderuese dhe realizimit të projekteve është dëmtuar buxheti komunal nga persona të caktuar për qëllime përfitimi. Kështu i kanë burime brenda administratës komunale, të hënën, pasi kanë rikujtuar se më herët lëndët e 5 tenderëve të tjerë janë marrë për hetim nga Njësiti Kundër Krimit Ekonomik i Policisë së Kosovës. Pohimet e burimeve i kanë konfirmuar zyrtarë përgjegjës komunalë. "Është e vërtetë se AKK-ja i ka kërkuar për hetim lëndët e 2 tenderëve”, ka thënë Zeqir Selmani, menaxher i Zyrës së prokurimit. Në këtë kontekst ai ka sqaruar se për hetim janë kërkuar lëndët e tenderëve: “Asfaltimi dhe rregullimi i rrugëve lokale” dhe “Shërbimet e zërimit”. Sipas Selmanit, projektet që janë kërkuar për hetim janë në realizim e sipër. “Operatori ekonomik ‘Eurotrans’, me seli në Kaçanik, është kontraktuar për asfaltimin dhe rregullimin e rrugëve lokale për periudhë 1-vjeçare me vlerë deri në 50 mijë euro”, ka thënë Selmani. Sipas tij, për projektin e zërimit është firmosur kontratë me vlerë të kuotuar deri në 10 mijë euro. Në gusht, Njësiti Kundër Krimit Ekonomik i Policisë të Kosovës i ka nisur hetimet për 5 tenderë të Komunës të Kaçanikut për shkak të dyshimit se persona të caktuar mund të kenë kryer veprime joligjore për qëllime përfitimi. Selmani ka rikujtuar se policia i ka marrë për hetim lëndët e tenderëve: "Asfaltimi i rrugës së Gajres", "Rregullimi i gjelbërimit në rrugën 'Ismail Raka'" (palmat), "Blerja e laptopëve për këshilltarët komunalë", "Ndërtimi i trotuarit në Kaçanik të Vjetër" dhe "Furnizimi i Komunës me material shpenzues". Rruga e Gajres është asfaltuar vjet, ndërsa projekti ka kushtuar 134.370 euro; rregullimi i gjelbërimit në rrugën "I.Raka", bashkë me mbëltimin e palmave, ka kushtuar 66.573 euro; për blerjen e laptopëve janë shpenzuar 9.585 euro; kontrata për trotuarin në Kaçanik të Vjetër është nënshkruar në shumë prej 65.000 eurosh, ndërsa kontrata e firmosur 1-vjeçare për furnizimin e Komunës me material shpenzues pritet të ketë kosto prej 15.000 - 20.000 eurosh. Ndërkaq, kryetari i Kaçanikut, Besim Ilazi, atëbotë i pati thënë gazetës se organet përgjigjëse i kanë dyert e hapura për hetimin e çdo aktiviteti në Komunën e Kaçanikut të dyshuar si joligjor. "Unë jam i vendosur për ta instaluar sundimin e ligjit këtu. Në rastin konkret uroj që hetimet të përfundojnë me konstatimin se nuk ka pasur shkelje ligji dhe as abuzim me mjetet e buxhetit komunal, ndërsa nëse del e kundërta i mbetet drejtësisë të merret me fajtorët", pati thënë Ilazi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat