Zgjidhet çështja e transportit në pjesën veriore të Mitrovicës

Lajme

Zgjidhet çështja e transportit në pjesën veriore të Mitrovicës

Më: 11 shtator 2012 Në ora: 16:47

Mospagesa e borxheve nga ana e Komunës dhe Ministrisë së Infrastrukturës ndaj kompanisë “Kosmet Prevoz” nga veriu, e cila bartë shqiptarët e lagjes veriore “Kodra e minatorëve” në jug dhe anasjelltas, ka lënë këta banorë, për disa ditë, pa transport.

Si rrjedhojë e kësaj, disa prej banorëve kanë qarkulluar këmbë në jug, duke shfrytëzuar rrugë alternative larg qendrës së qytetit në veri.

“Vërtetë nuk e dimë arsyen. Mbase po flitet për borxh, por qarkullimi i autobusit që transporton banorët e kësaj lagje në jug dhe anasjelltas është ndërprerë nga dita e premte”, ka thënë Driton Gërguri, i cili kishte ardhur këmbë disa ditë nga ‘Kodra’ në jug të qytetit.

Zëdhënësi i komunës së Mitrovicës, Ahmet Jashari, ka sqaruar përmes telefonit se ndërprerja e transportit është bërë për shkak të borxheve ndaj kompanisë, të cilat deri tani i ka paguar komuna e Mitrovicës dhe Ministria e Infrastrukturës.

“Me hapjen e Zyrës Administrative në veri, kjo punë tani duhet të jetë obligim i tyre dhe jo i Komunës në jug”, ka thënë Jashari, duke shtuar se Zyra në veri është duke kryer procedurat për këtë.

Në anën tjetër, zëdhënësja e Zyrës Administrative në veri, Suada Korenica, ka bërë të ditur se janë marrë seriozisht me këtë çështje dhe pas takimit të sotëm me pronarin e kompanisë ‘Kosmet Prevoz’ çështja është zgjidhur.

Sipas saj, Zyra në veri nuk ka pasur obligim deri tani pagesën dhe nuk i ka borxh askujt, por si duket problemi vjen nga e kaluara.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat