Pjesëmarrja e grave në siguri, ende e lidhur me paragjykimet gjinore

Lajme

Pjesëmarrja e grave në siguri, ende e lidhur me paragjykimet gjinore

Më: 9 dhjetor 2021 Në ora: 13:18
Foto ilustrim

Numri i grave brenda sektorit të sigurisë mbetet ende shumë i ultë. Në Policinë e Kosovës janë 50 për qind gra, ndërsa në Ministrinë e Mbrojtjes 26.83 për qind. Numri më i ultë i grave është në Shërbimin Korrektues të Kosovës, ku vetëm 13 për qind janë të punësuara në stafin korrektues. Pavarësisht iniciativave globale dhe rajonale, sektori i sigurisë vazhdon të konsiderohet “territor” i burrave.

Kështu u tha në konferencën me temën “Gratë në sektorin e sigurisë: ndërmjet sfidave dhe mundësive”, organizuar sot nga Rrjeti Mesdhetar i Grave Ndërmjetësuese-Antena në Kosovë së bashku me organizatën “She Solutions”.

Drejtoresha e kësaj organizate, Antigonë Baxhaku theksoi se integrimi i grave në Policinë e Kosovës dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës mbetet i ultë.

Baxhaku: Pjesëmarrja e grave në siguri, ende e lidhur me paragjykimet gjinore

"Pjesëmarrja e grave në sektorin e sigurisë është ende e lidhur me paragjykimet gjinore. Të dhënat tregojnë se integrimi i grave në Policinë e Kosovës mbetet i ultë. Dhe pjesëmarrja e tyre në pozitat më të larta vendimmarrëse është ende larg objektivave të synuara. Gjendje e njëjtë është edhe në Forcën e Sigurisë së Kosovës, andaj mbetet thelbësore nevoja për të trajtuar çështjet se ku qëndrojnë gratë sot në sektorin e sigurisë. Dhe çfarë duhet bërë për të vënë në zbatim nismat vendore dhe praktikat më të mira ndërkombëtare për të siguruar një nivel më të lartë të përfaqësimit të tyre”, theksoi ajo.

Organizata që ajo drejton, Baxhaku shtoi se synon fuqizimin e vajzave dhe grave në vendimmarrje dhe arritjen e barazisë gjinore.

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci, tha se gratë janë arkitekte të historisë dhe jetësuese të vlerave demokratike në Kosovë.

Bogujevci: Në Shërbimin Korrektues, gratë përbëjnë vetëm 13% të stafit

"Në Policinë e Kosovës janë vetëm 50.09 për qind gra, në Ministrinë e Mbrojtjes janë 26.83 për qind gra dhe vajza. Këto janë në bazë të raporteve të 2020. Në Forcën e Sigurisë së Kosovës është 10.91 për qind në bazë të njësisë për të drejtat e njeriut dhe barazi gjinore. Në FSK 4.21 për qind përfaqësohen gra dhe vajza në kuadër të numrit të përgjithshëm të komponentit rezervë të FSK-së. Në Shërbimin Korrektues të Kosovës, gratë përbëjnë vetëm 13 për qind të stafit korrektues dhe numri i grave në pozita vendimmarrëse është i ultë”, ka deklaruar Bogujevci.

Kjo konferencë mbështetet nga Rrjeti Mesdhetar i Grave Ndërmjetësuese i financuar dhe promovuar nga Ministria e Jashtme Italiane dhe Bashkëpunimi Ndërkombëtar i Italisë.

Ambasadori i Italisë në Prishtinë Antonella De Riu tha se vendi i tij ka vendosur të krijojë një rrjet ndërmjetësues mesdhetar të grave, si një nga nismat kryesore gjatë mandatit të saj në Këshillin e Sigurimit, duke bashkuar rolin e saj për zgjidhjen paqësore të konflikteve dhe promovimin e politikave të barazisë gjinore.

De Riu: Sektori i sigurisë konsiderohet ende si një “territor” i meshkujve

“Promovimi i përfshirjes së grave në parandalimin dhe ndërmjetësimin e konflikteve, si dhe në adresimin e nevojave të tyre specifike, në përpjekjet për krijimin e paqes kanë qenë një prioritet i lartë për Kombet e Bashkuara dhe shtetet e saj anëtare që nga miratimi i rezolutës 1325 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për paqen dhe sigurinë e grave, në vitin 2000. Pavarësisht nga shumë angazhime dhe iniciativa globale dhe rajonale, sektori i sigurisë konsiderohet ende si një territor i meshkujve, kështu që numri i grave dhe ekspertëve gjinorë të përfshirë në proceset dhe marrëveshjet paqeruajtëse, duke përfshirë dispozitat përkatëse gjinore ose mbrojtjen e të drejtave themelore të grave, mbeten të ulëta, dhe kontributet e grave zakonisht nuk merren parasysh”, ka thënë ai.

Edhe përfaqësuesja për Kosovën në Rrjetin Mesdhetar të Grave Ndërmjetësuese, Jeta Krasniqi ka theksuar se gratë duhet të jenë më pjesëmarrëse në sektorin e sigurisë.

Kujtojmë, në maj të vitit të kaluar është miratuar nga Qeveria e Kosovës, Programi i Kosovës për Barazi Gjinore (2020-2024).

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat