Melihate Tërmkolli flet për dorëheqjen e Rrahman Ramës, thotë se Kurti e Osmani u hakmorën për humbjen e Bekim Jasharit

Lajme

Melihate Tërmkolli flet për dorëheqjen e Rrahman Ramës, thotë se Kurti e Osmani u hakmorën për humbjen e Bekim Jasharit

Nga: M.L. Më: 30 nëntor 2021 Në ora: 15:33
Melihate Tërmkolli

Ish deputetja e Kuvendit të Kosovës, Melihate Tërmkolli konsideron se Rrahman Rama u detyrua të jap dorëheqje nga posti i komandantit të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Tërmkolli në një postim në Facebook pyet se a tregon kjo, shenjë hakmarrjeje për humbjen e Bekim Jasharit në zgjedhjet komunale si kandidat joformal i tyre, i VV-së dhe listës imagjinare “Guxo”?

Po ashtu ajo ka përmendur edhe raportimet e sotme për Ministrin e Mbrojtjes, Armend Mehaj, duke thënë se ai do të duhej të shkarkohej për rrezikim të sigurisë nacionale.

Postimi i plotë:

Shenjat e “hakmarrjes” shtetërore! 

Pyetje që duan përgjigje! 

“Detyrimi” i dhënies së dorëheqjes së Rrahman Ramës nga pozita e Komandantit të FSK-së dhe emërimi i Bashkim Jasharit në këtë pozitë, a janë shenja për një hakmarrje të dyfishtë të Presidentes dhe Kryeministrit të Kosovës ndaj qytetarëve dhe të gjithë “të tjerëve”?!

Së pari, kjo a tregon shenjë hakmarrjeje për humbjen e Bekim Jasharit në zgjedhjet komunale si kandidat joformal i tyre, i VV-së dhe listës imagjinare “Guxo”, më saktë si hakmarrje ndaj qytetarëve që guxuan të votojnë dikë tjetër e jo të preferuarin e tyre?!.

Së dyti, nëse janë të vërteta ato që u thanë në disa medie për automjetet e FSK-së, a është shenjë hakmarrjeje ndaj Komandantit të FSK-së i cili vendosë e vepron në bazë të ligjit dhe marrëveshjes me SHBA-të duke refuzuar veprimet parapolitike të Ministrit të Mbrojtjes?!

Nëse ka kërkuar Ministri i Mbrojtjes ato që janë thënë në medie, duhej të shkarkohej Ministri i Mbrojtjes për rrezikim të sigurisë nacionale. Nëse kjo ka qenë kërkesë apo miratim edhe i Kryeministrit apo Presidentes, ky vend është në rrezik të madh të kalimit të veprimeve të drejtuesve më të lartë të shtetit nga politika institucionale shtetërore në parapolitikë.

Presidentja dhe Kryeministri duhet të deklarohen për arsyet e “ngarkim-shkarkimit” në FSK dhe të japin shpjegime për këto ndryshime emergjente në kreun e saj për të evituar dyshimet në funksionimin e institucioneve shtetërore me ndjeshmëri të lartë, siç është FSK-ja.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat