Takimi në kafenenë e Izet Boletinit në veri/ Armend Agolli jep detaje rreth ftesës që ua bëri Bahtirit e Hamzës

Lajme

Takimi në kafenenë e Izet Boletinit në veri/ Armend Agolli jep detaje rreth ftesës që ua bëri Bahtirit e Hamzës

Nga: M.L. Më: 21 shtator 2021 Në ora: 15:46
Armend Agolli

Kandidati i LDK-së për kryetar të Mitrovicës, Armend Agolli, ka ftuar dy kundërkandidatët e tij, Agim Bahtirin e Bedri Hamzën për një kafe në pjesën veriore të Mitrovicës, pas vendosjes së masës së reciprocitetit me targat.

“Përshëndetje z.Hamza dhe z. Bahtiri, ju bëj ftesë publike për kafe, që do ta pimë bashkë nesër në orën 9:00, në veri të Mitrovicës, tek kafeneja e Izet Boletinit. Pjesë e takimit do të jetë edhe Iniciativa Qytetare, pjesë e së cilës janë përfaqësuesit të gjitha komuniteteve që jetojnë në Mitrovicë. Shpresoj në ardhjen tuaj dhe ju mirëpres në takim”, ka shkruar Agolli në Facebook.

E një ftesë të gjashme pas Agollit e ka bërë edhe kryetari aktual i Mitrovicës dhe kandidati tjetër, Agim Bahtiri.

Për shkak të rrethanave të krijuara në veri pas aksionit të policisë, për nesër në ora 9:00 kam të ftuar takim me Këshillin Komunal për Siguri në Bashkësi. Unë sapo bisedova me bartësin e Iniciativës Qytetare Mitrovica, Skender Sadiku dhe pas dakordimit me të, i ftoj z. Agolli dhe z. Hamza që kafen e mëngjesit në veri të Mitrovicës ta pimë nesër së bashku në ora 10:00 Me respekt, Agim Bahtiri”, shkroi Bahtiri.

E në një përgjigje për gazetën “Bota sot”, Armend Agolli kandidat i LDK-së për kryetar të komunës së Mitrovicës, ka thënë se ftesa e tij ka të bëj me një përkrahje simbolike që ata tre do t’ia bëjmë përpjekjeve për qetësimin e situatës në atë pjesë të vendit me mjete paqësore.

Sikurse jeni të njoftuar besoj, unë për nesër në mëngjes iu kam bërë ftesë publike dy kundër-kandidatëve të mi në zgjedhjet për kryetar të Mitrovicës, z. Hamza dhe z. Bahtiri që të pimë nga një kafe në pjesën veriore të Mitrovicës, në kafenenë e Izet Boletinit. Përkundër faktit se jemi në fushatë zgjedhore për kryetar të Mitrovicës, ftesa ime në fakt shumë më tepër ka të bëjë me një përkrahje simbolike që ne të tre do t’ia bëjmë përpjekjeve për qetësimin e situatës në atë pjesë të vendit me mjete paqësore, se sa që ndërlidhet me zgjedhje. Kjo edhe për arsye se, mos të harrojmë se ne të tre më së pari jemi banor të Mitrovicës, e tek pastaj edhe politikanë apo kandidat për kryetar të saj, nga tri parti të ndryshme politike. Dua të them se paqja dhe mirëqenia e të gjithë qytetarëve të Mitrovicës për mua – e besoj fuqishëm edhe për z. Hamza dhe z. Bahtiri - gjithnjë radhiten të parat krahasuar me çfarëdo prioritetesh tjera politike që mund t’i kemi”, tha Agolli për gazetën “Bota sot”.

Ai u shpreh se po të shikohet nga aspekti i zgjedhjeve,kjo edhe është arsyeja pse ata po konkurrojnë për të parin e këtij qyteti – pra, që ë gjithë qytetarëve t’iu sigurojnë mirëqenie, qetësi, zhvillim dhe perspektivë.

Njëkohësisht, dua ta nënvizoj edhe atë se, meqenëse në këtë takim joformal është e ftuar edhe Iniciativa Qytetare, e cila përbëhet nga përfaqësuesit e të gjitha komuniteteve që jetojnë ne veri të Mitrovicës dhe të vendit përgjithësisht, kjo në mënyrë indirekte nënkupton se ne, si kandidatë për kryetar të Mitrovicës, kemi qenë, jemi dhe do të mbesim për bashkëjetesë e jo për ndarje, tensione apo konflikte - mbi çfarëdo bazash qofshin ato”, potencoi ai.

Megjithatë, ende nuk dihet nëse takimi i përmendur nga dy kandidatët në pjesën veriore të Mitrovicës, do të mbahet në orën 09:00 apo në orën 10:00.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat