Berisha paratë e Pandemisë i shpenzoi për projekte

Lajme

Berisha paratë e Pandemisë i shpenzoi për projekte

Më: 22 korrik 2021 Në ora: 14:31
Burim Berisha

Mjetet e dedikuara për menaxhimin e situatës së krijuar nga pandemia Covid-19, komuna  e Fushë Kosovës e cila drejtohet nga Burim Berisha kishte realizuar pagesa që nuk ndërlidhen me situatën e krijuar nga pandemia Covid-19 në vlerë prej 80,734€. Këto, por edhe shumë shkelje tjera ka evidentuar Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) gjatë auditimit të pasqyrave financiare për komunën e Fushë Kosovës.

“Me vendim të Ministrisë së Financave të datës 03.09.2020 është bërë transferimi i mjeteve nga kategoria e rezervës në kategoritë e mallrave dhe shërbimeve dhe të subvencioneve më qëllim të menaxhimit të situatës në shëndetësi dhe ekonomi të shkaktuar nga pandemia Covid-19. Nga mjetet e dedikuara për menaxhimin e situatës së krijuar nga pandemia Covid-19, komuna kishte realizuar pagesa që nuk ndërlidhen me situatën e krijuar nga pandemia Covid-19 në vlerë prej 80,734€” thuhet në raportin e ZKA-së.

Më tutje në raport thuhet se komuna e Fushë Kosovës kishte lidhur kontratë me OJQ-në për ‘’Ofrimi i shërbimeve sociale, shëndetësore dhe tjera në komunën e Fushë Kosovës’’ në vlerë prej 832,100€ me kohëzgjatje prej 01.04.2020 deri më 31.03.2022. “Megjithatë, nga fondet e destinuara për Covid 19, me vendim të kryetarit, vlera prej 73,800€ është transferuar te kjo OJQ, me destinim për pagesën e pagës shtesë për menaxhimin e pandemisë COV-19. Kjo është bërë për muajin korrik dhe gusht 2020, për 123 punëtorët e angazhuar në punë, bazuar në kontratën e lart shënuar. Në mesin e këtyre punëtorëve që kanë përfituar shtesat në paga, kemi identifikuar menaxherin e kontratës nga ana e komunës, drejtorin e OJQ-së dhe dy tjerë nga stafi i saj ekzekutiv. Për më tepër, ky vendim ishte në kundërshtim me rregulloren për ndarje të subvencione Nr.83, neni 6, sipas së cilit Kryetari i Komunës, lejon ndarjen e subvencioneve për persona juridik prej 0-5,000€” thuhet në raportin e ZKA-së.

Po ashtu, sipas ZKA-së për realizimin e trajnimeve profesionale të rrobaqepësisë për femrat, në veçanti të komunitetit egjiptian në Fushë Kosovë, ishte ofruar mbështetje financiare në vlerë prej 4,500€. Por, objektivat e projektit nuk janë arritur për shkak se sipas projektit numri i përfituesve të trajnimeve ishte parashikuar të jetë 48 veta për 3 muaj, por vetëm 13 veta kishin ndjekur trajnimin, ndërsa 10 prej tyre ishin çertifikuar. Raporti i dorëzuar financiar nga ana e OJQ-së, nuk ishte i plotë dhe i mbështetur me dëshmi relevante.

“Kjo ka ndodhur për shkak se në momentin e kërkesës për këto shpenzime nga drejtoritë përkatëse, ka pasur mungesë të mjeteve në linjat tjera buxhetore, si dhe kontrolle të brendshme të pamjaftueshme në ofrimin e mbështetjes financiare të përfituesve. Kjo ka ndikuar në shfrytëzimin e fondeve jashtë destinimeve përkatëse dhe në mos arritjen e objektivave përkatëse. Prandaj, shpërndarja e mjeteve pa bazë ligjore, tregon për menaxhim jo adekuat të fondeve publike nga ana e komunës. Kryetari duhet të sigurojë se janë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme që pagesat dhe shpenzimet e komunës të bëhen konform qëllimit për të cilin janë alokuar dhe Vendimeve të Qeverisë. Po ashtu, të forcohen kontrollet e brendshme, që mjetet të destinohen për projekte dhe programe që janë me prioritet dhe në interes të publikut” thuhet në raportin e ZKA-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat