Patriarku i Kishës serbe mallkon Abazoviçin dhe kryeministrin Malazez, Daçiç kujton “vllazërinë”...

Lajme

Patriarku i Kishës serbe mallkon Abazoviçin dhe kryeministrin Malazez, Daçiç kujton “vllazërinë”...

Më: 21 qershor 2021 Në ora: 16:29
Patriarku Porfirje

I sapoemëruar në krye të Kishës Ortodokse Serbe, Patriarku Porfirje, ka marrë skeptrin e ka ngritur drejt ikonostasit të kishës dhe ka mallkuar kryeministrin e Malit të Zi, Zdravko Krivokapiç dhe zëvendësin e tij shqiptar, Dritan Abazoviç, pasi ata shkarkuan ministrin e Drejtësisë, Vladimir Leposaviç.

Ky i fundit ka qenë krahu i djathtë i Metropolitit Artemije, që humbi jetën nga Covid 19, ndërkohë që ikja e Leposaviçit u përkrah nga SHBA, Britania e Madhe  e Gjermania.

Kreu i Kishës serbe, deklaroi në një ligjëratë fetare se Podgorica tradhtoi besimin e Metropolitit Amfilohije dhe e vuri veten në shërbim të forcave të kësaj bote, të cilat ekzistojnë vetëm dhe ekskluzivisht kundër serbëve.

Në një predikim në Kishën e Trinisë së Shenjtë në Sremçica, Patriarku tha se ngjarjet e fundit në Malin e Zi kanë treguar se “ata që u ndihmuan aq shumë nga Metropoliti Amfilohije i kanë kthyer shpinën atij.

“Ata tradhtuan hirin e Zotit me anë të këtij vendimi, guxoj të them, dhe e vunë veten në shërbim të forcave të kësaj bote, të cilat ekzistojnë vetëm për të na bërë keq” deklaroi patriarku.

“Ne mbështesim  tezën që çdo komb ka shtetin e tij, ne shohim në atë një bekim dhe një shprehje të lirisë, një mundësi për të gjithë për të zhvilluar dhuratën e tyre specifike   … “, tha patriarku në një predikim të botuar në faqen e tij në Youtube që ka ndjekje sa një popstar në të gjithë territoret serbishtfolëse.

Ndërkaq, edhe Beogradi ka sulmuar fuqishëm Podgoricën pas shkarkimit të Leposaviçit.

Kryeparlamentari serb, Ivica Daçiç, akuzoi kreun e Parlamentit të Malit të Zi Aleksa Beçiç se Podgorica ka ndërhyrë në punët e brendshme të Serbisë, kur ka njohur Kosovën.

Por Daçiç ka shkuar edhe më tej, kur e ka cilësuar Shkodrën si qyteti ku kanë bërë betimin vllazëria serbo-malazeze, gjatë pushtimit të saj në vitin 1913.

“Z. Beçiç dhe të tjerët, me të njëjtën qëndrueshmëri historike me të cilën paraardhësit tanë vërtetuan vëllazërinë tonë në Shkodër, duhet ta dinë se askush nuk mund të ndërhyjë në punët e brendshme të Serbisë, siç bëri Mali i Zi duke njohur Kosovën si një shtet të pavarur”, tha Daçiç .

Në një deklaratë për Tanjug, ai theksoi se nuk ishte i interesuar të ndërhyjë në punët e brendshme të Malit të Zi, por vuri në dukje se as Kosova dhe as Srebrenica nuk ishin në Mal të Zi dhe kujtoi pjesëmarrjen e përfaqësuesve malazezë në operacionin “Stuhia”.

Daçiç shpjegoi se thirrja e tij për Mitropolitin Joanikije, pasardhësin e Amfilohijes ishte që të përfshihej në zgjidhjen e krizës politike në Malin e Zi ndryshe Gjukanoviçi do të kthehet në pushtet.

Kujtoi se ai menjëherë i dërgoi një ftesë Beçiç për të vizituar Serbinë, sepse ai me të vërtetë i konsideron të dy vendet dhe popujt si vëllezër dhe theksoi se “paraardhësit dhe historia na detyrojnë të përpiqemi t’i kapërcejmë problemet”.

Ndërkaq, zv.kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç tha në një intervistë me “Vijesti” të Podgoricës se “duhet të jetë e qartë për të gjithë, veçanërisht zyrtarët nga Beogradi të cilët janë marrë me Malin e Zi kohët e fundit, se ky është një shtet i pavarur që vendos fatin e vet dhe nuk e lejon poshtërimin “.

“Nuk kemi frikë nga kthimi i regjimit të vjetër. Pavarësisht nga disa mosmarrëveshje, fjalë të ashpra ose nervozizëm, unë jam i sigurt se të gjithë anëtarët e shumicës parlamentare nuk do të luajnë me përmbysjen historike që ndodhi gushtin e kaluar”, tha Abazoviç. Ai shtoi se Mali i Zi po ndjek një “politikë të fqinjësisë së mirë”.

“Unë u bëj thirrje të gjithë aktorëve që të heqin qafe nacionalizmin, armiqësinë dhe të kaluarën, sepse kjo nuk na solli asgjë të mirë. Le të jemi të përkushtuar për zgjidhjen e problemit dhe për të ndryshuar të ardhmen. Unë jam gati për një dialog me kolegët, i cili është shumë i nevojshëm në këtë moment”, përfundoi Abazoviç.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat