​Szunyog: Gratë në Kosovë po tejkalojnë barrierat dhe po nxisin ndryshimin

Lajme

​Szunyog: Gratë në Kosovë po tejkalojnë barrierat dhe po nxisin ndryshimin

Më: 8 mars 2021 Në ora: 17:34
Tomas Szunyog

Gratë në Kosovë po tejkalojnë barrierat dhe po nxisin ndryshimin, megjithatë ende pabarazia mbizotëron, dhuna kundër grave nuk ka pushuar dhe ato kanë shumë pengesa për të arritur synimet e tyre.

Kështu tha shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, në shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas, ku edhe është prezantuar raporti “Gratë dhe COVID-19, tregimet që kanë rëndësi”, që ka qenë një garë e fotografisë dhe e tregimit.

Szunyog tha se gratë në Kosovë kanë treguar se janë të gatshme që të marrin vendin e tyre në vendimmarrje, e për këtë tha se shembulli më i mirë është që në Kuvendin e Kosovës tashmë do të jenë 44 gra.

Szunyog: Gratë në Kosovë po tejkalojnë barrierat dhe po nxisin ndryshimin

“Gratë në Kosovë kanë treguar që janë të gatshme që të marrin vendin e tyre në lidership dhe në vendimmarrje. Zgjedhjet muajin e kaluar kanë treguar qartë këtë ambicie me 44 gra që ia kanë dalë mbanë që të fitojnë vende në Kuvendin e Kosovës, numri më i madh ndonjëherë. Megjithatë, lidershipi nuk reflektohet vetëm në politikë, prej biznesit, shkencës, sportit, muzikës, artit. Gratë në Kosovë po tejkalojnë barrierat dhe po nxisin ndryshimin. Ju që jeni sot këtu jeni shembuj të mrekullueshëm, prandaj besoj që është një mundësi shumë e mirë për të festuar. Megjithatë, nuk mund të harrojmë që pabarazia ende mbizotëron në Kosovë, dhuna kundër grave nuk ka pushuar dhe gratë kanë shumë pengesa për të arritur synimet e tyre. BE-ja ka pranuar këtë që barazia gjinore është prioritet strategjik në Kosovë. Në vitet e fundit, Zyra e BE-së në Kosovë ka promovuar lidership të llojllojshëm, duke promovuar votat për gratë dhe nga gratë, duke financuar organizata të shoqërisë civile të grave për t’i inspiruar gratë në nivel komunal”, tha ai.

Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, tha se pandemia COVID-19 ka ndikuar sidomos te gratë, të cilat kanë humbur vendet e tyre të punës dhe kanë pasur më pak mbrojtje sociale. Për shkak të kësaj, ai tha se Zyra e BE-së në Kosovë ka ridrejtuar fondet për zvogëlimin e pasojave të COVID-19 në të drejtat e grave.

Szunyog: Zyra e BE-së ka ridrejtuar fondet për zvogëlimin e pasojave COVID-19 në të drejtat e grave

“Pandemia ndikon te gratë anekënd botës në mënyra të ndryshme, pra ka pasur më shumë dhunë bazuar në gjini dhe më pak mundësi, më shumë vende të humbura të punës dhe më pak mbrojtje sociale. Meqë shumë gra punojnë në ekonominë joformale, më shumë obligime familjare duke u kujdesur për fëmijët, të moshuarit dhe të sëmurët dhe gratë janë reagueset e para në këtë aspekt. COVID-19 është një hap pas në avancimin e të drejtave të grave pas shumë viteve të arritjeve. Për këtë arsye Zyra e BE-së në Kosovë i ka ridrejtuar fondet për zvogëlimin e pasojave të COVID-19 në të drejtat e grave, përveç fondeve ne duam ta rritim vetëdijen lidhur me çështjen që gratë vetë t’i tregojnë rrëfimet e tyre, pra kemi pasur një konkurs të fotografive, të rrëfimeve, më shumë se 80 gra kanë marrë pjesë me përvojat e tyre personale, profesionale gjatë pandemisë...Qëllimi i publikimit që po e lansojmë sot përmban disa prej rrëfimeve që kanë qenë pjesë e garës, të gjitha prej tyre janë personale, shumë të fuqishme dhe po ashtu kemi marrë parasysh edhe deklaratën e grave të tjera në Kosovë, të cilat në këto kohë të vështira kanë treguar një qëndrueshmëri, kreativitet, punë të madhe dhe përshtatshmëri”, tha ai.

Reyes Charle, nga Zyra e BE-së në Kosovë, që ka prezantuar këtë ngjarje, tha se BE-ja e di se sa është e rëndësishme arritja e barazisë gjinore.

Charle: Për ta arritur barazinë gjinore, BE-ja konsideron këtë çështje si shumë serioze

“Shumë nga gjërat që neve grave na kanë ngelur t’i bëjmë dhe për ta arritur barazinë gjinore, BE-ja konsideron këtë çështje si shumë serioze”, tha Charle.

Në këtë ngjarje kanë folur edhe disa gra ndërmarrëse të suksesshme, e të cilat në forma të ndryshme janë ndihmuar nga Zyra e BE-së në Kosovë. Një nga to është Arta Shehu-Zaimi, themeluese e LabBox, e cila tha se ndihet me fat që ka qenë ndër njerëzit që ka arritur të mbështetet nga kjo zyre.

Zaimi: Shërbimet që i kemi krijuar tani ndihmojnë vajzat e mia që të zhvillojnë shkathtësitë

“Shërbimet që unë dhe motra ime si partnere e imja i kemi krijuar tani ndihmojnë vajzat e mia që të zhvillojnë shkathtësitë, të cilat shpresojmë që do t’i vendosin në një pozitë të inovacionit dhe të krijimit dhe vërtet të kontrollojnë të ardhmen e tyre dhe përparimin e tyre kur të rriten. Mirëpo, po ashtu kuptoj që jemi vetëm pjesë të një rrjete të madhe dhe mbështetja e njëri-tjetrit është më rëndësi shumë të madhe dhe thelbësore. Kam qenë njëra ndër kompanitë fatlume ose njerëzve fatlumë që janë përzgjedhur të përfitojnë nga mbështetja e BE-së dhe dua t’iu falënderoj juve dhe të gjitha organizatave për mundësitë që na i keni ofruar për biznese të ndryshme me gjithëpërfshirje në çështje gjinore si dhe në aspekte të tjera”, tha Zaimi.

Po ashtu, edhe Natasha Miliçeviq, themeluese e “Evropa Company”, tha se ka arritur të punësojnë gjashtë gra pas mbështetjes që ka marrë nga Zyra e BE-së në Kosovë.

Miliçeviq: 6 gra i kemi të punësuara

“Në vitin 2004 është themeluar kjo kompani (Evropa Company), në vitin 2016 fabrika e peletit ka filluar të punojë, kemi filluar të prodhojmë pelet. BE na ka ndihmuar për të blerë makinën e re dhe filtrat për pastrim të ajrit, në mënyrë që të mos e ndotim ambientin dhe t’i zgjerojmë kapacitetet prodhuese, të punësojmë më shumë punëtorë, 6 gra i kemi punësuar, kemi 10 punëtorë të përhershëm në marrëdhënie pune. I kemi zgjeruar kapacitetet prodhuese, po të mos ishte BE nuk do të mund të punësonim këtë numër të punëtorëve”, tha Miliçeviq.

Mbështetje nga Zyra e BE-së në Kosovë ka marrë edhe Rrjeti i Grupit të Grave, ku ndër projektet e fundit është ai për mbështetje të grave në procesin zgjedhor.

Valmira Rashiti nga kjo organizatë, tha se përkundër vështirësive kanë arritur të kenë sukses në thirrjen e tyre që të votohen gratë.

Rashiti: Të thërrasim për votim të më shumë grave në Parlament

“Të thërrasim për votim të më shumë grave në Parlament, ndonjëherë kemi hasur ndoshta në një lloj rezistence nga disa njerëz që a mund të gjejmë vërtet gra që mund të na përfaqësojnë, mirëpo ne kemi qenë të sigurta që në mesin e grave të cilat ishin kandidate për këto zgjedhje me siguri që mund të ishin 4 ose 5 gra që do të mund t’i përfaqësonin interesat e secilit prej nesh në këtë vend. Ne shpresojmë që do të vazhdojmë që të rrisim këtë bashkëpunim me Zyrën e BE-së dhe besojmë që projekti dhe bashkëpunimi të cilin e kemi së bashku do të kenë një ndikim të madh në të ardhmen e afërt”, tha Rashiti.

Dita Ndërkombëtare e Gruas në Kosovë sot është shënuar në mënyra të ndryshme, ku ndër të tjera është organizuar edhe marshi protestues nën moton “Marshojmë, s’festojmë”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat