​​Prokuroria fillon grumbullimin e informatave për vaksinat antiCOVID-19 në Veri të Kosovës

Lajme

​​Prokuroria fillon grumbullimin e informatave për vaksinat antiCOVID-19 në Veri të Kosovës

Më: 28 dhjetor 2020 Në ora: 12:43
Foto ilustrim

Tashmë Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka kërkuar nga Policia e Kosovës që të nis hetimet për grumbullimin e informatave rreth hyrjes së vaksinave COVID-19 në Veri të Kosovës.

Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka autorizuar Policinë e Kosovës që të grumbullojnë informatat për hyrjen e vaksinave në Veri të Mitrovicës. Këtë e ka bërë të ditur për KosovaPress, zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Mitrovicës, Valon Preteni.

“Ju njoftojmë që pas shkrimeve në media të ndryshme në vend lidhur me futjen e vaksinës anti-covid nga Serbia, Prokuroria Themelore e Mitrovicës ka autorizuar Policinë e Kosovës që të grumbullojë informata për këtë çështje, në drejtim të veprave penale “Kontrabandimi i mallrave” nga neni 311 dhe “Ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike” nga neni 256 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, tha Preteni për KosovaPress.

Ndërkaq, ai ka shtuar se varësisht nga hetimet, dhe në rast se vërtetohet që ka prova të mjaftueshme, atëherë Prokuroria Themelore në Mitrovicë do të nisë hetimet penale rreth kësaj hyrjes së vaksinave në Veri të Mitrovicës.

“Varësisht nga rezultatet e hetimit, nëse vërtetohet që ka prova të mjaftueshme atëherë Prokuroria Themelore në Mitrovicë do të nisë edhe hetimet penale për këtë çështje”, theksoi Preteni.

Kujtojmë që më 25 dhjetor, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se në Veri të Kosovës ka filluar vaksinimi kundër koronavirusit, me vaksinën e kompanive Pfizer/BioNTech, e cila ka arritur në Serbi para disa ditësh.

Më 26 dhjetor, përmes një deklarate për media, Qeveria në detyrë e Kosovës ka thënë se institucionet e Kosovës nuk kanë pasur asnjë komunikim zyrtar me institucionet e Serbisë në lidhje me këtë çështje, as përmes Zyrave Ndërlidhëse, as me ndërmjetësimin e bashkësisë ndërkombëtare.

“Nëse këto vaksina kanë hyrë në Kosovë përmes rrugëve ilegale, atëherë institucionet e Kosovës do të ndërmarrin masat e nevojshme ligjore ndaj personave të përfshirë në këtë aktivitet ilegal, kontrabandim me barna”, është thënë në deklaratën e Qeverisë në detyrë të Kosovës.

Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme e Kosovës, Meliza Haradinaj Stublla, ka thënë më 27 dhjetor se “hyrja ilegale në Kosovë e disa produkteve farmaceutike nga Serbia përbën shkelje flagrante të Marrëveshjes për Vulat Doganore dhe asaj për Njohjen Reciproke të Certifikatave Farmaceutike”, të cilat janë arritur në kuadër të dialogut teknik, në vitin 2015.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat