​QKSS: Shumica e masave anti-covid kanë pas sukses të limituar

Lajme

​QKSS: Shumica e masave anti-covid kanë pas sukses të limituar

Më: 28 dhjetor 2020 Në ora: 12:01
Foto ilustrim

Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) ka publikuar sot raportin "Të zënë ngushtë: Sfidat e Kosovës në përballjen me pandeminë COVID-19", ku thuhet se COVID-19 ka ekspozuar dobësitë në sektorin e sigurisë, veçanërisht në hapësirën kibernetike - duke çuar në një rritje të sulmeve kibernetike.

QKSS shpjegon se ky raport shqyrton kornizën ligjore dhe strategjike të Kosovës sa i përket situatave emergjente në Kosovë, përfshirë rolet e institucioneve kryesore të përfshira në planifikimin dhe reagimin ndaj emergjencave.

“COVID-19 paraqet krizën e parë të përmasave më të mëdha me të cilën janë përballur institucionet e reja të Kosovës. Megjithëse COVID-19 paraqet një situatë në zhvillim e sipër, një numër i gjetjeve janë të dukshme edhe në këtë fazë. Sipas raportit të QKSS-së, COVID-19 ka ekspozuar dobësitë në sektorin e sigurisë, veçanërisht në hapësirën kibernetike - duke çuar në një rritje të sulmeve kibernetike. Dezinformimi gjithashtu është përhapur - sipas një sondazhi të QKSS-së, 33.83% e të anketuarve janë përgjigjur se kanë dyshime mbi ekzistencën e COVID-19, statistika këto pak më të shprehura në të anketuarit nga komuniteti serb në Kosovë. Ky nivel i skepticizmit ka gjasa të vështirësojë zbatimin e masave parandaluese ndaj COVID-19 dhe përbën një kërcënim serioz për shëndetin publik. COVID-19 ka ndikuar në sundimin e ligjit, por situata pandemike mē shumë ka shërbyer si justifikim për mungesën e rezultateve në trajtimin e rasteve të korrupsionit dhe krimit të organizuar, të cilat janë të lidhura me probleme sistematike dhe mosndëshkueshmëri në sistemin e drejtësisë. Sipas këtij raporti, shumica e masave të marra nga Qeveria e Kosovës kanë patur sukses të limituar në vënien nën kontroll të COVID-19 për shkak të mungesës së planifikimit paraprak në gatishmërinë dhe reagimin ndaj emergjencave, përkeqësuar më tej nga jostabiliteti politik. Ndër sfidat kryesore të theksuara nga raport përfshijnë mangësitë në kornizën ligjore, paqartësitë në rolet dhe përgjegjësitë e akterëve kyç, korniza e vjetëruar strategjike në lidhje me situatat emergjence, mungesa e një baze të qartë ligjore për vendimet e qeverisë, burimet e kufizuara, besimi i ulët i qytetarëve në institucione, shqetësimet për keqmenaxhim dhe diskriminim në ofrimin e shërbimeve shëndetësore, mungesa e transparencës në procesin e vendimmarrjes dhe mungesa e një strategjie të qartë për komunikim me publikun. Prandaj, kundërpërgjigja e institucioneve të Kosovës ndaj pandemisë është një përzierje e disa sukseseve të hershme, dështimeve të shmangshme dhe defekteve të shumta, shpesh duke i lënë qytetarët të hutuar, të pasigurtë dhe në mëshirën e fatit. Në kulmin e valës së dytë të pandemisë, Kosova qeveriset nga një President në detyrë dhe një qeveri e përkohshme në pritje të procesit zgjedhor, që ka të ngjarë të largojë edhe më tej autoritetet e Kosovës nga një përgjigje efektive dhe e përqendruar ndaj pandemisë si dhe të vonojë planet për sigurimin e vaksinës kundër COVID-19”, thuhet në njoftim.

Disa nga rekomandimet e këtij raporti janë që qeveria t'i japë përparësi shëndetit publik dhe të intensifikojë përpjekjet për të siguruar COVID-19 për qytetarët e Kosovës, të ketë më shumë transparence në të gjitha nivelet e vendimmarrjes, të rishikohet korniza ligjore dhe strategjike, të zhvillohen vlerësime të rregullta dhe ndërsektoriale të rrezikut nën koordinimin e një organi të veçantë institucional dhe të forcohet bashkëpunimi me partnerë dhe organizata ndërkombëtare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat