Dell rrëfen muajt e parë pas luftës në Kosovë: Miu mu ngjit në qafë teksa flija

Lajme

Dell rrëfen muajt e parë pas luftës në Kosovë: Miu mu ngjit në qafë teksa flija

Më: 18 shtator 2020 Në ora: 16:48
Christopher Dell

Ish-ambasadori amerikan në Kosovë, Christopher Dell në një intervistë të gjatë për Oral History Kosova ka treguar për përshtypjet e tij gjatë qëndrimit në Kosovë menjëherë pas luftës e më pastaj edhe si ambasador pas pavarësisë.

Ai ka rrëfyer një eksperiencë jo aq të këndshme kur ka ardhur për shërbim në Kosovë  menjëherë pas luftës kur kishte jetuar në një dhomë të vogël dhe i ishte ngjitur miu në qafë.

“Në fillim kur arrita në Kosovë, jetoja në një dhomë të vogël, dhe miu një natë ishte nën shtratin tim dhe mu ngjit në qafë. Kushtet ishin të vështira, pastaj mora një mace dhe e zgjodhi atë problem”, ka thënë Dell me humor.

Dell i cili ka shërbyer si Shef i Misionit të Zyrës së ShBA’së në Kosovë nga vitit 2000 deri në vitin 2001, ka thënë se asnjëherë nuk është ndier i pasigurtë kur ka arritur për herë të parë në Kosovë.

Ai u shpreh se shqiptarët e Kosovës e mbronin parpara se të vinin forcat e tij të sigurisë

“Kur kam ardhur për herë të parë në Kosovë, ishte përvoja ime e parë ku kisha sigurim të detajuar. Ka qenë vendi i parë që kam jetuar ku kjo ishte e nevojshme, dhe këta ishin profesionistë të nivelit shumë të lartë, njësitë ushtarake që kanë vazhduar të bëhen mjaft të famshme për arsye të tjera. Por kurrë nuk u ndjeva, mbase për shkak të pranisë së tyre, nuk u ndjeva kurrë i pasigurt. Unë mendoj se ekzistonte rreziku i mundshëm që dikush mund të provonte diçka, e dini, kjo është arsyeja që ata ishin atje. Sa I përket popullit shqiptar të Kosovës, ata do të më mbronin mua para se të vinin sigurimi im, asnjëherë nuk jam ndier i pasigurt. Në atë kohë ishte rreziku i minave dhe duhej të kishe kujdes”, ka thënë Dell.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat