Mbajtja e provimeve, pranimi i studentëve të rinj dhe vërtetimi për njohjen e gjuhëve/ Si do të veprojë UP-ja?

Lajme

Mbajtja e provimeve, pranimi i studentëve të rinj dhe vërtetimi për njohjen e gjuhëve/ Si do të veprojë UP-ja?

Më: 10 prill 2020 Në ora: 21:33
UP

Që nga fillimi i shfaqjes së pandemisë COVID-19 në Kosovë, është pezulluar mësimi paraunivesitar dhe universitar në gjithë territorin e Kosovës. Por, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ka implementuar planin e mësimit online për gjithë gjithë sistemin e arsimit në Kosovë.

Universitetet Publike dhe ato private në Kosovë po vijojnë mësimin online, ndërsa shkollat fillore, të mesme të ulta dhe të mesme të larta po vijojnë mësimin nëpërmjet transmetimit të video-incizimeve nga MASHT-i dhe me mënyrat online të propozuara.

Por, një problem tjetër i cili ka prekur studentët do të jenë mbajtja e provimeve në afatin e qershor në rast se situata me pandeminë COVID-19 zgjatet deri atëherë.

Universiteti i Prishtinës iu është përgjigjur interesimit të lajmi.net për t’i informuar studentët lidhur me mbajtjen e provimeve në afatin e qershorit dhe kanë informuar se kanë filluar përgatitjet për të gjetur format më të përshtatshme për mbajtjen e provimeve online.

UP gjithashtu thotë se për vendimet e marra në kuadër të organeve kompetente do të njoftohen me kohë studentët.

“Universiteti i Prishtinës, javë më parë ka njoftuar se kanë filluar përgatitjet për të gjetur format më të përshtatshme për të bërë të mundur realizimin e provimeve virtualisht, në rast se situata do të vazhdojë të jetë e tillë edhe në qershor, kur zhvillohet afati i provimeve të rregullta, të përcaktuara sipas Statutit të UP-së. Lidhur me këtë, Universiteti i Prishtinës do të konsultojë dhe do të marrë vendime në kuadër të organeve kompetente dhe më pas do të publikojë njoftim zyrtar për vendimet e marra. Sigurisht, UP-ja do të jetë në kontakt me të gjitha organet relevante në rast të nevojës, pra edhe me MAShTI-n.”, thuhet në përgjigjen e Universitetit të Prishtinës.

Gjithashtu, probleme nga pandemia do të shkaktohen edhe në procesin e pranimit dhe regjistrimit të studentëve në vitin e ri akademik 2020/2021.

Lajmi.net është interesuar se çfarë do të ndodh me këtë proces në rast se në afatin për pranimin e studentëve në muajin qershor do të ketë ende koronavirus dhe UP njofton se do të gjejnë zgjidhjen më të mirë për studentët e ardhshëm.

“Ne shpresojmë që situata e krijuar si pasojë e pandemisë COVID-19 do të tejkalohet sa më shpejtë dhe më me pak pasoja. Pranimi i studentëve në studime universitare rrjedh sipas një kohështrirje zyrtare vendore, ku rolin kryesor e ka MAShTI. Sigurisht që UP-ja do të gjejë zgjidhjen më të mirë të mundshme për studentët e ardhshëm dhe për këtë do të njoftoheni me kohë.”, thonë nga UP.

Më tutje, sipas një Udhëzimi Administrativ të lëshuar nga qeveria e kaluar për gjuhët e huaja si prag për t’u pranuar në studimet master dhe doktoratë, Universiteti i Prishtinës njofton se kanë pasur vërejtje rreth tij.

Ata bëjnë me dije se i janë drejtuar MASHT-it për shqyrtimin e këtij udhëzimi administrativ ose të japë sqarime se si të veprohet në situatën e krijuar.

UP gjithashtu në përgjigjen e tyre thotë se nëse vendimi mbetet në fuqi dhe nuk shfuqizohet, atëherë afati i dorëzimit të vërtetimeve për niveln e njohjës së gjuhës do të shtyhet.

“Universiteti  i Prishtinës nga viti akademik 2019/20 ka filluar së implementuari Udhëzimin Administrativ (QRK), nr. 08/2018, për gjuhët e huaja në programin studimor të ciklit të dytë ose të tretë, përkundër vërejtjeve tona rreth këtij UA. Së fundi, ne i jemi drejtuar MAShTI-t që të kërkojë shqyrtim të këtij UA, ose të na jap sqarime se si të veprojmë në këtë situatë të krijuar për shkak të pandemisë COVID-19. Nëse ky UA mbetet në fuqi, afati i dorëzimit të vërtetimeve për nivelin e njohjës së gjuhës do të shtyhet.”, thuhet në përgjigjen e UP-së.

Media kërkuar përgjigje edhe nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë në të njëjtat çështje, por nuk ka marrë përgjigje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat