Në shtëpi me fëmijë me nevoja të veçanta në kohë pandemie

Lajme

Në shtëpi me fëmijë me nevoja të veçanta në kohë pandemie

Më: 7 prill 2020 Në ora: 22:58
Foto

Kur qeveria vendosi para më shumë se tre javësh që vendi të izolohej për ta ndalur shpërndarjen e COVID-19, Sara 17 vjeçare me autizëm, e kishte të vështirë ta kuptonte pse tash duhet të qëndrojë vetëm në shtëpi.

Nëna e saj, Violeta, thotë së në ditët e para e ka pasur shumë vështirë ta bind vajzën e saj se një kohë duhet të qëndrojnë pa dalur. Ajo thotë se kur vinte koha që Sara duhej të shkonte në shkollë ajo mbante këpucët në dorë.

Sarës i mungonte shkolla ku ajo cdo ditë zhvillon aktivitetet ditore.

“Në familje më të vështirë e pati Sara sepse e kishte të vështirë ta kuptonte faktin që duhet të qëndrojmë brenda dhe asgjë nuk do të jetë e njëjtë sikurse dje dhe pardje. Është dashur që komplet rutina e saj të ristrukturohet dhe të përshtatet me kushtet e krijuara. Është e vështirë t’i tregosh që nuk guxojmë të dalim në rrugë, lëvizjet janë të kufizuara dhe nuk do të shkojmë në shkollë për një kohë,” tha Violeta Hyseni për Radion Evropa e Lirë.

Violeta thotë se pas një muaji në izolim tashmë edhe vajza e saj ka filluar ta pranojë ndryshimin e mënyrës së jetesës.

Video: Shpjegimi i koronavirusit për fëmijët

Ajo shton se personat me autizëm nëse qëndrojnë kohë të gjatë në shtëpi mund të adaptohen me atë jetë të izoluar, dhe më vonë mund të ketë edhe pasoja të mëdha, meqë natyra e autizmit është e tillë.

“Po mundohemi që gjumin, ushqimin, lojën dhe aktivitetet në kushte të shtëpisë t’i ketë të koordinuara’’, thotë Violeta.

Fëmijët nuk duhet të mendojnë se vetëm ata janë të izoluar

Sociologu Besnik Peci duke folur për Radion Evropa e Lirë, tha se është e domosdoshme që pos tjerash, aktivitetet socializuese t’i realizojnë përmes komunikimit virtual, duke biseduar me shokë online.

Kjo pasi siç thotë Peci, imagjinata e fëmijëve është e zhvilluar dhe si rrjedhojë merr dimenzion pozitiv në gjendjen dhe disponimin e fëmijëve.

Sipas tij, është e rëndësishme që fëmijët me nevoja të veçanta ta kuptojnë se të gjithë janë të izoluar, mos ta krijojnë bindjen se vetëm ata janë mbyllur.

“Mendoj se bisedat mes fëmijëve e ndihmojnë këtë situatë. Virusi COVID-19 ka afektuar jetën e secilit njeri, pavarësisht statusit apo gjendjes së tij psikologjike”, tha Peci.

Si të ndihmoni fëmijët të përballen me stresin gjatë shpërthimit të koronavirusit?

Sipas tij, prindërit që kanë fëmijë me nevoja të veçanta nuk duhet lejuar që preokupimi dhe frika për virusin te barten të fëmijët.

“Kjo duket e thjeshtë për t’u thënë, por jo e lehtë për t’u zbatuar. Andaj kërkohet që të punohet me vetveten në mënyrë që kjo situatë të përdoret pozitivisht duke shfrytëzuar kohën në dispozicion që t'ju ofrohet dashuria dhe kujdesi i mjaftueshëm fëmijëve, pavarësisht sindromit apo gjendjes, por veçanërisht fëmijëve me sindromën Down apo autizem”, theksoi ai.

Mësime online për fëmijët me sindromën Down

Genc Beqiri, 15 vjeçar, është me sindromën Down. Edhe Genci po qëndron mbyllur në shtëpi, për shkak të situatës së krijuar nga virusi COVID-19.

Nëna e tij, Sebahate Beqiri, thotë se vazhdimisht po mundohet t’ia shpjegojë Gencit se mbyllja në shtëpi është e rëndësishme për të.

“Sigurisht se është i vështirë menaxhimi sidomos për fëmijët me nevoja të veçanta. Tash kemi filluar përpos mësimit online t’i mbajmë online edhe seancat me logopedin’’, thotë Beqiri.

Ndërkaq, Ermira Shabani, psikologe, thotë se ajo tashmë është angazhuar me seanca online për fëmijët me nevoja të veçanta, përmes shoqatës Down Syndrome Kosova.

Ajo tregon se me ndihmën e prindërve, po mundohen që fëmijët t'i mbajnë të angazhuar, dhe t’ua shpjegojnë situatën, që përveç seancave t’u jepen udhëzime mbi metodologjinë dhe mjetet për të shtjelluar një aktivitet të caktuar.

“Shoqata ‘’Down Syndrome Kosova’’, ka shtrirje në katër regjione të Kosovës dhe në katër këto qendra ne vazhdojmë të ofrojmë shërbimin online për 110 fëmijë me sindromën doën, grup mosha 0-12 vjeç. Ofrimi i shërbimit online bëhet përmes seancave online me fëmijën, duke përfshirë dhe prindërit,” thotë Shabani.

Deri ditën e martë, sipas të dhënave të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik në Kosovë, të infektuar me koronavirus janë 165 persona, prej të cilëve 23 janë shëruar, ndërkaq që 3 persona kanë vdekur.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat