Blert Morina e fiton rastin kundër agjencisë për regjistrimin civil

Lajme

Blert Morina e fiton rastin kundër agjencisë për regjistrimin civil

Më: 20 janar 2020 Në ora: 10:29
Blert Morina

Gjykata Themelore në Prishtinë i jep të drejtë Blert Morinës dhe e detyron Agjencinë e Regjistrimit Civil t’ia ndërrojë atij shënuesin e gjinisë dhe emrin në dokumentet e identifikimit.

Më 11 dhjetor 2019 është bërë i plotfuqishëm Aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë, Departamenti për Çështje Administrative, me të cilin iu dha të drejtë Blert Morinës ta ndërrojë shënuesin e gjinisë dhe emrin në dokumente të identifikimit në përputhje me identitetin e tij gjinor.

Morina kishte kërkuar nga Zyra e Gjendjes Civile në Gjakovë në prill 2018, që t’i ndërrohet emri nga «Blerta» në «Blert» dhe shënuesi i gjinisë nga gjinia femërore «F», në shënuesin e gjinisë mashkullore «M».

Pas përgjigjes refuzuese të Zyrës së Gjendjes Civile dhe Agjencisë së Regjistrimit Civil (ARC), Morina bëri padi pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë duke kërkuar që t’i njihet ligjërisht identiteti i tij gjinor.

Paralelisht me padinë e parashtruar në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Morina kishte ngritur edhe një kërkesë për shqyrtim të kushtetushmërisë të vendimit refuzues të ARC-së në Gjykatën Kushtetuese. Sidoqoftë, kushtetuesja ia kishte hedhur poshtë kërkesën si të parakohshme, me arsyetimin se duhet shterë mjetet e rregullta juridike para se t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese.

Ky rast morri vëmendje të madhe nga publiku si rasti i parë publik i një personi transgjinor që kërkon nga shteti i Kosovës t’i njihet ligjerisht identiteti i tij gjinor.

ARC, e përfaqësuar nga Avokatura Shtetërore kishte dërguar përgjigje në padi në Gjykatën Themelore në Prishtinë, sidoqoftë nuk është paraqitur në asnjërën nga dy seancat gjyqësore të mbajtura në këtë gjykatë.

Më 24 tetor 2019, Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamtenti për Çështje Administrative morri vendim me të cilin e aprovoi si të bazuar padinë e Blert Morinës dhe urdhëroi që vendimi refuzues i ARC-së, të anulohet. Ndërkohë, urdhëroi Drejtorinë e Administratës së Përgjithshme të Komunës së Gjakovës t’ia ndërrojë emrin nga «Blerta» në «Blert» dhe shënuesin e gjinisë nga «F» në «M» në Regjistrin Themeltar dhe Regjistrin Qendror të Gjendjes Civile. Gjykata Themelore në Prishtinë, mes tjerash, ka konstatuar se me refuzimin e kërkesës së Morinës për ndërrim të emrit dhe të shënuesit të gjinisë është cënuar e drejta e tij në privatësi e mbrojtur me Kushtetutën e Kosovës, Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Ky vendim i gjykatës është vendimi i dytë publik në të cilin gjykatat e rregullta në Kosovë vendosin në favor të mbrojtjes së të drejtave të njeriut të komunitetit transgjinor në Kosovë. Një rast tjetër i ngjashëm me atë të Morinës është vendosur nga Gjykata e Apelit në gusht të vitit 2018. Pas shqyrtimit të ankesës së M.M. kundër Agjencisë së Regjistrimit Civil, Gjykata e Apelit ka vërtetuar vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, ku është vendosur që t’i japë të drejtë M.M.-së për ta ndërruar emrin dhe shënuesin e gjinisë në përputhje me identitetin e tij gjinor.

Komuniteti transgjinor është një ndër grupet shoqërore më të cënuara që jetojnë në Kosovë.

Rasti i Blert Morinës ka nxitur zhvillimin e diskursit publik për pranimin shoqëror të personave transgjinor në Kosovë dhe për garantimin e të drejtave të njeriut të mbrojtura me Kushtetutën e Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat