Këto janë dy letër-porositë që zbuluan trafikun e drogës në Shqipëri, Kosovë e Evropë

Lajme

Këto janë dy letër-porositë që zbuluan trafikun e drogës në Shqipëri, Kosovë e Evropë

Më: 16 korrik 2019 Në ora: 09:15
Pamje nga arrestimi

Dy letër-porosi të mbërritura nga Italia dhe Kosova kanë konfirmuar për Prokurorinë e Krimeve të Rënda në Shqipëri se grupi i Adylajve, grupi i drejtuar nga Hajri Seferi, grupi i cili kishte ngritur laborator heroine në Has si edhe zgjatime të rrjetit të trafikantëve në Fier dhe Delvinë, ushtronin aktivitetin e trafikut të drogës jo vetëm në Shqipëri por edhe në Kosovë, Itali, Holandë dhe Britaninë e Madhe.

Këto të dhëna, të cilat po përkthehen në Ministrinë e Drejtësisë dhe disa prej të cilave janë paraqitur si prova shtesë pranë Gjykatës së Krimeve të Rënda, janë objekt i një hetimi mjaft sekret, të drejtuar nga dy prokurorët e çështjes, Vladimir Mara dhe Dritan Prençi.

Deri më tani numri i të arrestuarve është 74 persona, prej të cilëve 44 janë të arrestuar për narkotrafik, veçanërisht për shpërndarje droge në Shqipëri, për laboratorin e heroinës në Has, por edhe episode të tjera, të zbuluara nga përgjimet, të cilat zbuluan se si katër grupe kriminale në Shqipëri bashkëvepronin.

Përgjimet tregojnë se si shtetasi Esat Mehmeti, i njohur me nofkën “Cakja”, drejtonte trafikimin e kanabisit përmes Semanit me drejtim Italinë. Trafiku zhvillohej përmes skafistëve dhe në një rast në Bari janë sekuestruar dy ton kanabis sativa. Kjo sasi kanabisi është konfirmuar përmes letër-porosisë nga autoritetet italiane, ku tregohet konkretisht roli i Mehmetit por edhe i anëtareve të tjerë të grupeve kriminale.

Nga ana tjetër, përgjimet tregojnë gjithashtu edhe rolin e shtetasit Abedin Kuçi, i njohur ndryshe si djali i tezës së Klement Balilit. Dyshohet se ky shtetas mbulonte shpërndarjen e drogës në jug të Shqipërisë, kryesisht në Fier dhe Sarandë, kryesisht të drogave të forta; kokainë dhe heroinë.

Kosova i konfirmon Shqipërisë se sasia prej 159 kg heroinë e bllokuar në fund të vitit 2018 në Kosovë, ka lidhje me laboratorin e Hasit. Të dhënat e para hetimore tregojnë se kjo sasi heroine vinte përmes linjës së Iranit, përmes trafikantëve të tjerë kosovarë, turq po edhe shqiptarë, të cilët kishin arritur të instalonin një laborator heroine.

Letër-porosi të tjera me interes për çështjen pritet të përkthehen edhe për trafikantit tjetër Hajri Seferi, i cili shikohet i dyshuar si trafikant i 200 kg kokaine, ku përfshihet edhe Holanda, por edhe Britania e Madhe.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat