KDI: Thyerja e monopolit për furnizim me materiale të hemodializës shoqërohet me shkelje procedurale

Lajme

KDI: Thyerja e monopolit për furnizim me materiale të hemodializës shoqërohet me shkelje procedurale

Më: 19 mars 2019 Në ora: 14:19
Foto

Gjatë një tryezë diskutimi, ku u shpalosën gjetjet e këtij raporti, Liridona Behrami nga KDI, theksoi se Ministria e Shëndetësisë (Msh), për furnizim me material shpenzues për Hemodializë për vitin 2018, kishte zhvilluar një procedurë të hapur dhe dy procedura të negociuara pa publikim të njoftimit për kontratë.

Behrami ka theksuar se për herë të parë pas më shumë se një dekade, furnizimi më material shpenzues për Hemodializë, është zhvilluar me procedura të hapura dhe kjo kishte ndodh me vendim të Organit Shqyrtues të prokurimit (OSHP).  Po ashtu theksoi se ky u vlerësua si  një hap pozitiv duke u bazuar në faktin se për këto kontrata ishte zhvilluar procedurë e mbyllur një burimore për më shumë se 10 vite, duke i siguruar monopol vetëm një Operatori Ekonomik.

“Procesi i tenderimit për kontratën publike kornizë me procedurë të hapur kishte filluar vetëm dy muaj para skadimit të kontratës paraprake, ndërsa MSh-së i janë dashur tetë muaj për ta përmbyllur këtë proces . Kjo ka ndodhur për shkak të ankesave të shumta të Operatorëve Ekonomik në instancën e parë në Autoritetin kontraktues dhe në OSHP”, plotësoi  ajo.

Më tej, Behrami ka potencuar se në kontratën e parë me procedurë të negociuar, Ministria e Shëndetësisë nuk kishte shfrytëzuar të gjitha dispozitat e lejuara me ligj për të rritur konkurencën dhe për të siguruar çmim sa më të ulët, por kishte lidhur kontratë direkte me një Operator Ekonomik.

KDI konsideron se çmimet e kontraktuara në këtë kontratë (emergjente) janë të larta duke u bazuar në atë që, me operatorin e njejtë MSh pas vetëm disa muajve nënshkruan kontratë (me procedurë të rregullt) me çmime deri 209% më të lira.

Behrami ka bërë të ditur se kjo kontratë, vlera e përgjithshme e të cilës ishte 284,040.00€, ishte nënshkruar vetëm nga Zyrtari Përgjegjës i Prokurimit përkundër që me nenin 26.2 të Ligjit për Prokurim Publik parashihet që Kontratat me vlerë të madhe (mbi 125,000.00 euro) duhet të nënshkruhen përveç nga Zyrtari përgjegjës i prokurimit edhe nga Zyrtari Kryesor Administrativ si dhe nga Ministri.

KDI rekomandon që Ministria e Shëndetësisë duhet të sigurohet që procedurat e prokurimit të inicohen në kohë me qëllim të shmangjes së vonesave në proces  duke i parashikuar të gjitha procedura që parasheh Ligji i Prokurimit si dhe të bëj analizë të tregut me qëllim të sigurimit të çmimit sa më të lirë.

Gjithashtu, sipas KDI-së, OSHP duhet të prioritizojë trajtimin e ankesave që burojnë nga tenderët që lidhen me furnizimin e barnave dhe materialeve me rëndesi jetike për shëndetin e qytetarëve.

Ndërkaq ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili në fjalën e tij në këtë tryezë ka thënë se me marrjen e mandatit si ministër ka gjetur një situate kaotike me furnizim me barna,  blerje të jashtëligjshme, çmime të fryera dhe mungesa të mëdha në sistemin shëndetësorë. “Me një punë të përbashkët kemi arritur që kontratat e jashtëligjshme të ndërpriten dhe kemi filluar hulumtimin e tregut që të bëjmë krahasime dhe të mos lejojmë që Ministria e Shëndetësisë të blej barna me çmime shumëfish më të larta se ato që i kemi në barnatoret tona. Kemi arritur që brenda 1 viti të blejmë barna më lirë për 6 milion euro, se sa në vitin paraprak”, ka thënë ai.

Sa i përket furnizimit në sektorin e dializës ka shtuar se për herë të parë pas 20 vitesh Ministria e Shëndetësisë ka hapur tregun për konkurrencë të lirë për furnizim me produkte të Hemodializës nga një proces i mbyllur, i negociuar me vetëm një operator si ka qenë në të kaluarën.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat