Gjon Kadeli, ish-gazetari i “Zërit të Amerikës”, boton “Kujtimet e nji t’merguemi”

Kultura

Gjon Kadeli, ish-gazetari i “Zërit të Amerikës”, boton “Kujtimet e nji t’merguemi”

Nga: Leonora Laçi Më: 14 tetor 2018 Në ora: 12:14
“Kujtimet e nji t’merguemi”

Rastësisht më ra në duar dorëshkrimi i z. Gjon Kadeli, pasi një fragment i këtij libri do të jetë pjesë e librit të IV, të studiueses së krimeve të komunizmit, znj. Fatbardha Mulleti Saraçi.

Kështu i lexova me një frymë kujtimet e z. Kadeli, ku më bëri përshtypje rrjedhshmëria e mendimeve, kujtesa e forte e autorit, pasi të shkruash kujtimet dhe përjetimet nuk është një punë e lehtë, sepse përgjegjësia është e madhe.

Të rrëmosh në të kaluaren, kur ndoshta kujtesa ka filluar të të lërë në baltë; të hysh në labirinthet e saj, të shkruash për të mos harruar; të shkruash copëza të shkëputura për të formuar të tërën; të ndash çfarë është e rëndësishme dhe çfarë është më pak e rëndësishme; të ngacmosh pjesë të dhimbshme, t’i rikthehesh asaj kohe e ta krahasosh me të sotmen, është më i vështirë shkrimi i kujtimeve përveç se t’i kujtosh ato...

Zoti Gjon Kadeli, ia ka arritur qëllimit, që me gjakëftohtësi t’i përshkruaj shumë ngjarje, të jap versionin e vet, kujtime të mirëmenduara, që të mos lihet hapësirë për t’i hedhur poshtë. Kështu ato janë ca të vërteta që mendon se i ke harruar, por ato kanë qenë gjithmonë aty, janë aty, janë ajo çfarë ti je, janë ti.

Nga opinioni mbarëshqiptar, është pritur që shumë personalitete të mërgatës gjatë vitëve 1944-2018, të shkruajnë për çështje të ndryshme të emigracionit. 

Mirëpo nga ana e tjetër, rrethanat e tyre kanë qenë të atilla, ku jetesa e lodhshme, komunizmi në vendlidje, largësia nga të afërmit e tyre në atdhe, humbja e shpresës se një ditë mund të takohen me të afërmit e tyre të mbijetuar, i ka demoralizuar ata, dhe nuk kanë gjetur dot forcën, e nuk kanë mundur të dalin mbi dhimbjet e shpirtit.

Jeta e pasur plot ngjarje e autorit, është e mbushur me sakrifica, dhe mërgimtarët si ai e kuptojnë më mirë këtë libër, pasi secili gjenë vehten e tij në të. Këto janë sakrifica të mëdha, që ia kalojnë mendimeve normale dhe imagjinatës.

Kjo për më tepër, se ne po njihemi me sakrificat e një mërgate shqiptare më tepër politike se sa ekonomike, e cila është deri diku e papjekur nga eksperienca, në krahasim me emigracionin e kombeve të tjera të SHBA-së dhe Europës.

Mergata e jonë, mendoj se ishte e papërvojë dhe e papjekur asokohe, sepse ata ikën me kokën pas, nuk menduan pasurimin, por vetëm ëndërruan ditën e rikthimit në atdhe. 

Emigrantët tanë politikë, për shumë dekada me padurim pritën rënien e komunizmit, një ëndërr, që për shumë vetë nuk erdhi kurrë, dhe për disa të tjerë erdhi në ditët e fundit të jetës, ndonëse shumë pak nga ata shijuan erën e demokracisë dhe lirisë së Shqipërisë.

Rrëfimet e autorit, janë vetëm një pjesë e shkurtër e një jetë të gjatë.

Ish spikeri i radios Zëri i Amerikës zoti Kadeli, synoi të lërë të shkruar në libër të zezën mbi të bardhë, ndryshe nga disa të tjerë, që kujtimet e tyre vdiqën bashkë me njeriun, trupin.

Të lësh gjurmë të së kaluarës, është një nga motivet për të shkruar atë version kujtimesh, atë prespektivë dhe histori, që ke përjetuar dhe që di.

Kalvari i autorit dhe familjes së tij, brenda dhe jashtë atdheut ishte i mundimshëm  dhe vuajtjet vazhduan për disa dekada. Ai provoi kampin e  internimit të Tepelenës kur ishte fëmijë i brishtë…, deri sa arratiset bashkë me të atin, fillimisht në Jugosllavi, ku jetoi 4 vite, më pas shkuan në Itali, mbas një viti në Belgjikë, ku banuan për 4 vite e më në fund u vendosën përfundimisht në SHBA. 

Zoti Kadeli, pasi punoi pak kohë dhe mësoi gjuhën angleze, ndoqi mbrëmjeve gjimnazin, që kishte lënë përgjysëm në Kosovë.

 Autori provoi lloj-lloj punësh, për të siguruar jetesën, mbijetesën, u maturua para kohe, përfundoi studimet bazë universitare në Nju Jork. 

Gjoni në rininë e tij punoi si përkthyes dhe spiker për 8 vite në Zërin e Amerikës, në Seksionin e Gjuhës Shqipe, duke kontribuar për Shqipërinë edhe nga Amerika e largët.

Teksa lexoja librin e tij, më erdhën ndërmend jetë të tjera të ngjashme me të. 

Sa pati nga ata që ishin të rinj e u plakën në megrim, ku familjet i takuan pas rënies së komunizmit; sa pati nga ata që nuk i gjetën as varret e familjarëve, mbeten varrëhumbur, edhe për ata që e moren vesht vdekjen e familjareve në atdhe nuk patën të drejtë t’i jepnin lamtumirën e fundit; sa pati nga ata, që iu vdiqën foshnjet nëpër kampe e krahu u mbeti thatë; sa pati nga ata, që vdiqën vetë me mallin për familje e atdhe?!

Zoti Gjon Kadeli, zgjodhi të rrefejë jetën e tij, që t’i jap një mesazh të qartë bashkëatdhetarëve të tjerë si ai, që të shkruajnë, të dokumentojnë jetën e tyre, që të na lehtësojnë punën neve, që hulumtojmë dhe shkruajmë për mërgatën, që të mos shuhet veprimtaria e tyre bashkë me njeriun, por duke shkruar të mbesin të përjetshëm.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat