Poeti i mirënjohur iku me guximin e heshtjes - Bota Sot
Poeti i mirënjohur iku me guximin e heshtjes

Kultura

E hënë, 15 tetor 2018

Poeti i mirënjohur iku me guximin e heshtjes

Nga: MSc. Albert Habazaj Më: 11 tetor 2018 Në ora: 14:39
Librat

Poeti Fatos Arapi (1929-2018) iku me guximin e heshtjes, të lundrojë mes yjesh, me ecjen e dritës që s'ndalet ... Iku Fatos Arapi ynë. Mbijnë ullinj të gjelbër në Zvërnec e në kodrat e buta mbi Vlorë dhe pikon lotë zie Lirika shqiptare. Dhembje në frymë, në ndjenjë, në mendim. Dritë emrit të tij të lartë me dritë!

Fatos Arapi (1929-11.10.2018). Shkrimtar, ekonomist, matematikan, filolog, studiues i folkoristikës. Ka gradën Shkencore “Doktor i Shkencave”, fituar qysh me fillimet e evidentimit të emrit të tij të përveçëm. Si pakkush tjetër në Shqipëri, ka një biografi të plotë intelektuale dhe letrare kulturore. Me emrin e tij Shqipëria mundet të krenohet botërisht, sepse i plotëson parametrat e duhur krahasimtarë për kalibrin europian e botëror të vlerësimit. Kur kujtoj e përmend emrin e Fatos Arapit, fatmirësisht në ekranin e memories më vijnë imazhet e poetëve të antikitetit, që ishin edhe shkrimtarë, edhe filozofë, edhe matematikanë, edhe astronomë etj., dhe janë ngulitur në Kujtesën e Botës, përjetësisht si ikona të mendimit antologjik botëror. Jo si kjo turma e gjithologëve tanë që na gufosën frymëmarrjen, leximin, studimin. Na mbytën! As nga pena e Xhovani Shytit nuk tuten më derrat...Ndërsa shkëlqimtari i Zvërnecit është i thjeshtë si e vërteta, i madhërishëm, i pashfaqshëm, i dhembshur, i mirë, i dobishëm, qytetar. Është një Atdhe i vogël që lëviz, që merr frymë, që gëzon, që loton, që s’përgjunjet. Ecën. Le gjurmë. Të bukura. Përjetësore.

Ai është POETI

Fatos Arapi është cilësuar  poet elitar shqiptar, kuota më e lartë e krijimit poetik. Ky vlerësim vjen si nga studiuesit e huaj dhe nga kritika letrare shqiptare. Ndërsa studiuesi dhe shkrimtari polak Andrzej Zanieëski e cilëson Fatosin: “poeti më i madh shqiptar”. Sigurisht që tashmë kritika jonë ka pranuar se, Petro Marko është një nga etërit themelues të prozës moderne shqiptare, ndërsa ne plotësojmë mendimin për të dy krahët e peshores letrare prozë- poezi dhe shprehemi se, Fatos Arapi është një nga etërit themeltarë të poezisë bashkëkohore shqipe. Fatosi ynë është lindur në Zvërnecin magjik të Vlorës bregdetare më 1929 në një familje intelektuale dhe atdhetare. Babai i tij Tol Stavre Arapi njihet në krahinën e Vlorës qysh para Shpalljes së Pavarësisë për veprimtarinë e tij patriotike e kulturore në shërbim të Atdheut, ndërsa në vitin 1914 botoi poemën “Kuçedëra” me 20 faqe, shtypur në “Shypshkronjën e shtetit shtypëtar” dhe publicistikën e tij atdhetare e la në dorëshkrim e cila u botua në librin “Që të bënet Shqipëria” (1996). I biri, Fatosi njihet si autor i poezisë ekzistenciale filozofike, i lirikave prillore të dashurisë dhe i elegjive prekëse për vdekjen. Botërisht njihet si poet i imazhit shqiptar dhe përbën fenomen poetik. Njeri i dashur, i dhembshur, me një zë të dridhshëm si një fije në erë, i padukshëm, i pabujshëm. Ka një penë të mprehtë, një botë të madhe, një shpirt të gjerë, që prodhon miliona dashuri jo vetëm me vargun, por me tërë qenien e tij. Ka një varg tronditës. Vërtetësi që kullon art e plagë. Varg të ngjeshur, konciz. Kush si ai i këndoi Luftës? Fatos Arapi është poet i luftës. Në poezitë me tematikë nga lufta tek “Alarme të përgjakura” shfaqet poet i impulseve të forta dhe i shprehjes së vrullshme, përmes vargjesh të rrëmbyera, të ngjyrosura me tonae të asghpra dhe të mbrujtura me një theks polemik dhe disi të zemëruar, sikur vjen të pohojë me zë të lartë, të afirmojë vizionin e vet artistik përmes poezisë së ashpër të luftës. Krijimtaria e tij vijon me këtë tematikë gjatë gjithë jetës. Por...Patriotizëm i trishtë, patriotizëm që dhëmb... E kush si ai i këndoi detit? Fatos Arapi është poet i detit. Si rrallë kush. Kush si ai i këndoi atdheut sy më sy, me të vërtetën korrente, duke e ulur në tokë, duke e zbritur nga monumentet e rënda rënduar me lavdishmëria e fasadës fodulle: Atdheu është dhembje, është dhembje./ një prill i pikëlluar në shpirt./...Atdheu është toka e premtuar./...Atdheu është  buka e uritur:/...në një pikë loti lirinë e lind./ Atdheu yt i vogli, i vogli,/ ai hyjnori, i pavdekshmi-loti”. Fatos Arapi sot është poet kombëtar... “Është e dhembshme Aulona e zhdukur...” bën apel qytetar zëri shqetësues i poetit, që tingëllon vajtueshëm, si një klithmë gati mitike, i qartë se duke mbrojtur kujtesën e gjallë kulturore, të kaluarën e Vlorës antike, ruajtur nga suferinat e mijëravjeçarëve, mbron dhe ndërton të ardhmen letrare, kulurore qytetare. Ai s’kërkon gjë. As tokat e babait që ia kanë grabitur zuzarët. Ai s’kërkon. Vetëm jep. Jep...Vetëm botuesi bujar Jani Malo, njeriu qytetar i kulturës,  ia botoi veprën e plotë poetike në katër vëllime. Fundvitin 2014. Ashtu siç Fatos Arapi e meriton. Edhe në formë. Klas! Vëllimi i parë me Poezi të zgjedhura titullohet “Më jepni një emër” dhe ka krijimtarinë poezitike të viteve 1962-1989; vëllimi idytë titullohet “Në kaq pak Tiranë” dhe ka poezitë e zgjedhura të viteve 1990- 1996; vëllimi i tretë ka titullin”Urna e vogël” dhe përfshin poezitëe zgjedhura të viteve 1997-2003 dhe, vëllimi i katërt me poezitë e zgjedhura të viteve 2005-2010 ka titullin “Një buzqëqeshje e pabesueshme”. Botimi ka ruajtur drejtshkrimin e kohës. Dhe do të vijojë botuesi fisnik i “Neraidës” me botimin e plotë të veprës letrare të Fatos Arapit duke ndjekur kriterin kronologjik sipas gjinive e llojeve letrare, sipas fushave dhe nënfushave të diturisë që autori ka lëvruar. Ja çfarë shkruan Poeti në fillim të vëllimit të tij të parë serial me Poezi të Zgjedhura “Më jepni një emër”:

“Dy fjalë"

Sa herë botoja diçka, unë nuk e lexoja. Thellë vetes më mundonte dhembja: mund ta kisha bërë më të mirë. Dhe më e rëndësishmja: një poezi e botuar je ti, është shpirti tënd. Jo ai që ti mendon për veten, por ai që je në të vërtetë. Në jetë mund të sillesh ndryshe nga ç’je, mund ta zbukurosh veten, mund ta fshehësh. Nuk është diçka e jashtëzakonshme hipokrizia e përditshme njerëzore. Ajo shpesh na bëhet natyrë e dytë. Në art jo, në poezi jo. Në shpirtin tonë, fatlumturisht, ka një këndth, një kthinë, ku nuk hyn dot shtirja, hipokrizia. Atje është arti, ai i vërteti, dua të them. Jeta ime ka kaluar nëpër kohë tmerrësisht të rënda, që shtrihen gati prej fillimit të shekullit të 20 - të. Ndër mokrat e fatit shqiptar, ajo ka qenë tepër e vështirë dhe tragjike. Sa mund t’i qëndroja besnik vetvetes? Çfarë Fatosi krijova prej vetes sime? E keni në veprat e mia. Ju them sinqerisht se, cilido që do të jetë njeriu që ju takoni aty, unë përsëri do të ndjej dhembje. Nuk do të jem i kënaqur prej tij. Përherë ka diçka të paarritshme drejt së cilës duhet të shkojmë. Fatos Arapi”.

Pak biografi letrare

Fatos Arapi, pasi kreu gjimnazin në Vlorë dhe përfundoi studimet e larta në Sofje të Bullgarisë në Fakultetin e Matematikës dhe të Ekonomisë, ka punuar shumë vjet mësues, gazetar dhe pedagog në Fakultetin Histori- Filologji të Tiranës. Fatos Arapi, bashkë me Ismail Kadarenë dhe Dritëro Agollin qenë një treshe e fuqishme, të cilët  bënë pjesë ndër ata poetë që sollën një kthesë të rëndësishme në poezinë shqiptare të viteve '60. Arapi solli në këtë poezi elemente të modernizmit, madje të hermetizmit. Disa herë ka fituar çmime kombëtare e ndërkombëtare për poezi, ndërsa krijimet e tij janë përkthyer në shumë gjuhë të botës. Në vitin 2008, Fatos Arapi fitoi “Kurorën e Artë” në veprimtarinë letrare ndërkombëtare, që shndrrohet në  një manifestim poetik “Mbrëmjet poetike të Strugës” dhe është i pari poet shqiptar që e ka fituar këtë çmim të madh, në historinë 50 vjeçare të Netëve poetike Strugane. Fatos Arapi ka botuar libra me poezi: “Shtigje poetike” (1962), Ka botuar vëllimet poetike "Shtigje poetike" (1962), "Poema dhe vjersha" (1966), "Ritme të hekurta" (1968). "Drejt qindra shekujsh shkojmë" (1977), "Fatet" më 1979, "Duke dalë prej ëndrrës" (1989), "Ku shkoni ju statuja" (1990), "Dafina nën shi" (1991), "Ne, pikëllimi i dritave " (1993),"Më vjen keq për Jagon " (1994), “In - tenebris” (1996),” Gloria Victis” (1997), “Më duhet një gjysmë ëndrre” (1999), “Vëllezër Hamletë” (2001), “Ah, sikur të isha një përrallë” (2003), “Shëtitje pa veten” (2005), “Një zemër falet për mua” (2005); si dhe përmbledhjet poetike “Kaltërisa”, Prishtinë (1971), “Poezi të zgjedhura”, Tiranë (1974), “Poezi”, T. (1983), “Antologji personale” T. (2001), “Eklipsi i ëndrrës” T. (2001), “Dorë për dorë me tragjedinë”, Tetovë (2004), “Fatos Arapi, Selected Poems”, Struga, 2008 etj. Një vend të dukshëm në krijimtarinë e tij, krahas lirikave  të shkurtra, zenë poemat “Drashovica”(1961), “Alarme të përgjakura (1966), dhe “Antiburokratike”(1968). Ndër librat e tij me tregime veçojmë “Horrat e ndershëm” (2007). Fatos Arapi ka lëvruar dhe novelën, si “Patat e egra” (1970), “Dikush më buzëqeshte” (1972), “Cipa e borës” (1985); “Unë vdiqa në brigjet e Jonit”, 1993; “Gjeniu pa kokë” (1999), “Nuk shitet shpirti në tetor” (2002)  si dhe romanet “Dhjetor i shqetësuar” (1970), “Shokët” (1977), “Deti në mes” (1977). Kritika shqiptare ka mendimin se, në prozën e tij ndihet një fillesë poetike në kapjen e motiveve, ndonëse jo kurdoherë subjektte shtjellohen me shtrirje të gjerë. Ky përfundim vlen për t’u diskutuar, sepse dhe në detin e prozës, autori lundron hijshëm me anijen e bardhë të poezisë, që kurrë s’ka kthim prapa dhe çan dallgë. Ndonjë dhe s’ i shikon. Varet nga lentet që përdor. Ndoshta duhet të shikojë syri i studiesve të huaj, që s’kanë komplekse, edhe në këtë lëmë. Krijuesi vlonjat Pali Shtëmbari, psh., novelën “Dikush më buzëqeshte” e quan simbol të prozës tonë, e cila prodhon shije estetike me frazën e shkurtër, me moszgjatjen në të shprehurit pavend, përpos ngjyrimit të veçantë poetik që  përmban fraza. Dhe habitet se përse kritika hesht. Gjithashtu, F. Arapi ka shkruar dramat: “Partizani pa emër” (1962), “Qezari dhe ushtari i mirë Shvejk, në front e diku…” (1995). Në vitin 2000 botoi biografinë historike “Kush ishte Vllasi?” kushtuar vëllait të tij partizan i Luftës për Çlirim, vrarë në mënyrë misterioze mbas luftës.

Ka shkruar edhe vëllimin me kritikë letrare: “Fjalë për poezinë” (1987). Një kontribut të veçantë Fatos Arapi ka dhënë edhe  me botimet e studimeve dhe eseve për problemet e shkencës së folkoristikës (“Këngë të moçme shqiptare”, 1986), vështrime historike për Ballkanin, “Çështja shqiptare dhe kriza ballkanike”, 2001), për Vlorën, për poezinë, si për Lasgush Poradecin etj. Është marrë dhe me përkthime “Kënga e popujve”, 1978; “Këngë për njeriun” të Nikolla Vapcarov, 1981; “Poezi” nga Pablo Neruda, 1989; “Safo”, 1990; “Rrathët e Ferrit” nga Husto Horhe Padron, 1995; “Poezi të zgjedhura” nga Ëislaëa Szymborska, 1997; “Fluturimi i shpendit të kuq” nga Mateja Matevski, 2000;  “Providenca” nga A. Popovski, 2000 “Antologji e poezisë turke të shekullit XX”, 2001; (përkthime nga poezia spanjolle, kiliane, polake, bullgare, maqedonase, turke etj.). Ka botuar dhe librin me kujtime autobiografike “Kujtohem që jam”, 1997, që pa e lexuar, nuk besoj se mund të thotë kush: “Unë e njoh Fatos Arapin”. Ka botuar edhe shumë tregime, novela, studime e artikuj në faqet e shtypit të përditshëm apo në botime të tjera periodike. Zërin për të në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar e ka përgatitur Dalan Shapllo. Duke e gjykuar krijimtarinë e F. Arapit në kontekst, duhet të mos dëshpërohemi kur kemi kuptuar se libri me poezi “Ritme të hekurta” (1968) ka nota konformiste, si refleks i Revolucionit Kulturor. Ndërkohë, duhet të mos harrojmë se vëllimin "Më jepni një emër" (1972) diktatura ia ndaloi. I kritikuar me spastrimet e vitit 1973, s’kishte sit ë mos kthehej në karton ai libër i bukur: “Më jepni jë emër…/ Ku unë të jem tek ju,/ si jeta në pikën e gjakut;/ ku ju të ecni mbi mua,/ siç ecni në rrugë..../ Më jepni një emër.../ Ku brenda një bulëze loti/ të fluturoj si Ikari.”. Krahas shumë veprave të tjera letrare, ra në heshtje për një farë kohe si poet dhe nuk botoi gjë me peshë deri më 1989. Logjika e studimit të veprës së tij na fton që të dallojmë se, qysh  në hapat e parë ai paralajmëroi për një zë të veçantë në artikulimin gjuhësor të botës dhe të njeriut, një vizion të vetin mbi realitetin. Fillimet poetike të Fatosit do të jenë tematikisht të rrudhura e të reduktuara, duke u kushtëzuar nga rrethanat politike të kohës. Në frymën e hovit ndërtimor dhe të entuziazmit për çlirimin e vendit, që mbizotëronte brenda parimeve krijuese të realizmit socialist poeti shpaloste besimin se Shqipëria ecte drejt një rruge të re, të lirë, dhe ky besim bënte të përballohej më lehtë durimi dhe sakrifica. Brenda këtij vizioni, Fatos Arapi shpesh do t'i përqeshë e përbuzë burokratët dhe demagogët, si në poezinë "Antiburokratike", apo do të sjellë disa veçanti përmbajtësore dhe ekspresive si në poezinë "Pse erdha në jetë". Siç shihet, poeti i thur ode lirisë dhe "mejtimit të lirë" siç e quan ai. Është synim dhe ideal madhor, pas të cilit poeti magjepset dhe përbetohet. Lirikat e Fatosit janë të një niveli evropian, lirika universale, tërheqëse dhe emocionuese që bëjnë për vete çdo lexues në Ballkan, në Mesdhe, në Europë. Lirika te tij bëhen të afërta për qytetarët e botës, sepse ai paraqet figurë botërore në sferën e krijimit poetik, poet elitar shqiptar dhe një nga poetët e lartë të gjallë të ditëve të sotme. Fjala poetike e tij është moderne, universale dhe e përjetshme. Ka lënë këtë lloj përjetësie të flasë për të, ndërsa ai vetë ka zgjedhur të tërhiqet prej të qenit publik.  Dhe pret të enjten e datës 11 tetor 2018, si ditë e mirë dhe ikën “të lundrojë midis yjesh, … me ecje drite që s’ndalet…”

Studiuesit e huaj

Më vjen çudi, që brilantini poet shqiptar nga Zvërneci i Vlorës, i cili rrok lartësitë e qiejve letrarë të Europës (tash e  gjysmë shekulli fluturim pandalur e pa ulur lartësitë), nuk përmendet në veprën e natyrës enciklopedike  “Fjalori Enciklopedik Shqiptar”, Tiranë, Akademia e Shkencave e RPSSH, 1985. Sinqerisht tronditem. Dhe hesht hidhur. Dhe vargu i Poetit është  lënduar. Atdheu i tij dhembja dhe varri. Ndërkohë, që  studiuesit e huaj, si Giuseppe Gradilone, Joyce Lussu, Anté Popovski, Robert  Elsie etj., shkruajnë studime shkencore me vlerësime të kalibrit europian dhe universal për Poetin e Madh Shqiptar Fatos Tol Arapi: Anté Popovski -“Poezia e Fatos Arapit është vertikalja estetike dhe morale e poezisë bashkëkohore shqiptare të gjysmës së dytë të shekullit XX. Vuajtjet përmes kohës së turbullt e të keqe, Fatos Arapi i përshkoi sipas rrugës ë vet, duke mbetur gjithmonë origjinal e i qëndrueshëm me veten, i pakapërcyeshëm e i afirmuar, me vërtetësi poetike e morale...Në mënyrë konseguente e me një vazhdimësi të sigurt ndërtoi vizionin e tij prekës dhe tragjik në poezinë e tij dhe u bë tribun i dinjitetit njerëzor”. Fatet shqiptare përmes poezinë së Fatos Arapit, lëvizin duke mbajtur në gjokse si hajmali prushe të ndezura nga hiri i jetës shqiptare. Me sy të lodhur nga akrepët e epitafeve , duke mos mundur të jetojë pa truppin dhe shpirtin e ullinjve, dorë për dorë me tragjedinë, autori e lut vdekjen që të respektojë fatin e tij njerëzor.  Janë homerike vargje të tilla: “Në kryqin e skeletit të Fatosit/ Kryqëzova gjithë padrejtësitë e botës./ Liria ime! Më mjafton ti,/ edhe pa Fatosin.”.  Joyce Lussu shprehet: “Karakteristikë e poezisë së tij është një ndërthurje e vazhdueshme e temave të mëdha historike e sociale dhe ato personale e intime; imazhet e revolucionit dhe të vajzës së dashur, ndjesitë familjare dhe të ndërtimit të një shoqërie të re, dalin me një frymë nga goja e poetit, me një stil autentik, pa skematizma”. Ndërsa Giuseppe Gradilone thekson: “Poezia e Fatos Arapit është një gur themeli në historinë e poezisë shqiptare: ai...duke u nisur atje ku kishin mbrritur Koliqi e Poradeci, dhe, duke përvetësuar mësimet e tyre për përtëritjen dhe pasurimin e lirikës së popullit të vet, shkonte më tej duke u bërë kështu sjellësi i një poezie akoma më moderne në përjetimin e fatit të njeriut...”. Është për t’u theksuar, se qyshnë fiilimet krijuese F.Arapi përdori forma poetike më bashkëkohore se kolegët dhe i dha tonin rinovimit të poezisë shqiptare .

Albanalogu kanadez Robert Elsie

Në librin enciklopedik “Histori e Letërsisë Shqiptare”, në kapitullin “Letërsia nën regjimin e Enver Hoxhës (1944-1985) dhe dalja nga izolimi”, duke shkruar për poezinë e sotme në Shqipëri, studiuesi Robert Elsie shkruan: “Më i mirënjohuri ndër poetët e sotëm shqiptarë, që e kanë zgjidhur dilemën e poetit me mision të paracaktuar është Fatos Arapi”. Dhe më tej: “Fëmijë i Bregdetit, Arapi nuk e ka humbur kurrë magjepsjen nga ujërat vezuellues të detit, nga shija e ajrit të njelmët dhe nga dielli i fortë i Mesdheut, të cilat vërshojnë dhe njomin vargun  e tij. Madje , prapa këmbimit plot patos të temave të prodhimit e të ndërtimeve industriale apo atyre politike në vëllimet e mëvonëshme, vokacioni i vërtetë poetik i tij mund të hetohet në krijimin e një baraspeshe midis harmonisë së valëve të detit dhe rrahjeve ritmike të qenies së tij. “U krodha në ujrat e Jonit,/ Në ngjyrat dhe dritat e tij./ Notoj mes përflakje mirazhesh./ Kthjelltësia e tyre më prek/ E më rrënqeth trupin... dhe ndjej/ Nëpër shpirtin tim,/ Si rryma të kaltra gëzimi/ Shkojnë dritat e ngjyrat e Jonit./ Si rryma të kaltra gëzimi.” Duke dhënë një mendim të përmbledhur e substancial, Elsie rrok edhe prodhimtarinë letrare të Arapit në  lëmin e prozës, duke e cilësuar kryesisht poet, që nuk i nënçmon prozën dhe kritikën letrare, edhe pse studiuesit në fjalë, një pjesë e letërsisë në prozë e autorit  i duket jo fort bindëse. Telegrafisht mund të theksojmë se romani “Shokët” ( Tiranë, 1978) rrëfen për brengat e Azem Bungës, fshatar nga Bregu i Labërisë, dy bijtë e të cilit janë vrarë njëherësh në luftën e rezistencës, kurse ai vetë e ndjeu detyrim të paktën t’i varrosë në mënyrë të duhur. “Kritikët, - shkruan Elsie- e interpretuan romanin si një kundërpërgjigje ndaj romanit “Nëntori i një kryeqyteti” të Kadaresë, të cilin Arapi e kritikonte ashpër. Deti në mes” (Tiranë 1986) ka vënë në qendër vuajtjet dhe fundin tragjik të një njësie ushtarësh italianë  në vjeshtën e vitit 1943. Duke u munduar t’i shpëtojnë një kasaphane tjetër pas kapitullimit të trupave italiane në Shqipëri, ky grup djemsh ushtarë, të braktisur në rrugë të madhe diku buzë bregdetit jugor të Shqipërisë, gjen strehë në kishën e Trinisë së Shenjtë me shpresën e kotë se mos gjejnë ndonjë varkë që t’i shpjerë shëndoshë e mirë në Itali”. Duket se kemi disa pika takimi në prozën e gjatë të F. Arapit për vizionin e tij letrar e njerëzor të përafërt me atë të bashkëpatriotit të tij humanistit universal Petro Marko apo me botën e madhe të titanit Hemingëay (Ernest Heminguej).

Kritika shqiptare

Po ashtu, kritika e mirëfilltë letrare dhe stuiduesit më në zë shqiptarë, si Ali Podrimja, Ali Aliu, Agim Vinca, Isak Shema, Razi Brahimi, Jorgo Bulo, Dalan Shapllo, Gjergj Zheji, Bashkim Kuçuku, Roland Zisi, etj. Ndërkohë, patjetër, që në botimin më të ri të nivelit akademik “Fjalor Enciklopedik Shqiptar” (Shih: FESH, vëll. 1, Tiranë, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2008, f. 86-87) ia paraqet biografinë letrare: poet, prozatore e eseist, që nisi të shkruajë qysh në vitet e studimeve, duke u orientuar drejt poezisë filozofike. Zërin për të në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar e ka përgatitur kritiku D. Shapllo. Fatos Arapi i përket brezit të poetëve të poetëve që në vitet ’60 të shek. XX sollën një mendim e figuracion të ri, duke e emancipuar poezinë e kohës nga rutina poetike dhe notat retorike të vargëzimit të angazhuar. Poeti u mbështet tek fryma e poezisë popullore dhe forca e saj përgjithësuese, duke iu larguar stilit narrativ, përshkrues. Tingëllim të veçantë në poezinë e tij kanë motivet kundër mendësisë burokratike dhe meskinitetit. Në disa nga krijimet, më të goditurat, Poeti evokon me nota himnike heroizmin e viteve të luftës antifashiste (kujtojmë ciklin “Në varrezat e dëshmorëve në Vlorë”, apo vargjet për Margarita Tutulanin, për Hysen Çinon, Teli Ndinin, për Shyqyri Alimerkon, për Vllasin...). Poezinë e tij e dallon mendimi përgjithësues dhe forca e dëpërtimit në botën e individit dhe përsiatjet e tij subjektive. Me kalimin e viteve ajo është bërë më metaforike; përmes vargjeve eliptike dhe përmes simbolit e alegorisë, ajo synon të hyjë në nënshtresat e ndërgjegjes dhe në të fshehtat e shpirtit njerëzor. Disa motive të poezisë së tij pasqyrojnë tragjizmin e jetës njerëzore, bëjnë fjalë për një horizont të mjegullt, brenda të cilit ndihen ankthe dhe pasiguri. Metonomia, simboli, detajete goditura i japin forcë shprehëse kësaj poezie. Vargu i Fatos Arapit është një gërshetim i vargut klasik me vargun me ritëm të lirë, që fiton një tingëllim origjinal.

Me të drejtë, studiuesi dhe poeti Agim Vinca vëren se në krijmtarinë e F. Arapit ka dy linja poetike, ka dy lloj inspirimesh qytetare dhe letrare: linjën e frymëzimit kolektiv  (me bllokun poetik për atdheun, me të kaluarën dhe të ardhmen e tij, për marrëdhëniet e reja shoqërore, afirmimin evlerave njerëzore e atdhetare, me kundërshtimin e psikologjive negative për kohën, me lirikat e dashurisë për natyrën etj., etj.) dhe linjën e frymëzimit intim, ku poeti shfaq preokupimet e veta intime, zbulon botën e tij të brendshme, përsiat për jetën, dashurinë, natyrën, edhe për vdekjen”. Këngëtari i Pavarësisë, i paharruari Ali Podrimja, në parathënien e vëllimit me poezi të zgjedhura “Eklipsi i ëndrrës” (2002), si lexim i një dëshpërimi, kur ndjen në poezinë si klithmë denoncimi “Dhe je Evropë” vargjet e Fatosit tonë që i thur popullit të tij “Ç’të bëjë vdekja me vdekjen tënde/ i pavdekshmi im?”shkruan: “Fatos Arapi ndaj momentit të pikërishëm të shoqërisë shqiptare është mjaft kritik. Kërkon shoqëri të pastër e dinjitoze. Nuk mund të pranojë “se se masakrojnë ëndrrat në gjumë”. Duke lexuar jo vetëm poezitë e tij, frikësohem se nuk po tregohemi më të kujdesshëm. Shqipëria ëshët shenjë, “i vetmi që ka mbetur”... e pranon poeti. “Përtej është koha ku s’mund tëshkelim”. Dëshpërimi i tij është dhe dëshpërimi ynë për gjysmën tjetër të ëndrrës, kur të dalim nga eklipsi i saj. Vetëm dhembja mund t’i bashkojë njerëzit dhe t’i vërë në lëvizje, pohon Podrimja dhe është dakort me Poetin tonë se duhet të kemi raportetë tjera jo vetëm me Evropën, që të mos mbesim vrimë e zezë në univers. Ali Aliu shkruan: “Te figurshëmria poetike e Fatos Arapit zbulojmë ngjyrat e një horizonti të hapur, të kaltër, hetojmë tonet që synojnë pushtimin e kaltërsive dhe të horizonteve të pafund. Figura poetike e Fatos Arapit, zakonisht është përmasash universale kozmike - ajo sikur përherë lakmon dhe synon sinteza të gjithëpushtetshme duke qenë përherë e thellë posaçërisht në mendim”.

Studiuesi i poezisë në letërsisë bashkëkohore shqipe Roland Zisi shkruan: “Fatos Arapi është investuar në poezinë shqipe për një krijimtari të fortë atdhetare e shoqërore. Ai shfaqet gjithmonë i dashuruar me Atdheun, me Shqipërinë e shqiptarët, nuk i idealizon e hyjnizon, madje ndonjëherë edhe i qorton e kritikon, por gjithmonë ruan në zemër e në shpirt mirënjohje përvujatëse...ai mbetet poeti i besimit tek Atdheu, Liria dhe Njeriu, poeti i shpresës, si pika e fundit e jetës njerëzore. Këtë mesazh përcjell edhe poezia me titull “Edhe pak, zemra ime”, me të cilën ai përmbyll përmbledhjen poetike “Ah sikur të isha përrallë”. Sepse poezia e Fatos Arapit më mbush me dritë të bardhë e të ngrohtë letrare, nga që poezia e tij ka fiuar vlera të plota dhe universale, kam bërë  një poezi si prelud për detin e Vlorës, ku këndoj: Pijmë birrë e valë, e këngë e zjarr,/ e gurgullullojmë si rruaza xhevahiri,/ vargjet për ty burojnë ujëvarë,/ i vemë kurorë një gjethe ulliri./ Krijojmë e ndezim diellin si Fatos Arapi,/ Si zogj furtune në buzë të detit,/ s'është gjë takimi i mbretit me mbretin/ para takimit të poetit me poetin!

*Bibliograf, studiues,

Përgjegjës i Bibliotekës Shkencore

“Nermin Vlora Falaschi”,

Universiteti “Ismail Qemali’, Vlorë, Albania.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test