Rreth 1600 asete vihen nën mbrojtjen e Ligjit për Trashëgiminë Kulturore

Kultura

Rreth 1600 asete vihen nën mbrojtjen e Ligjit për Trashëgiminë Kulturore

Më: 10 tetor 2018 Në ora: 14:11
Kujtim Gashi

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) Kujtim Gashi, sot ka nënshkruar vendimin për aprovimin e Listës së Trashëgimisë Kulturore për Mbrojtje të Përkohshme me 1595 asete, të cilat do t’i nënshtrohen masave dhe regjimit mbrojtës sipas Ligjit për Trashëgiminë Kulturore.

Këtë vit, janë propozuar, shqyrtuar dhe aprovuar propozime të reja të objekteve të cilat bartin në vete ngjarje, momente e periudha të rëndësishme nga historia, kujtesa kolektive e zhvillimit urban, social, tregtar dhe infrastrukturor të vendit. 

Disa nga këto asete, të cilat janë përfshirë këtë vit si propozime të reja në Listën e Trashëgimisë Kulturore për Mbrojtje të Përkohshme janë: Shtëpia e lindjes e Adem Demaçit, Shtëpia e Adem Demaçit, Qendra Tregtare Gërmia - Prishtinë, Selia e Shtabit të Brigadës 121 Komandant Kumanova, Kompleksi Memorial Mujë Krasniqi, Shtëpia Muze e Fadil Vatës, Shtëpia e Kulturës në Runik dhe disa objekte të tjera të cilat tashmë gëzojnë status të ndërtesave/aseteve të mbrojtura sipas Ligjit për Trashëgimi Kulturore.  

“Falënderoj të gjitha palët e angazhuara, në çfarëdo forme, në debatin dhe procedurat tjera të aprovimit të listës, si zërat e opinionit publik, ekspertët e jashtëm, personat fizik të përfshirë në cilësi të ndryshme, institucionet lokale dhe institucionet, profesionistët dhe komisionet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit për përmbylljen me sukses të këtij procesi,” ka thënë ministri Gashi, pas nënshkrimit të listës. 

MKRS dhe institucionet e trashëgimisë kulturore shprehen se do të jenë maksimalisht të angazhuara për të zbatuar masat, obligimet dhe standardet profesionale të ruajtjes dhe mbrojtjes së vlerave tona të trashëgimisë kulturore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat