Sezoni i teatrit nis te “Turbina”. Organizohet festivali mbarëkombëtar, pret 14 trupa

Kultura

Sezoni i teatrit nis te “Turbina”. Organizohet festivali mbarëkombëtar, pret 14 trupa

Më: 22 shtator 2018 Në ora: 17:14
Hervin Çuli

Sezoni i ri për Teatrin do të fillojë në “ArTurbina”. Skena është bërë gati për premierën e radhës “Tag”, por jo vetëm kaq. Për të mirëpritur edhe 14 trupa teatri që do të jenë pjesë e Festivalit Mbarëkombëtar të Teatrit, i cili do të zhvillohet po ashtu në këtë skenë multifunksionale të “ArTurbinës”.

Hervin Çuli, drejtor i Teatrit Kombëtar, shprehet: “ArTurbina ka pasur edhe organizime të tjera muzikale, por si shfaqje teatri është shfaqja e parë që çel festivalin. Pra, premiera “Tag” e Teatrit Kombëtar hyn në histori sepse është ajo e cila është fjala e parë teatrale që thuhet në ArTurbina”.

“ArTurbina” do të flasë shqip me të gjitha dialektet dhe format e saj në skenë. Një festival që përfshin gjithë trevat shqipfolëse: Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal i Zi. Çdo ditë do të ketë nga dy shfaqje, në orën 18:00 në Universitetin e Arteve dhe në orën 21:00, në “ArTurbina”.

“Festivali është mbarëkombëtar. Na pëlqen të themi që është një rikthim i një festivali shumë të bukur, i organizuar nga i ndjeri Vangjush Furxhiu deri në 1996”, thotë Çuli.

Pas zhvendosjes në këto ambiente të reja, trupa e Teatrit Kombëtar do të qëndrojë këtu deri në ndërtimin e një skene të re të teatrit. Nga ana tjetër, ka pasur edhe thirrje për bojkot nga ata që mbështesin aktualisht mosshembjen e godinës ekzistuese të Teatrit Kombëtar.

“Edhe ata që mbrojnë idenë e mosprishjes së teatrit, nuk kanë arsye për të qenë armik me një skenë të re”, thekson Çuli.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat