Toka dardane po e pret krah hapur kolonelin e pavarësisë së saj, Ahmet Krasniqin

Kultura

Toka dardane po e pret krah hapur kolonelin e pavarësisë së saj, Ahmet Krasniqin

Hilmi Gashi Nga Hilmi Gashi Më 19 shtator 2018 Në ora: 11:31
Kolonel Ahmet Krasniqi

Kolonel Ahmet Krasniqi, ish-Ministri i parë i Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, nipi i Aziz Zhilivodës të Kosovës, më datë 21 shtator 2018, po kthehet për t’u prehë i qetë e përjetsisht në tokën dardane të Kosovës, të cilën e deshi aq shumë e gjithmonë me veprat e veprimtarinë e tij të gjithanshme e të pandalur duke dhënë dhe jetën e vet për lirinë e pavarësinë e saj, për bashkim kombëtar panshqiptar.

Koloneli ynë i shquar, koloneli i shtetit të pavarur e sovran të Kosvës, po kthehet në vendlindjen e tij dardane në moshën 70 vjeçare, po kthehet 20 vjet pas vrasjes së tij në Tiranë, me atentat të pabesë e gjakatar, nga dora e zgjatur e Serbisë, një krim ende i pazbardhur e pa ndëshkim ndaj autorëve kriminalë antikombëtar.

Koloneli Ahmet Krasniqi ishte strateg i madh i luftës dhe një trim i rrallë, vizionar i kohës, njeri i fjalës dhe i pushkës, i lapsit dhe i luftës, i lindur dhe i pregaditur nga familja e të madhit prijtar e luftëtar i lirisë e bashkimit kombëtar shqiptar, Aziz Zhilivoda i Kosovës e Shqipërisë Etnike.

Kolonel Ahmet Krasniqi, ky strateg e martir i madh i lirisë, pavarësisë së Kosovës e bashkimit kombëtar shqiptar, po vjen më 21 shtator 2018 në vendlindjen e tij, në Kosovën dardane, me titullin e lartë “Hero i Kosovës” (nga Presidenca e Kosovës, 2008) dhe me dekoratën “Gjergj Kastrioti - Skënderbeu”, e dyta dekoratë më e lartë në Shqipëri (nga Presidenca e Shqipërisë, 2015).

Unë ndihem krenar që e kam njohur, i nderuar që isha bashkëluftëtar e vartës i tij në kohën e Luftës së Kosovës, i mbetem mirënjohës përjetë emrit e veprave të tij kombëtare shqiptare, pasi me burra të tillë kombëtar të shquar i erdhi liria e pavarësia Kosovës dhe na vjen bashkimi kombëtar shqiptar.

Toka dardane po e pret me krahë të hapur, për t’u prehë i qetë e përjetsisht në gjirin e saj, kolonelin tonë kombëtar Ahmet Krasniqi, luftëtar, ushtarak e ministër i Mbrojtjes, martir hero; një nga figurat e shquara ushtarake të historisë shqiptare, të lirisë e pavarësisë të Kosovës, të bashkimit kombëtar shqiptar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat