U mbajt manifestimi kulturor “arti në qiell të hapur”

Kultura

U mbajt manifestimi kulturor “arti në qiell të hapur”

Nga: Shaip Emerllahu Më: 16 shtator 2018 Në ora: 07:09
Pamje nga manifestimi

Prej 14-15 shtator 2018, në Tetovë, u mbajt Edicioni i parë i Manifestimit "Arti në qiell të hapur", të cilin e organizoi asociacioni kulturor MLN "Ditët e Naimit". Ky aktivitet ishte ndryshe... Programi multart u zhvillua në shetitoren e qytetit dhe në Spitalin Klinik të Tetovës. Në te patëm mundësinë të ndjekim një program të larmishëm, ku u gërshetuan arti poetik me ate pamor, skenik e muzikor. Nën një atmosferë kulture dhe arti, plot risi, poetët lexuan poezitë e tyre ndërsa piktorët pikturuan temat, motivet e poezive të tyre...Drejtori Shaip Emërllahu, në fjlaën e hapjes së edicionit të parë të këtij aktiviteti kulturor, theksoi se, qëllimi i ngritjes së një manifestimi të tillë është tendenca për ta masovizuar, afirmuar kulturën dhe artin, për ta nxjerrë jashtë mureve. Duke parë prirjen gjithnjë në rënie të publikut/lexuesit nëpër aktivitetet kulturore e letrare vendosën që të dërgojmë artin aty ku është lexuesi/publiku në trotuare, në spitale... gjithandaj ku janë njerëzit. Qëllimi i kësaj është të mbajmë gjallë flakadanin e rolit dhe rëndësisë që luan arti dhe kultura në fisnikërimin, humanizimin, plotësimin, në përkryerjen e njeriut dhe shoqërisë. Ky binom, theksoi ai, gjithsesi, duhet të mbajë relacione të afërta me njëri tjetrin. Modele të këtilla organizimi kaherë në qytete të ndryshme evropiane e botërore kanë zënë vend. Ne jemi të vonuar... Të fillojmë ta masovizojmë, intensifikojmë dhe ta dinamizojmë kulturën e artin.  

Në këtë aktivitet multart, poetët e njohur Bujar Plloshtani, Daim Iljazi, Ekrem Ajruli, Ejup Ajdini, Shaip Emërllahu, etj.  lexuan poezitë e tyre, ndërsa piktorët pikturuan motivet e poezive të tyre. Gjithashtu, u deklamuan poezi të poetëve francez nga prof. Xhelal Zejneli dhe poezi të poetëve shqiptarë Ismail Kadare e Ali Asllani nga nxënësi Edmond Sadiku. Në këtë program spontan u ekzekutan disa pika muzikore dhe u kënduan këngë të ndryshme në piano nga Biondina Selami dhe Olti Esati, në violinë Orel Esati, me fizharmonikë Genti Imeri etj). Në këtë mbrëmje pat një pikë baleti, u vallëzua dhe u ndanë falas libra të shtëpisë botuese "Ditët e Naimit" të pranishmëve dhe kalimtarëve.

Më 20 shtator, manifesitimi kulturor "Arti në qiell të hapur" u mbajt në Spitalin e Tetovës. Para të pranishmëve poetët dhe artistët virtuaz të rinj mbajtën gjallë atmosferën artistike.

Pikturat e realizuara në këtë aktivitet së bashku me një numër titujsh të shtëpisë botuese "Ditët e Naimit" do t'i dhurohen spitalit të Tetovës).

Në fund të themi se Edicionin e parë të Manifestimit kulturor "Arti në qiell të hapur", u mbështet nga Minsitria e Kulturës së R. së Maqedonisë përmes programit "Vala kulturore 2018".

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat