Despoti

Kultura

Despoti

Nga: Viron Kona Më: 10 shtator 2018 Në ora: 12:52
Viron Kona

Luanit i kishin rënë thuajse gjithë dhëmbët,

ndaj s`kishte më fuqi që pyllin ta drejtonte,

kafshët i kërkonin dorëheqjen sa më shpejt,

të dorëzonte fronin, donte apo s` donte.

 

I detyruar, i mblodhi tërë kafshët në shesh,

para tyre mbajti një fjalim të ndjerë, atëror,

shprehu mendimet ashtu siç ia donte puna,

edhe si demokrat “i regjur”, dhe si diktator:

 

Unë, mbreti, premtoj sot n`mënyrë solemne:

kurorën dhe skeptrin dikujt do t`ia dorëzojë,

veçse, ngul fort këmbë që të zbatojmë ligjin:

“Kush është më i forti,ai duhet t`mbretëroj.”

 

Unë do të nis t`ulërijë me tërë fuqitë që kam,

me sytë te sheshi i pyllit juve do ju vëzhgojë,

kafsha që s`do të frikësohet nga ulërima ime,

qoftë mbreti i ri,fronin ta gëzojë e trashëgojë.

 

Mbreti tha këto fjalë e u ngrit mbi dy këmbë,

dhe ulëriti aq fort sa u drodh toka dhe qielli,

gjithë kafshët u drithëruan dhe të lebetitura

ia mbathën ku mundën nga frika dhe tmerri.

 

Luani hodhi vështrimin me krenari përreth,

efekti i ulërimës së frikshme i dha kënaqësi,

por u habit kur pa në shesh një pretendent,

një gjëzë fare e vockël qëndronte përpara tij.

 

Shtypi fort ndjenjën e zilisë e t`madhështisë,

sepse sipas fjalës, fronin duhej ta dorëzonte,

po ç` ishte vallë ky aventurier kaq  i fshehtë,

që hapur e paturpësisht kurorën i kërkonte?

 

U befasua kur dalloi kafshëzën konkurrente,

madje, një çast iu duk se qe duke ëndërruar,

ishte lepuri, frikacaku i madh dhe legjendar,

që, n`sheshin e pyllit mbretin e kish sfiduar.

 

Luani turfulloi egër dhe s`po e mbante vendi, 

qe fyer rëndë dinastia e mbretërve shekullorë,

do t`i jepte një dënim t`padëgjuar atij faqeziu,

q`askush t`mos lakmonte më fronin mbretëror.

 

Por, lepuri pretendent s`lëvizte,nuk reagonte,

qëndronte i shtrirë dhe sa gjatë-gjerë në tokë,

 i kish pushuar menjëherë zemra atij të gjori,

sapo luani i fuqishëm kishte ulëritur aq fortë...

 

Mbreti qëndroi si i hutuar pa ditur ç` të bënte,

pastaj befas i erdhi një mendim që e lumturoi:

“Po i vë, tha, kurorën këtij lepurit të ngordhur,

dhe nën emrin e tij,  unë pyllin do t`sundojë”.1)

 

Me madhështi dhe hap të rëndë ceremonial,

lepurit të ngordhur i vuri kurorën mbi kokë,

kafshët e pyllit përgjonin përmes shkurreve,

përpjekjet për ndryshim u kishin shkuar kot.

 

Që atëherë luani sundon i patrazuar e n`qetësi,

rolin e tij si despot i pyllit askush s`e përgojon, 1)

kurse për aventurat, krimet  e padrejtësitë e tij,

çdo kafshë e pyllit “mbretin” e ngordhur fajëson.

1). Despot: Sundimtar me pushtet absolut e të pakufizuar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat