Shtëpia trishekullore në Gjirokastër, që shërben si muze etnografik

Kultura

Shtëpia trishekullore në Gjirokastër, që shërben si muze etnografik

Më: 19 gusht 2018 Në ora: 12:31
Shtëpia trishekullore në Gjirokastër

Shtëpia e Skëndulatëve është një prej destinacioneve kryesore, që turistët preferojnë të vizitojnë në qytetin e Gjirokastrës.

E ndërtuar tri shekuj më parë, banesa e tipit kullë, që përfaqëson një model tipik të jetës në një familjeje qytetare patriarkale të kohës, po luan aktualisht rolin e një Muzeu Etnografik në qytet.

Nesip Skënduli, pasardhësi i brezit të pestë të Skëndulatëve që ndërtuan banesën, thotë se ndryshe nga stërgjyshërit e tij, ai vështirësohet shumë për të mirëmbajtur banesën.

600 metra katrorë çati kërkojnë punë mjeshtërore çdo verë, ndërsa mbështetja prej shtetit ka munguar plotësisht. Nesipi thotë se vite më parë vendosi të ofrojë shtëpinë si një destinacion që rrëfen mbi arkitekturën e kohës, jetën qytetare, organizimin e familjes, ritet, ceremonitë dhe shkëmbimet.

Vizitorët nga të gjitha kontinentet janë mbështetja e vetme për ta shpëtuar banesën. Nesip Skënduli thotë se, edhe promocioni për qytetin është ende i vogël, ndërsa kërkon vëmendjen e shtetit për të mos i humbur thesaret e trashëgimisë dhe arkitekturës.

Banesa unike Skënduli, pjesë e qendrës historike të qytetit, ka 64 dritare, një qilar të nëndheshëm guri për magazinimin e ushqimeve, një sterë uji me kapacitet 130 mijë litra, një dhomë-bunker për mbrojtje në rast lufte apo tërmeti, 6 tualete, një hamam dhe një sistem të sofistikuar frëngjish për vetëmbrojtje.

Banesa është vlerësuar ndër më të bukurat në Ballkan dhe mes më moderneve për nga komforti dhe ana funksionale për fillimshekullin e XVIII.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat