Tre artistë shqiptarë në Festivalin “Vera e Ohrit”

Kultura

Tre artistë shqiptarë në Festivalin “Vera e Ohrit”

Më: 8 gusht 2018 Në ora: 16:57

Në Edicionin e sivjetmë të Festivalit “Vera e Ohrit” do të performojnë edhe tre artistë shqiptarë: pianisti dhe kompozitori Robert Bisha, kitaristi Drilon Çoçaj, flautisti Elvis Rudi si dhe pianisti Marin Gjollma.

Koncerti i Robert Bishës do të mbahet në Kishën e Shën Sofisë më 10 gusht, me fillim në orën 21:00. Bisha është pianist dhe kompozitor tepër i talentuar, improvizues gjenial dhe është një nga multi-instrumentistët më të talentuar sot. Muzika e tij është bashkëkohore, me elemente të xhazit avangard. Performon në piano elektrike, duke bërë remikse të muzikës origjinale, duke i implementuar teknikat e muzikës klasike me harmoni bashkëkohore dhe elemente të folklorit të pasur shqiptar.

Muzika vokale polifonike është ende aktuale në Shqipëri, ndërsa në vitin 2005 është shpallur për kryevepër të trashëgimisë jomateriale kulturore të njerëzimit nga ana e UNESKO-s. Kori shqiptar Iso-polifonik është përfaqësuesi më i madh i stileve të ndryshme muzikore nga jugu i Shqipërisë. Fjala “iso” e paraqet të ashtuquajturin dron (shoqërim, ku një ton ose akord vazhdimisht tingëllon nëpër gjithë kompozimin), i cili mund të këndohet vazhdimisht ose ritmikisht në kundërshtime me meloditë e tjera. Kompozimet e këtilla kryesisht i performojnë zërat mashkullorë në ngjarje të ndryshme sociale. Tradicionalisht, këndimi iso-polifonik nga pjesët jugore të Shqipërisë transmetohet “nga brezi në brez”.

Ndërsa, kitaristi nga Kosova Drilon Çoçaj do të performojë më 13 gusht, me fillim në orën 21. Çoçaj do të performojë vepra nga Johan Sebastian Bah, Fernando Sor, Abel Karlevaro, Manuel Ponse.

Drilon Çoçaj me kitarën njoftohet në moshën shtatëvjeçare në rrethin e familjes. Më vonë regjistrohet në shkollën e muzikës “Lorenc Antoni” në Prizren, ndërsa në vitin 2004 i regjistron studimet e tij deridiplomike në Akademinë për Arte në Prishtinë, në klasën e profesorit të njohur Xhevdet Sahatçija. Nën mentorimin e tij Çoçaj i përfundon edhe studimet pasdiplomike. Në biografinë e tij Çoçaj regjistron fitore në Garë internacionale për muzikantë të rinj “Ars Kosovë” në Prishtinë, koncerte të shumta solistike dhe kamertale në Kosovë, por edhe në Shqipëri, Suedi, Mal të Zi, Gjermani, pastaj pjesëmarrje në festivale të ndryshme, si “Tingujt e kitarës” në Tiranë, “Dam Fest” dhe “Re Muzika” në Prishtinë, festivalin e njohur “Shopen” në Poloni, Festivalin veror në Ulqin dhe të tjerë. Ai për momentin punon si asistent në Fakultetin për Arte në Prishtinë, profesor në shkollën e muzikës “Prenk Jakova” në Prishtinë, dhe në shkollën e muzikës “Misbah & Friends”.
Koncerti i flautistit Elvis Rudi dhe pianistit Marin Gjollma do të mbahet në Kishën e Shën Sofisë më 15 gusht, me fillim në orën 21. Në program kanë vepra nga Filip Gober, Fridrih Kulau, Pjer Sankan.

Formimi i klasës së parë të flautistëve në Shqipëri ka qenë rezultat i vullnetit të madh dhe punës së palodhshme të atyre të cilët kanë qenë profesorë të liceut të atëhershëm artistik (lloj i arsimit të mesëm artistik). Kjo është edhe koha kur Elvis Rudi fillon ta mësojë instrumentin flautin nën mentorimin e Miresla Selenicës dhe Isuf Spahiut. Studimet e tij i përfundon në Universitetin për muzikë në Bukuresht, tek profesori Virgil Frank, pas çka kthehet në Tiranë, ku fillon të punojë si asistent-ligjërues në Akademinë e Arteve. Më vonë ky institucion riemërohet në Universitet i Arteve, ndërsa titulli i Rudit rritet në asistent-profesor. Bursa nëntëmujore nga Konservatoriumi në Paris i mundëson përsosje me Pjer Iv Artod dhe Sofi Sherier. Gjatë këtyre viteve, i rëndësishëm është kontributi i tij në interpretimin dhe promovimin e muzikës bashkëkohore shqiptare.

Marin Gjollma studimet e tij deridiplomike, pasdiplomike dhe të doktoraturës i përfundon në Universitetin për muzikë në Karlsruhe të Gjermanisë, nën mentorimin e pianistes së njohur braziliane Fani Solter. Pas kësaj pason përsosja e tij në kurse maestrosh tek profesorë dhe muzikantë të njohur. Në sferën e muzikës kamertale ka bashkëpunuar me artistë eminentë, midis të cilëve edhe Martin Ostertag, si dhe orkestra të shumta. Nga viti 1996 deri në vitin 2018, mban një sërë koncertesh në Shqipëri dhe Gjermani, ndërsa gjithashtu merr pjesë edhe në festivale të rëndësishme internacionale në Greqi, Shqipëri. Është fitues i më shumë çmimeve në garat nacionale dhe internacionale për piano nga viti 1998 deri në vitin 2011.

Ohri përmes festivalit më me renome në Maqedoni “Vera e Ohrit” prej 12 korrikut e deri më 20 gusht i jeton 40 ditët e magjishme me emocionet që i sjellë ky festival. Mbi 800 artistë nga 27 vende nga e mbarë bota për të 58-tën herë me radhë për një muaj e gjysmë interpretojnë, aktrojnë, krijojnë në skenat e festivalit në Ohër…

Festivali sjell gërshetim të përsosur të muzikës, teatrit dhe artit në përgjithësi.Interpretojnë emra të njohur nga bota e muzikës, por edhe produksionet më të mira teatrore me projekte të shkëlqyeshme dramatike.

Festivali “Vera e Ohrit” mbahet me mbështetje financiare nga Ministria e Kulturës e Republikës së Maqedonisë, ndërkaq i ndihmuar nga Komuna e Ohrit, si dhe nga sponsorë të shumtë. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat